Frerët e institucioneve më të rëndësishëm të ekonomisë nga sot janë në duart të reja.

Kryeministri Rama, gjatë mbledhjes së qeverisë me propozim të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë ka larguar nga detyra drejtoren e Tatimeve, Vasilika Vjero dhe atë të Doganave, Belinda Ikonomi.

Dy zonjat qëndronin në krye të institucioneve të rëndësishme që prej shtatorit 2016. Ende nuk ka një detyrë të re për Vjeron, ndërsa ish shefja e Doganave është emëruar në postin e zv/ ministres së Financave dhe Ekonomisë.

Drejtori i ri i Tatimeve është Enton Duro, i cili deri më tani ka qenë drejtor i Përgjithshëm i Taksës së Pasurisë. Ndërsa Arlind Gjokutaj, nga Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave është emëruar në krye të drejtorisë së Doganave.

Po në mbledhjen e sotme të qeverisë është emëruar edhe Prefekti i ri i Shkodrës. Ai do të jetë Valdrin Pjetri, që u lirua nga detyra e drejtorit të hipotekave, pas shkrirjes së institucionit te ALUIZNI-t me Hipotekën në një të vetëm, që do të jetë Kadastra dhe do të drejtohet nga Artan Lame.

Këto janë ndryshimet e para të mëdha që Anila Denaj propozon që nga koha kur ka zënë karrigen e Arben Ahmetajt, ndërsa më herët kolegia e tij Belinda Balluku veproi më me shpejtësi për të ndërruar drejtorët e Gjiknurit.

Enton Duro dhe Vasilika Vjero

Arlind Gjokuta dhe Belinda Ikonomi
 

Kush është Arlind Gjokuta?
Në datë 02.03.2017 u emërua Drejtor i Përgjithshëm i DPPPP. Gjokuta ka lindur në Gjirokastër në vitin 1981. Është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Ai ka kryer studimet për administrim biznesi në Universitetin Bocconi në Milano, si    dhe ka përfunduar studimet master për Financë dhe Menaxhim Risku nga Universiteti Bicocca në Milano. Është anëtar i Trupës së Nivelit të Lartë Drejtues (TND) që nga muaji janar 2016

Gjokuta ka përvojë në çështjet fiskale, operacionet monetare, analizat ekonomike dhe në menaxhimin e riskut. Ai ka ushtruar disa detyra të rëndësishme si Koordinator i Posaçëm për ekonominë, pranë Këshillit të Ministrave, dhe ekspert i çështjeve fiskale dhe monetare në Bankën e Shqipërisë.

Gjithashtu, është angazhuar si lektor i jashtëm në Universitetin e Tiranës dhe në disa Universitete private. Është certifikuar si Trainer of Trainer në fushën e Antikorrupsionit dhe mirëqeverisjes nga OSBE, Shkolla Italiane e Administratës Publike dhe ASPA.

Gjatë karrierës së tij profesionale, ka marr pjesë në trajnime dhe seminare në institucione të rëndësishme ndërkombëtare financiare si FMN, Banka Botërore, Banka e Anglisë, Banka e Holandës, Banka e Italisë, Center of Excellence in Finance etj.

Gjokuta është autor dhe bashkëautor i disa punimeve kërkimore, kryesisht në analizën e politikës fiskale dhe të qëndrueshmërisë të borxhit publik. Ai zotëron shumë mirë gjuhët angleze dhe italiane.