Shqiptarët mund të përfitojnë punësim sezonal në Itali për vitin 2019. Pas hartimit të një drafti ligjor për pranimin e rreth 31 mijë emigrantëve nga vendet extra komunitare, përfituese është dhe Shqipëria.

Ky draft ligjor ka gjetur miratimin e ministrit të brendshëm Italian Salvini, me kushtin e kërkuar që të mos pranohen të hyjnë në Itali emigrantë nga vendet që nuk janë bashkëpunues me qeverinë italiane në sistemin e riatdhesimit të emigrantëve jo të rregullt. Minsitri i Brendshëm italian ka propozuar hartimin  e një ‘liste të zezë’ të vendeve që nuk pranojnë nënshkrimin e marrëveshjeve për kthimin nga vendet e origjinës të emigrantëve ilegalë si Senegal, Pakistani, Bangladesh etj.

Dekret ligji për pranimin e kuotave të reja të emigrantëve për vitin 2019 pritet të miratohet nga Këshilli i Ministrave i Italisë.

Ndër gati 31 mijë leje të rregullta qëndrimi që parashikohen të lejohen nga Ministria e Brendshme italiane, mbi 18 mijë janë parashikuar të jepen për emigrantë që do të punësohen gjatë sezonit të verës në fermat bujqësore dhe mbi 12 mijë të tjerë u jepet mundësia të konvertojnë lejet e qëndrimit për motive studimi, humanitar, apo shëndetësor në leje qëndrimi pune sezonale. Ndërkohë 3 mijë leje të tjera qëndrimi do të vihen në dispozicion të emigrantëve që zotërojnë një leje qëndrimi sezonale e mund ta konvertojnë në leje me afat më të gjatë qëndrimi.