Pas sulmit ndaj Komisariatit nr. 3 në Tiranë, ku mbetën dëme të shumta në ambientet e godinës, ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, doli sot me një reagim publik, duke publikuar pamje nga brenda komisariatit dhe duke dënuar aktet e dhunës, që sipas tij janë përshkallëzuar nga rrjetet sociale dhe nga aktorë të ndryshëm publikë.
“Një shembull konkret i ciklit të dhunës që nis me urrejtjen e nxitur nga një deklaratë e papërgjegjshme në mëngjes ‘për prova dhune dhe gjaku’ por që u ndryshua në drekë, iu hodh ‘benzinë’ pasdite nga moralistët, kritikët gjithollogë dhe delirantët revolucionarë si ushqim për rrjetin përplot me profile të hapura rishtazi dhe shumëfishuar nga zyra gjetkë, ndihmuar nga algoritmi dhe shoqëruar në fund me një pjatë të helmatisur simolikash ataviste të një kulture që nuk ka ka vend në Shqipërinë evropiane”, shkruan Lamallari.
Edhe kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla publikoi një video ku shihen persona të maskuar duke goditur me shkelma dyert dhe dritaret e Komisariatit nr. 3 dhe bëri thirrje për identifikimin dhe vendosjen e tyre para ligjit.
“Turp! Sulmi i uzurpatorëve të protestës me njerëz të maskuar kundër Komisariatit të Policisë është një akt i dënueshëm. Është detyrë e Policisë së Shtetit t’i identifikojë dhe vendosë para ligjit”, shkroi Balla.
Komente








