Me hapa të vegjël, por të sigurt. Kështu mund të përshkruhet situata e dëmtimit të Armando Brojës në Angli. 24-vjeçari mungon në stërvitje me ekipin prej 20 shkurtit, kohë kur një lëndim i lehtë në pamje të parë e la jashtë fushe.

Trajneri i Burnleyt, Scott Parker, konfirmoi se sulmuesi i kombëtares shqiptare të futbollit po bën stërvitje të lehta dhe ka shkelur në fushë.

"Armando është gjithashtu jashtë stërvitjes përsëri, por po bën vetëm stërvitje të lehta. Por ai është në rrugën e duhur. Do të shohim se ku do të jemi përsëri në fundjavë", tha Scott Parker.

Gjendja e Brojës ka alarmuar stafin e kombëtares shqiptare të futbollit dhe trajnerin Sylvinho në prag të ndeshjes play-off që kuqezinjtë luajnë në Varshavë kundër Polonisë më 26 mars dhe që vlen për Kupën e Botës 2026.

Edhe nëse Broja rikthehet në fushë për ndeshjen e nesërme kundër Bournemouth në Premier League (shanset thuajse nuk ekzistojnë), forma e tij është në pikëpyetje dhe rrezikon të mos grumbullohet nga trajneri Sylvinho.

Veç Brojës, edhe dy sulmuesit e tjerë të Kombëtares, Mirlind Daku dhe Rey Manaj vuajnë dëmtime të ndryshme dhe janë drejt rikuperimit.