Takimi i fundit ishte vetëm pak orë para se të mbyllte sytë përgjithmonë. Në dhomën e spitalit, mes dhimbjes dhe heshtjes, dy vajzat e tij panë diçka që do ta kujtojnë gjatë! Babai i tyre kishte qeshur sapo kishte parë që afër tij kishin ardhur miqtë e tij, dy aktorët Afrim Agalliu dhe Agron Hamo. Kjo ishte buzëqeshja e fundit e tij, si për të treguar se edhe në ikje, Mane Lumani mbeti po ai, artisti që jetoi për të falur humor.

Afrim Agalliu dhe Agron Hamo e cilësojnë largimin e Manes si humbjen e një tjetër shtylle të grupit, ndërsa vërejnë se me ikjen e tij, një projekt u mbeti përgjysmë.

“Së pari iku Meti para gjashtë vjetësh, sot ndahemi dhe nga Mania. Unë dhe Gonia mbetemi vetëm. Është dhimbje e madhe. Mungesa e tij te ne natyrisht ka vite që ndihet, por gjithmonë ka qenë i pranishëm në shfaqjet tona me ato mundësi që kishte.  Unë dhe Gonia kishim një projekt shumë interesant, për të bërë së bashku me të një shfaqje, por ja që nuk ishte e shkruar që të ishim bashkë. Megjithatë Mania iku fizikisht, por do të mbetet në mendjet dhe në zemrat tona.”, tha për "Report TV", Afrim Agalliu.

“Të flas për Manen duhen net dimri të gjata. Një jetë e tërë bashkë me të. Ruaj kujtimet më të rralla, më të bukura. Na rrëmbeu në të vërtetë dy legjenda, dy shokë, miq të rrallë, figura të dashura në publik. Sëmundja bëri punën e saj te Mania. Ngado që shkonin thoshin: ai i vogli, ku është ai i vogli. Mania ishte edhe më i madhi në moshë, Meti ishte më i vogli. Unë bëja shumë shaka dhe i thosha: si Olio me Stelion. Ata nuk ndaheshin asnjëherë nga njëri-tjetri dhe tani fati i keq, i mirë për ata të dy, se do të bashkohen atje lart.”, tha Agron Hamo.

Aktorët, së bashku me miq e kolegë të tjerë, e përcollën sot Lumanin për në banesën e fundit, përmes nderimeve në homazhet e mbajtura në teatrin “Petro Marko” të Vlorës.

Mane Lumani prej muajit dhjetor ndodhej i shtruar në spital për shkak të problemeve të rënda shëndetësore.

Ai e nisi karrierën e tij si aktor amator në vitin 1974 në ndërmarrjen e Ullishtës, ku spikati për talentin e tij të jashtëzakonshëm dhe aftësinë për të imituar. më pas, formimi i grupit “4 parodistët e Vlorës” ishte një moment kthese për humorin. shqiptar. Paroditë e mprehta të Mane Lumanit, Agron Hoxhës, Afrim Agalliut dhe Muhamet Likës, me satirë dhe ironi ishin edhe një kritikë për shoqërinë dhe politikën shqiptare.