Artan Lame ka rrëfyer për herë të parë momentin kritik të jetës së tij. Lame ka treguar përballjen me vdekjen dhe se si ka ndryshuar jeta pas operacionit në zemër.

Në intervistën për “TCH”, Lame me shaka tha se, aq serioze ishte gjendja sa që disa media kishin përgatitur dhe shkrimin për vdekjen e tij.

"Pas provës me shëndetin, të gjithë menduan se nuk do të rikthehesha më fare, por u riktheva. Një nga pasojat që më la semundja ishte që më bëri të humbas frikën nga vdekja. Realisht e kam humbur edhe pse mund të ndodhë çdo gjë. Mendova se pas asaj që kalova do bëhesha më i qetë, por jam bërë më përshpejtues. E llogaris më tepër vlerën e çdo momenti që kaloj dhe që humbas. Dy-tre media kishin bërë gati shkrimin për vdekjen time, për ta do ishte një gjë normale, bëje gati se nuk i dihet...por tashmë është një histori e kaluar", tha Lame në intervistë me Jonida Shehun. 

Për Artan Lamen, njeriu më i rëndësishëm është gruaja e tij. "Unë kam një bashkëshorte pa të cilën do shuhesha, në kuptimin që unë nuk di të bëj asgjë vetë, duke filluar që nga gatimi, veshja, ilaçet që duhet të pi, nuk mund të shkoj tek doktori pa të. Ajo mbulon të gjitha detyrat e familjes", tregoi Lame në studion e "Pasdite në Top Channel.

Drejtori i ALUIZNI-t ka një këndvështrim të ri për jetën dhe thotë se të gjitha sherret e përditshme janë pa vlerë. Njeriu, sipas tij, nuk i jep rëndësi gjërave të vogla që mbushin jetën, vetëm kur je në kontakt me vdekjen e kupton çfarë vlen realisht.

Pjese nga intervista 

Të gjithë menduan se nuk do të riktheheshe më në detyrë duke marrë parasysh çfarë presioni të madh psikologjik ka kjo detyrë, u riktheve pas gjithë çfarë kalove…

Pak a shumë të gjithë menduan se nuk do të rikthehesha më fare, por u riktheva. Një nga pasojat që më la sëmundja ishte të humbas frikën nga vdekja. Realisht totalisht e kam humbur. Megjithëse mund të ndodhi çdo gjë, mund të na bjeri një panel mbi kokë. Mendoja se do të bëhesha më i qetë, por jam bërë më përshpejtuese.

Njerëzit e tu të afërt janë të shqetësuar që ti nuk u kujdese dot për veten pas asaj që kalove por u riktheve edhe më energjik seç duhet…?

Le t’ia lëmë groteskut këtë gjë sepse e bën dhe vdekjen të duket groteske. Mos harro se pati 2-3 nga mediat që përgatitën shkrimin për të nesërmen.

Nuk mendon se je me fat pas gjithçka kaloi?

Është pjesë e fatit, por këtu hyjmë në një filozofi të madhe. Nuk di të them realisht a është çështje fati apo çështje mjekësh. Besoj se është çështje e kombinimit të disa rrethanave ku ndonjëherë mjafton që diçka të shkojë keq dhe gjithçka mbaron me aq. Rasti e deshi që atë ditë të mos shkonte asgjë keq në një zinxhirë gjërash që duhet të lidheshin.

Që nga momenti që më ndodhi, që nga mjeku, që nga telefoni, që nga celulari, që nga shoferi, që nga makina, që nga mos bllokimi i trafikut, që nga ekzistenca e mjekut që duhej për të kapur në moment atë që duhej. Do të kishte mjaftuar që një nga këto elementë të çalonte do të ishe duke folur spt me drejtorin e ri të Aluzinit.

(d.b/Shqiptarja.com)