Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, teksa mori pjesë në Konferencën "30 vite partneritet dhe progres: Shqipëria, Këshilli i Europës dhe Komisioni i Venecias”, përmendi disa të dhëna shqetësuese që ka evidentuar që me marrjen e këtij posti. Njëri prej tyre ai tha se ka të bëjë me paraburgimin e tejzgjatur, teksa tha se rreth 60% e personave që janë në burgje, janë në pritje të një vendimi gjyqësor.
Ai ngriti si shqetësim edhe faktin se ndërmjetësimi nuk përdoret si mekanizëm për të zgjidhur çështje të caktuara, si ato civile. Ministri tha se vitin e kaluar, në rang vendi, vetëm një gjykatë ka referuar qytetarët për të zgjidhur mosmarrëveshjet drejt mekanizmit të ndërmjetësimit. Sipas tij, ky mekanizëm ka rezultuar i suksesshëm në rreth 90% të rasteve.
“Si ministër i Drejtësisë, nuk mund të lë pa përmendur dy të dhëna aspak të rehatshme që kam hasur në raportet informuese që në krye të marrjes së detyrës. Së pari, nga 4576 shtetas që gjenden sot në burgjet e vendit, rreth 60% e tyre janë ende në pritje të një vendimi gjyqësor. Qëndrimi në paraburgim për një kohë më të gjatë se koha e dispozuar me vendim përfundimtar gjykate, për shumë prej tyre shndërrohet në padrejtësinë më të madhe për ta dhe familjarët e tyre. Së dyti, teksa përballemi me sfidat e plotësimit të vakancave të krijuara nga zbatimi i vettingut, apo rritja në vijim e çështjeve të mbartura nga viti në vit, ndonëse ligji e sanksionon ndërmjetësimin siveprimtari jashtëgjyqësore për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, veçanërisht në çështje civile, familjare, apo në raste ku përfshihen interesa të të miturve apo marrëdhënie bashkëshortore, vitin e shkuar në shkallë republike, vetëm një gjykatë udhëzoi qytetarët për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve jashtë procesit gjyqësor. Dhe këto 25 raste nga 1500 të tilla të ardhura vullnetarisht apo përmes shërbimit të ndihmës juridike të ofruar nga ministria e Drejtësisë nuk arrijnë dot as 2% të totalit të cështjeve të zgjidhura përmes ndërmjetësimit, që ka rezultuar shumë i suksesshëm, në shkallën 85-90%. Pa folur më pas për potencialin e jashtëzakonshëm por shumë pak të eksploruar ose aspak të arbitrazhit, pajtimit, negocimit apo metodave hibride dhe përdorimit të teknologjisë sic ndodh në vende të tjera me demokraci të konsoliduar për zgjidhjen e një sërë kategorie mosmarrëveshjesh. Duke hequr kohën, tejzgjatjet e proceseve dhe padrejtësitë që bëhen dhe që ndikojnë në besimin e qytetarëve te institucionet e drejtësisë”, u shpreh Lamallari.
Lajmi kryesor:
Rama: ‘Venecia’, udhërrëfyes për vettingun dhe Reformën në Drejtësi! Zaçaj: Opinionet e Komisionit, s’mund të përdoren për të kontestuar vendimet e Kushtetueses










