E rrethuar nga bimësia dhe uji, dikur shquhej për bregdetin e bukur në fshatin Adriatik por sot zona e mbrojtur e Godullës në Kurbin i ngjan një vendi të braktisur.

Edhe pse një nga vendet më të bukura në Shqipëri që natyra i ka falur gjithçka, dora e njeriut me kalimin e viteve e ka shkatërruar.

Mungesa e infrastrukturës rrugore dhe ndotja masive e bregdetit, e kanë kthyer Godullën në një vend të harruar prej vitesh nga pushteti vendor. Për shkak të rrugës së shkatërruar për të shkuar në bregun e detit që vite më parë ishte mjaft i frekuentuar është e pamundur.

Jo vetëm infrastruktura problem në këtë zonë është dhe ndotja që krijon Lumi Ishëm, nga depozitimi i mbetjeve në brigjet e tij.

Një nga peshkatarët më të vjetër të zonës, Qemal Jangu na tregon se Godulla është kthyer në një vend mbetjesh të rrezikshme të cilat po dëmtojnë biodiversitetin.

 “Këtu ka pas lloj-lloj peshqish, rosa, pata. Tani nuk ka më asnjë gjë. Shumë mbeturina ka tani. Dikur unë pija ujë këtu kur gjuaja për peshk. Mbetjet vijnë nga Tirana, Ura e Gjolës dhe derdhen në det.”- tha qytetari Qemal Jangu.

Zona turistike e Godullës në Kurbin po degradon çdo vit e më shumë, ndërsa autoritetet vendore dhe qendrore vijojnë heshtin përballë kësaj situate e cila vijon prej vitesh.