I dërguari special i Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak, gjatë vizitës së tij në Sebi, bën thirrje që çdo gjë për të cilën është rënë dakord duhet vënë në zbatim, duke vënë theksin tek Marreveshja për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe.
“Është nënshkruar dhe duhet të realizohet”, tha Lajçak.
Duke folur në gjuhën serbe, Lajçak tha se normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është në interesin e të dy popujve dhe të rajonit dhe sipas tij kjo gjë mund të arrihet sa kohë nuk kemi marrëveshje të hapura dhe të pazgjidhura mes palëve. Lajçak theksoi se nuk dëshiron të jjapë afate, por sa më parë aq më mirë, i cili theksoi se BE do të jetë në krah tëpalëve gjatë këtij procesi.
- “aq shpejt sa palët janë të gatshme të shkojnë”.
Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është paraparë me një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë, të nënshkuar në Bruksel, në vitin 2013.
Dy vjet më vonë, dy vendet kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e tij, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Javëve të fundit, zyrtarët në Kosovë kanë përsëritur vazhdimisht se Asociacioni është temë e mbyllur dhe se për të nuk do të flitet më.
Lajçak, i cili qëndroi në kryeqytetin serb pas dy ditësh në Prishtinë, tha se nga “25 takimet” që ka pasur me zyrtarët kosovarë, “asnjë bashkëbisedues nuk pohoi se nuk do t’i përmbushin obligimet”.
Presidenti i Serbisë, Vuçiq, tha se në takim me Lajçakun ka këmbëngulur në zbatimin e plotë të marrëveshjes së vitit 2013 me Kosovën, e cila përfshin edhe formimin e Asociacionit.
"Tani do t'ju jap një akt, për të cilin flitet pak dhe, deri më tani, askush nuk e ka parë në publikun serb. Ky është një plan për të zbatuar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, e cila përbëhet nga gjashtë elemente. Pika e parë - rregullimi i kornizës ligjore, pika dy - Asociacioni dhe bashkësia, pika tre - policia, pika katër - gjyqësori, pika pesë - zgjedhjet lokale, pika gjashtë - dispozitat e përgjithshme", tha presidenti serb.
Kosova dhe Serbia kanë nisur bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011. Procesi është ndërmjetësuar vazhdimisht nga BE-ja dhe mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.