Joker del në kinematë amerikane këtë javë pavarësisht një vale kritikash se ai personifikon një vrasës dhe mund të inkurajojë sulme të ngjashme nëpër botë.
Në film luan Joaquin Phoenix dhe flet për një klloun që kryen një seri vrasjesh.
Ngjarjet zhvillohen në 1981 dhe tregohet historia e Arthur Fleck, një komedian i dështuar që gjen shpëtim duke u shndërruar në vrasës në qytetin e Gothamit.
Edhe para publikimit të tij, "Warner Bros", është përballur me protesta të familjeve të viktimave që kishin frikën se filmi mund të nxisë dhunë apo sulme të ngjashme.
Shqetësimet për premierën e filmit janë të mëdha, kjo edhe për shkak të vrasjes masive të 2012 në Aurora të Kolorados, kur në natën e debutimit të "The Dark Knight Rises", një tjetër film i Batmanit u vranë në kinema 12 persona dhe dhjetëra të tjerë u lënduan.
Nisur nga kjo, FBI dhe departamenti i sigurisë së brendshme paralajmëruan agjencitë e ruajtjes së rendit që të kenë nën vëmendje situatën.
Qytetet më të mëdha kanë shtuar masat e sigurisë, për të parandaluar dhunën që mund të krijohet.
“Joker” është një prodhim i Warner Bros që në një deklaratë për shtyp ka thënë më herët se filmi nuk synon që ta shndërrojë këtë karakter në një hero.