MALIQ-Rruga e re nacionale Maliq-Gramsh ka pësuar sërish shembje këtë të premte si pasojë e rrëshqitjes së tokës. Në disa pjesë të këtij aksi të ri janë shfaqur çarje në trupin e rrugës ndërsa anësoret kanë pësuar rrëshqitje dherash dhe kanë dëmtuar strukturën duke rritur rrezikun për qarkullimin e mjeteve.
Situata ka ngritur shqetësime mbi qëndrueshmërinë e punimeve dhe sigurinë në këtë aks. Qarkullimi i mjeteve në aksin rrugor nacional Maliq–Lozhan–Strelcë aktualisht kryhet me një sens. Vendi ku ka ndodhur shembja është vetëm 2 km larg zonës ku pak dite me pare ra muri mbrojtës.
Ky aks, që lidh Maliqin me zonën e Lozhanit dhe më tej me qytetin e Gramshit u prezantua si një investim strategjik për juglindjen e vendit.
Me një gjatësi prej 18.8 kilometrash, rikonstruksioni i kësaj rruge kushtoi rreth 1 164 381 419,00 lek (12 milionë euro). Investitori është Autoriteti Rrugor Shqiptar, ndërsa punimet u realizuan nga kompania Gjikuria sh.p.k. e cila ka ende brenda garancisë 1-vjeçare këtë aks kombëtar. Kjo është hera e dytë që në këtë segment raportohen probleme të ngjashme, çka shton dyshimet mbi cilësinë e punimeve.
Komente











