Kreu i Lëvizjes ‘Shqipëria Bëhet’, Adriatik Lapaj, ka bërë një tjetër denoncim publik lidhur me menaxhimin e naftës në vend.

Në një reagim publik, Lapaj thotë se çdo ditë sasi të konsiderueshme nafte nxirren nga vendburimet shqiptare dhe eksportohen jashtë për përpunim, për t’u rikthyer më pas në vend me çmime shumë më të larta për konsumatorët.

“Do thoni ju çfarë bëhet me naftën shqiptare?! Më ndiqni,” shprehet ai, duke shtuar se, “çdo ditë kalojnë 2 trena, nga mëngjesi në darkë. 12 vagona, të cilat mbajnë rreth 2,500 ton çdo ditë. Nafta jonë eksportohet, përpunohet jashtë dhe rikthehet këtu për t’u shitur me çmimin më të shtrenjtë në Europë.”

Lapaj i referohet gjithashtu të dhënave zyrtare nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, sipas të cilave gjatë periudhës 2004–2025 janë nxjerrë mbi 16 milionë ton naftë nga nëntoka shqiptare nga koncesionarët privatë.

“Sipas përgjigjeve zyrtare të ardhura nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, vetëm nga koncesionarët privatë gjatë periudhës kohore 2004–2025 janë nxjerrë nga nëntoka shqiptare mbi 16 milionë ton naftë. Thënë ndryshe, është eksportuar çdo ditë sa një anije me përmasa 2,500 ton,” thekson ai.