TIRANE- Ndërtimet e paligjshme, që janë vendosur rreth qyteteve, do të jenë të parat që do të legalizohen. Ndërkohë, banesat brenda vijave të verdha, ato që janë të veçuara dhe ato me probleme gjyqësore apo në konflikte do të jenë në një kohë më të mëvonshme. Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, në një intervistë të dhënë në emisionin “Pesë pyetje nga Babaramo” në  A1Report, ka zbardhur strategjinë që do të ndiqet, për rreth 300 mijë ndërtime të paligjshme, në mandatin e parë të qeverisë socialiste, si dhe hapat pas marrjes së mandatit të dytë.

Ndërtimet
“Procesi i legalizimeve ndoshta nuk ka për t’u mbyllur asnjëherë mijë për mijë”, tha Lame. Kjo për vetë faktin se mjaft ndërtime janë në procese gjyqësore, konfliktet e të cilave zgjidhen me vonesë. Ndaj dhe ALUIZNI nuk mund të ndërhyjë të japë një vendim, pasi në të kundërt do të bëhej palë në një përplasje. Por po ashtu dhe ato ndërtime që bien ndesh me planet rregulluese do të sistemohen në momentin kur do të bëhet ndërhyrja. Por, për to do të ketë një projekt tjetër rehabilitues. Pra, nuk ka shembje jashtë asaj që parashikonte ligji i parë. Lame sqaroi se, edhe nëse do t’u shembet shtëpia, si pasojë e kalimit të një rruge, apo projekti tjetër social, atyre do t’u sigurohet një tjetër pronë për të vendosur banesën.

Sipërfaqja do të sigurohet duke iu hequr të drejtën atyre ndërtuesve që kanë një sipërfaqe më të madhe nga 300 metëra katror. Sipas Lames deri më tani, nga PD, u janë dhënë leje legalizimi dhe për 2 mijë m2 për një banesë. Ndërsa aty do të mund të vendosen dhe pesë ose gjashtë ndërtime. Ndaj dhe kjo kategori do të legalizohet në një moment të dytë.

Por, ata që do të përfitojnë të parët do të jenë pronarët që kanë ndërtuar në tokën e tyre, si dhe ato familje që janë vendosur në rrethinat e qytetit. Kjo për faktin se ndërtimi në pronën e vet nuk sjell konflikte apo faturë për t’u paguar, ndërsa legalizimi në zonat rreth qyteteve dhe komunave do t’i krijojë një frymëmarrje zhvillimit ekonomik. Por dhe zonat që janë më të veçuara do të përfshihen në legalizimet brenda katër vjeçarit të parë. Por vonesa do të vijë për shkak të përqendrimit të ekipeve të punës në zonat me dendësi.

Çmimet
Vlera që do të paguhet për truallin, sipas ligjit të ri, do të ketë në bazë të saj tregun. Por vlera që do të paguhet do të shkojë në 50 për qind. Prej kësaj shumë deri në 50 për qind do të paguhet me letra me vlerë ndërsa një tjetër zbritje do të jetë nëse paguhet menjëherë me lekë në dorë, zbritje që shkon deri në 20 për qind. Sipas Lames skema e PD për vendosjen e një çmimi të njëjtë si për truallin në Tiranë me atë në Kukës, tregoi se ishte e dështuar. Pasi në rastin e Kukësit do paguhej me çmim më të lartë nga tregu, ndërsa në Tiranë me një vlerë shumë më të ulët. Ndërsa në llogaritjen sipas çmimit të tregut askush nuk do të jetë i penalizuar dhe të gjithë përfshihen në proces.

Verifikimet
Kreu i ALUIZNI-t, ka sqaruar gjithashtu dhe procedurat që do të ndiqen tashmë për ata të cilët e kanë shlyer detyrimin e tyre. Sipas tij, edhe pse do të ketë verifikime në terren, të cilat tashmë kanë nisur, ata që kanë paguar një herë nuk do të kenë faturë shtesë. Por se dosjet do të kalojnë për shqyrtim dhe miratim. Madje, ai sqaroi se shumë nga lejet që kanë dhënë deri më tani janë prej administratës së shkuar. Për këtë ai shtoi se dosjet ishin të mbyllura por se askush nuk i jepte lejen pasi kërkonin rryshfet.


Shkrimi u përditësua në 27 maj 2014
(d.a/shqiptarja.com)