Milani dhe e gjithë bota e futbollit janë në zi. Në moshën 66-vjeçare, të cilën e festoi më 8 maj, Franco Baresi ka ndërruar jetë.
Sublimja dhe klasikja ishin kategoritë që mishëronte Franco Baresi, fytyra e të cilit mbante brazda si ato të disa statujave në muzetë e antikitetit. Edhe Gigi Riva ishte gdhendur në të njëjtën mënyrë. Ka fytyra që duket sikur lindin të destinuara t'i mbijetojnë kohës, dhe e njëjta gjë vlen edhe për disa gjeste të trupit.
Ndërhyrja rrëshqitëse paraprirëse e Baresit. Baresi që rikuperon topin dhe, në të njëjtin çast, e shndërron mbrojtjen në sulm, duke bashkuar dy fazat e lojës në një të vetme, të salduara nga një klas i pakufishëm. Koha e përkryer e ndërhyrjeve të Baresit. Përshpejtimet e tij. Krahu i ngritur i Baresit: "Arbitër, është pozicion jashtë loje." Ecja e tij jashtëzakonisht elegante, gjithmonë me kokën lart, ndërsa ajo kokë mbulohej nga kaçurrelat. Shpina e lehtë e harkuar dhe fuqia e tij e jashtëzakonshme në përplasje, si një kamion. Vështrimi i Baresit, sikur përreth atij absolute, jo vetëm futbollistik, të hapej papritur një heshtje e plotë.
"Kundërshtarët nuk shikonin topin dhe as lojën; ata shikonin vetëm Baresin", ka thënë Valdano. Sepse Baresi ishte, mbi të gjitha, një njësi matëse. Një vit më parë i kishin hequr një nodul në mushkëri, dhe dihet se në raste të tilla fjala është pothuajse gjithmonë një perde, një mënyrë për të fshehur diçka tjetër. Dukej se ishte rimëkëmbur.
"Më e keqja ka kaluar; edhe kësaj here u përpoqa, edhe kësaj here askush nuk më dhuroi asgjë", tha ai me një zë të mekur në një intervistë për La Repubblica në shkurt pasi u shfaq si mbajtës i pishtarit olimpik në San Siro, përkrah Bergomit.
Masa me të cilën mund të matet madhështia e pakufishme e Franco Baresit është historia. Ai është ndër më të mëdhenjtë e të gjitha kohërave në botë.
Më i mirë Baresi apo Scirea? Po Beckenbauer, që ishte babai futbollistik i të dyve? Për Bearzotin, më i mirë ishte Scirea, edhe pse “vogëlushin”, "i moshuari" e mori me vete në Spanjë në vitin 1982: nuk luajti asnjë minutë, por gjithsesi u shpall kampion bote.
Franco dhe Gaetano ishin mesfushorë të zhvendosur në mbrojtje; juventini ishte më i aftë në ndërtimin e sulmit, ndërsa milanisti më i fuqishëm në mbrojtje. Megjithatë, të dy ishin regjisorë të lojës. Njeriu i fundit i mbrojtjes dhe, njëkohësisht, i pari, në çastin kur ideja merrte në zotërim kohën dhe vinte momenti për të krijuar, për të ndërtuar.
Regjisorë të tërhequr prapa, që sipas nevojës bëheshin edhe mesfushorë shkatërrues, edhe mesfushorë të avancuar. Baresi dhe Scirea ishin kampionë të pabesueshëm, të shumëanshëm, të bashkuar nga një interpretim krejt personal i heshtjes. Është e vështirë që një lider të jetë pothuajse i heshtur; ata të dy ishin të tillë, sepse fliste mënyra e tyre e të qenit në jetë dhe në fushën e lojës.
Të gjithë e dinë se Franco Baresi formoi atë që ndoshta ishte mbrojtja më e shkëlqyer i të gjitha kohërave, së bashku me Tassottin, Costacurtën dhe Maldinin. Ai Milan, klubi më i madh në histori? Ndoshta po.
Me fanellën e Milanit, skuadrën e vetme të karrierës së tij përveç Kombëtares, Baresi zhvilloi 719 ndeshje, ndërsa fanella legjendare me numrin 6 u tërhoq përgjithmonë. Më parë, kjo nuk kishte ndodhur kurrë për asnjë lojtar.
Megjithatë, ai djalosh mund të ishte bërë interist, po të mos ishte refuzuar në moshën 12-vjeçare në provën me Interin, sepse u gjykua tepër i brishtë fizikisht. Edhe te Milani iu desh të paraqitej tri herë përpara se t'i bindte trajnerët dhe vëzhguesit. Por pjesa tjetër është vetëm histori.
Histori është edhe Italia '90, me atë vend të tretë që dukej shumë pak për një kombëtare kaq madhështore. Histori është edhe SHBA '94, ku Baresi realizoi një nga arritjet më të jashtëzakonshme të karrierës së tij.
Në ndeshjen kundër Norvegjisë dëmtoi meniskun. U operua dhe, vetëm 24 ditë më vonë, ishte gati për finalen kundër Brazilit. Luajti të gjitha 120 minutat, duke neutralizuar Romárion dhe Bebeton. Por në fund, ngërçet muskulore e tradhtuan. Megjithatë, nuk iu shmang përgjegjësisë për të goditur penalltinë. Fatkeqësisht, topi përfundoi shumë mbi traversë.
Lotët e tij pas ndeshjes mbeten të gdhendur në kujtesë: një afresk ku heroi i mundur i dorëzohet fatit, jo mungesës së guximit.
Ai nuk ishte shumë i gjatë, vetëm 1.76 metra, por sa i madh ishte si futbollist.
I lindur në provincën e Brescias, vëllai i Beppe Baresit të Interit dhe sa fotografi simbolike janë bërë gjatë derbeve mes tyre, Franchino, siç ishte regjistruar në gjendjen civile, mbeti jetim nga babai në moshën 14-vjeçare.
Që nga ai moment filloi të kursente fjalët, por kurrë jo energjinë e trupit dhe dinamizmin e tij në fushë.
Ishte Nils Liedholm ai që e bëri titullar të padiskutueshëm.
Kur në vitin 1987 Arrigo Saçhi mbërriti te Milani dhe u tregoi lojtarëve në video lëvizjet e vijës mbrojtëse të Parmës, veçanërisht ato të liberos Signorini, disa ngritën vetullat. Edhe Baresit, të themi të drejtën, iu duk paksa e tepruar.
Por vetëm dy sezone më vonë, "vogëlushi" u rendit i dyti në garën për Topin e Artë, menjëherë pas Marco van Bastenit, një tjetër yll i Milanit të atyre viteve të jashtëzakonshme.
Për pesëmbëdhjetë vjet mbajti shiritin e kapitenit dhe realizoi profecinë e Gianni Riverës, i cili kishte parë tek ai dritën e së ardhmes:
"Ky djalë do të bëjë rrugë të madhe."
Kur Milani fitoi titullin e dhjetë kampion, me Franco Baresin ende pjesë të skuadrës, ishte pikërisht Rivera ai që insistoi që edhe djaloshi të merrte shpërblimin prej 50 milionë lirash. Nuk ishte një dhuratë e pamenduar, por një homazh për të ardhmen.
Ishin duart e Baresit, i lindur në vitin 1960, por mbi të gjitha i pajisur me një klas të pamasë, ato që lanë gjurmët e para mbi të gjithë trofetë e fituar nga Milani "holandez", veçanërisht mbi tre Kupat e Kampionëve, të cilat rrallëherë e kanë merituar emrin e tyre aq shumë, duke parë numrin e jashtëzakonshëm të kampionëve në atë skuadër.
Mes tyre, numri 6 ishte më klasiku nga të gjithë.
Edhe ai, si shumë sportistë të asaj epoke të mrekullueshme, u largua nga jeta shumë herët. Ndoshta dikush në qiell deshi t'i kishte pranë vetes djemtë tanë. Ndoshta kështu vidhet parajsa./La Repubblica
Komente






