Në fund ia dolën. Për vite me radhë urrejtja politike ishte kufizuar në mediat e partive. Më pas u shtri në sallën e Parlamentit dhe, në fund, vërshoi në rrjetet sociale. Tani ajo po infekton të gjithë shoqërinë. Historia e tmerrshme e videove intime private, të shpërndara sikur të ishin trofe të “gazetarisë investigative”, tregon se urrejtja kolektive po e kalon nivelin maksimal të alarmit.
Ai individ që i ka peshkuar ato në ndonjë kanalizim të ujërave të zeza të internetit dhe i ka shpërndarë me krenari, duke u fshehur pas një misioni hipokrit ''drejtësie'' (ndoshta drejtësie talebane) duhet denoncuar dhe çuar përpara një gjykate, sepse asgjë nga ajo që ka bërë nuk ka të bëjë me të drejtën e informacionit. Është dhunë dhe vetëm kaq.
Para së gjithash, ato video janë prova të një vepre penale dhe gratë që shfaqen në to janë vetëm viktima. Ato skena intime janë regjistruar me siguri pa dijeninë e protagonisteve të tyre, dhe vetëm kjo përbën një krim. Nëse këtë e ka bërë qëllimisht protagonisti mashkull (i cili, qoftë edhe vetëm për një minimum ndjenje estetike, do të kishte bërë mirë ta shmangte), apo nëse edhe ai është regjistruar pa dijeninë e tij, këtë do ta përcaktojnë policia dhe drejtësia.
Më pas duhet zbuluar se si ato pamje përfunduan në treg, ku qarkullonin prej të paktën një viti, ndërsa që sot është e dukshme përgjegjësia penale e atij që, në fund të zinxhirit, i shpërndau ato kudo, duke kryer nga ana e tij një seri të gjatë veprash penale.
Por pjesa më e turpshme e kësaj historie të tmerrshme janë reagimet e publikut. I etur për hakmarrje dhe i ushqyer nga një urrejtje e papërshkrueshme, një pjesë e madhe e opinionit publik u rreshtua në krah të atij që shpërndau pamjet, në vend që të qëndronte në anën e grave, të cilat fillimisht u mashtruan në privatësinë e tyre dhe më pas u poshtëruan moralisht në publik.
Moralistë të mjerë filluan t’i dënonin për atë që bënin në ushtrimin e lirive të tyre individuale. Shumë madje duartrokitën “guximin” për publikimin e videove, sikur linçimi publik të ishte ndëshkimi i drejtë për sjelljen “imorale” të protagonistëve të tyre.
Jemi të gjithë shenjtorë kur pretendojmë të gjykojmë mëkatet e të tjerëve. Por kur morali përdoret si argument i drejtësisë publike, atëherë kalojmë në territorin e integralizmit, të të njëjtit integralizëm me të cilin ushqehet shpesh edhe terrorizmi.
Por gjithë kjo urrejtje, për fat të keq, nuk është e rastësishme. Politika e kultivon prej vitesh dhe ne, mediat, bashkë me politikën, jemi po aq fajtorë. Është urrejtja që deri tani ka gjetur te rrjetet sociale altoparlantin e saj dhe që, prej disa muajsh, ka vërshuar edhe në rrugë, sepse është aq e madhe sa as interneti nuk mjafton më për ta përmbajtur.
Linçimet në rrugë, të kryera nga djem e vajza histerike që ndjekin deputetët dhe familjarët e tyre me vezë dhe sharje, janë skena të pacivilizuara, të padenja për një vend që e ka përjetuar këtë lloj persekutimi gjatë 45 viteve të regjimit. Atëherë nuk kishte celularë që të filmonin skenat dhe gjithçka ndodhte brenda mureve të dhomave të hetuesisë, por origjina e urrejtjes nuk ishte shumë e ndryshme nga ajo e sotmja.
Është sikur të kishte shpërthyer përsëri lufta e klasave.
Janë skena fashiste ato që shohim në rrugët e Shqipërisë. Identike me skenat e skuadristëve të Mussolinit apo të nazistëve të Hitlerit përpara se të merrnin pushtetin, kur endeshin nëpër rrugët e qyteteve italiane apo gjermane në kërkim të armiqve.
Është kultura e gjyqit popullor, që nuk kalon përmes institucioneve, por zhvillohet poshtë shtëpisë së dikujt dhe ku, për të dënuar një njeri, nuk nevojiten prova dhe fajësi reale: mjafton perceptimi se ai është fajtor. Pikërisht siç bëri ai që shpërndau videot intime: u ndie në të drejtën dhe detyrën për ta bërë!
Pikërisht, si ndodh për fat të keq edhe në disa procese ku indiciet fillojnë të konsiderohen prova dhe, në pritje të një vendimi të vërtetë, të dyshuarit mbahen të mbyllur në burg, duke u trajtuar në realitet si të prezumuar fajtorë, në vend që të trajtohen si të prezumuar të pafajshëm.
Dhe ja ku gjithçka lidhet. Urrejtja dhe shpifja, të përsëritura pafundësisht nga politika, kanë infektuar shoqërinë. Dhe ajo urrejtje ka prodhuar mijëra vetëgjyqtarë: njerëz të popullit, njerëz të zakonshëm që ndihen bartës të së drejtës për të linçuar fqinjin e tyre. Ashtu si disa prokurorë, gjyqtarë, policë e gazetarë, të infektuar edhe ata nga kjo ndjenjë e supozuar superioriteti moral, që përfundojnë duke ushqyer të njëjtën kulturë të linçimit publik.
Nëse kaq shumë urrejtje dhe intolerancë janë tiparet dalluese të Shqipërisë së re, atëherë duhet të angazhohemi të gjithë për t’i ndryshuar. Sepse kjo është shumë më keq se Shqipëria e vjetër.







Komente
Komento