Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari hodhi poshtë akuzat e opozitës kundrejt kryepolicit të ri Skënder Hita, në ceremoninë e marrjes së detyrës. Opozita akuzon se Hitën e emëroi Belinda Balluku, por ministri theksoi se gara ishte transparente dhe e bazuar në meritokraci, duke theksuar se kryepolici i ri është një oficer karriere.
“I besojmë drejtimin një drejtuesi të ri në një kohë kur kërkesat ndaj këtij institucioni janë më të larta se kurrë. Përtej solemnitetit të këtij rasti, dua të evidentoj 3 elementë, lidhur me procesin e ndjekur deri më sot. Për të mbërritur deri në këtë ceremoni është kaluar përmes një procesi transparent dhe të bazuar në meritë, duke siguruar që drejtimi i këtij institucioni ti besohet një figure të besueshme dhe pavarësisht se fituesi duhet të ishte një dhe vetëm një, vlerësoj pjesëmarrjen e të gjithë kandidatëve. Jam i bindur se të gjithë ju këtu sot, ndani të njëjtën bindje, se Hita është njeriu i duhur për të udhëhequr policinë në një moment të rëndësishme për vendin dhe qytetarët, duke garantuar stabilitet dhe përkushtim. Ai është oficer karriere dhe i udhëhequr nga integriteti në çdo post që ka mbajtur.
Integrimi në BE, ky mision bëhet akoma më i rëndësishëm në kontekstin ku ndodhet sot Shqipëria. Në këtë rrugëtim, Policia ka rol thelbësor, nuk është vetëm proces politik, por edhe teknik. Është proces transformim, ndërtimi i një Shqipëri ku ligji zbatohet njësoj për të gjithë, Shqipëria është vend i sigurt. Kjo është një përpjekje për të garantuar rendin, sigurinë dhe për të shmangur çdo situatë që cenon stabilitetin dhe sigurinë e vendit”, tha Lamallari.
Lamallari i la 3 porosi drejtorit të ri të Policisë së Shtetit.
“Merrni këtë detyrë në një moment kur kërkohet lidership i fortë dhe vendosmëri, besimi është edhe pritshmëri e lartë për të çuar para policinë moderne, profesional edhe në përputhej me standardet europiane. Forconi më tej profesionalizimin, thelloni luftën kundër paligjshmërisë, dhe të garantoni që Policia të mbetet një institucion në shërbim të qytetarëve dhe jo mbi ta. Një institucion që ofron shërbim dhe nuk qaset vetëm si forcë represive, por një organizatë që modernizohet vazhdimisht dhe është në lartësinë e sfidave të kohës”, tha Lamallari.
Lajmi kryesor:
Kryepolici Skënder Hita merr detyrën: Luftë pa kompromis kundër krimit dhe korrupsionit! Lamallari: Policia në shërbim të qytetarëve, jo forcë represive











