Policia e Shkodrës pas gati 24 orëve kërkim intensiv ka arrestuar autorin e vrasjes së 55-vjeçarit, Prendush Fusha. Alfred Pllumbaj, 33 vjeç, fshihej që pas krimit në fshatin Bardhaj në Shkodër. Ngjarja tronditi qytetin verior pasi viktima dhe autori ishin fqinj me njëri-tjetrin.
Njoftimi i plotë:
Lokalizohet, kapet dhe arrestohet autori i dyshuar i vrasjes së shtetasit P. F., ndodhur mbrëmë rreth orës 19:15 në lagjen “Mark Lula”.
Kapja e tij u bë e mundur si rezultat i rrethimit të zonës në një perimetër të gjerë nga Policia .
Pas një pune intensive të Forcave Operacionale në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me FNSH Shkodër, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi brenda 24 orëve, i shtetasit:
Alfred Pllumbaj, 33 vjeç, banues në lagjen “Mark Lula”, Shkodër
Ky shtetas dyshohet si autor i vrasjes së shtetasit P. F., ndodhur mbrëmë, ku pas një konflikti për motive të dobëta e ka goditur me mjet prerës (thikë).
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale të “Vrasja me dashje” e “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” parashikuar nga nenet 76 e 279 të Kodit Penal.
Prej kohësh ata kishin konflikte me njëri-tjetrin, por sherri kulmoi mbrëmjen e të hënës. Ditën e dielë, viktima Prendush Fusha kishte denoncuar në polici, Alfred Pllumbajn si grabitës të një shume parash në banesën e tij. Policia e Shkodrës shoqëroi Pllumbajn në komisariat të dielën por e liroi pasi s’kishte prova që ta lidhnin me grabitjen e parave. Kështu, mbrëmjen e djeshme, në lagjen “Mark Lula” të Shkodrës, në vendin e quajtur “Ura e Thive”, 33-vjeçari Pllumbaj, me një thikë shkoi pranë banesës së viktimës dhe e vrau atë me thikë. 55-vjeçari s’mundi t’iu shpëtojë plagëve dhe ndërroi jetë rrugës për në spital.
Ditën e sotme, dy familjet nuk e kanë hapur derën, nga frika për një hakmarrje të mundshme. Familja e viktimës, i kreu ritet mortore në një nga lokalet e Shkodrës.