MAT- Ndërhyrja që po kryhet nga Autoriteti i Rrugëve për zonën e veriut për riparimin e autostradës së Kombit në afërsi të Skurajve, nuk jep garanci për të gjithë gjatësinë e këtij segmenti që ndodhet pranë lumit Mat. Alarmin për këtë situatë e jep drejtori i basenit Preng Lala, sipas të cilit ka disa zona ku ka dëmtime dhe në dimër situata do të vijë duke u përkeqësuar.
 
Lala ka bërë të ditur se zgjidhja e vetme është disiplinimi i rrjedhës së lumit, fakt për të cilin kanë depozituar edhe një projekt në ministrinë e Mjedisit dhe presin që kjo e fundit të reflektojë.
 
Gjatë stinës së dimrit, rrjedha e lumit Mat dëmtoi njërën korsi të autostradës së Kombit, duke e gërryer plotësisht atë. Autoriteti Kombëtar i Rrugëve mundësoi ndërhyrjen nëpërmjet fondeve të qeverisë shqiptare, por kjo konsiderohet e pamjaftueshme për sigurinë e plotë të këtij segmenti nga Miloti deri në Rubik.
 
Kjo pjesë e rrugës shtrihet përgjatë rrjedhës së lumit, rrymat e së cilës vlerësohen si shkatërrimtare.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)