TIRANE- Monica flet dhe ajo që dëgjohet janë skena të një filmi horror. Silvio Mannina, 30-vjeçari italian, trupi i të cilit u gjet në liqenin e Azzuros, ishte torturuar për orë të tëra nga shqiptari Dritan Demiraj dhe bashkëpunëtorët e tij para se të hidhej në ujë i pajetë. Ai ishte mbytur me një tel energjie elektrike. Monica Sanchi, e fejuara e Demirajt ka treguar për policinë fije për pe të gjithë ngjarjen, ku bashkë me të fejuarin dhe shqiptarë të tjerë të paidentifikuar, donin të detyronin italianin Mannina që të caktonte një takim me Lidia Nusdorfin.

Me Silvio Manninën ishte kontaktuar me anë të Facebook-ut. Pasi kishte shkuar  në banesën e Demirajt, ai nuk kishte pasur më kohë që të fliste apo të pyeste pse? Direkt ndaj tij është ushtruar dhunë dhe është dërguar në dhomën e gjumit, ku më pas shqiptari Dritan Demiraj, bashkë me të fejuarën e tij kishin fjetur. Mannina ishte rrahur, zhveshur nudo dhe e kishin kërcënuar që të merrte telefonin dhe të thërriste të fejuarën e tij, Lidian. “Do bëj çfarëdo që doni ju vetëm më lini të gjallë”, ishte lutur ai.

“Një vrasje e lehtë”, kishte thënë një nga torturuesit, për krimin e bërë në dhomën e gjumit. I riu nga Lombardia që prej kohësh në Bolonja e ka paguar me gjak faktin që kishte takuar dhe kishte jetuar për disa kohë me rumunen Lidia. Dhe pas kësaj dëshmie, policia shkencore ka shkuar sërish dhe me anë të mjeteve të specializuara ka kërkuar gjurmë në dhomën e vrasjes. Do të jenë rezultatet e ADN-së që do të heqin dyshimet nëse bëhet fjalë për gjakun e 30-vjeçarit Mannina. Grushta, shqelma, dhunë fizike dhe psikologjike dhe në një moment i kanë thënë se do ja prisnin edhe lëkurën nëse nuk do t’i bindej kërkesave të tyre.  Por edhe kur ai ishte betuar që do të bënte gjithçka që i kishin kërkuar, shqiptarët kishin vazhduar duke e rrahur e torturuar deri kur nuk kishte marrë më frymë. Gjatë dëshmisë së dhënë në polici, 35-vjeçarja italiane ka deklaruar se u kishte kërkuar shqiptarëve që të ndalonin dhunën që po ushtronin ndaj Manninas, por sipas saj, ata nuk ja kishin dëgjuar fjalën. 

Shkrimi u publikua sot 2 maj 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)