Mesfushori i Çelsit, Frenk Lampard ka thënë se ish-trajneri i kësaj skuadre, Andre Vilas Boash ka pasur një plan në të cilin aspak nuk janë përfshirë bartësit e deridjeshëm të lojës së londinezëve, por të cilët tashmë Di Mateo i ka rikthyer në skuadër.

Lampard, Terri, Kol, por edhe Drogba, ishin futbollistë të cilët nën drejtimin e portugezit Boash nuk e kishin më rolin kryesor në skuadër.

”Për të qenë i sinqertë me Boashin, ne jemi të vetëdijshëm se ky klub ka për të ecur përpara dhe se ndryshimet janë të pashmangshme. Megjithatë, nuk mundet e tashmja të injorohet dhe të hidhet poshtë aq lehtë”, ka thënë Lampard, i cili ka sqaruar se asnjëherë nuk e ka fyer Boashin dhe as që ka qenë në konflikt me ish-trajnerin e tij.

“Nuk kam qenë i vrazhdë ndaj tij, por vetëm ia kam bërë të ditur se dua të luaj dhe se mendoj se e meritoj një vend në fushën e lojës. Mirëpo, është e qartë se ne nuk kishim mendime të njëjta dhe as mirëkuptim”, ka shtuar Lampard.