Pika fundore e trajtimit të mbetjeve në Maliq i shërben të gjitha bashkive të qarkut Korçë dhe është shembull i bashkëpunimit ndërbashkiak, inovacionit dhe edukimit mjedisor.
Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj vizitoi nga afër këtë pikë fundore.
“Me administrimin efikas, teknologjinë e duhur dhe programet e ndërgjegjësimit për të rinjtë, puna për trajtimin e mbetjeve në Maliq vijon sipas standardeve më të larta”, theksoi Jaupaj.
Jaupaj bëri të ditur se krijimi i Operatorit Kombëtar të Trajtimit të Mbetjeve, do të mbështesë bashkitë në menaxhimin e pikave fundore, duke u lënë më shumë hapësirë të fokusohen në ndarjen e mbetjeve në burim dhe riciklim.
“Me programin e ri të Ministrisë së Mjedisit dhe Bankës Gjermane për Zhvillim në landfillin e Maliqit do të ketë një paketë investimesh, duke shtuar dy qeliza të reja të trajtimit të mbetjeve për të siguruar kapacitetet për një periudhë 20-vjeçare në zonën e menaxhimit të mbetjeve të Korçës”, tha Jaupaj.
Landfilli i Maliqit është një nga investimet më të rëndësishme për menaxhimin e qëndrueshëm të mbetjeve në qarkun e Korçës. Ai shërben si vendgrumbullimi kryesor për mbetjet e bashkive të qarkut dhe funksionon sipas standardeve bashkëkohore të mbrojtjes së mjedisit.
Në këtë landfill janë ndërmarrë masa të posaçme për izolimin e shtresave të tokës, grumbullimin e ujërave të ndotura dhe trajtimin e gazrave që krijohen nga mbetjet, duke rritur sigurinë mjedisore dhe shëndetësore për komunitetin.
Komente











