Partia “Shqipëria Bëhet” ka depozituar sot një nismë të re për uljen e kostos së jetesës.
Deputetja Ana Dajko, e cila ka qenë pasive që prej shtatorit kur mori mandatin, ka paraqitur sot projektligjin e lajmëruar 3 ditë më parë, që synon heqjen e TVSH-së për produktet bazë të shportës.
Propozimi prek drejtpërdrejt produkte si buka, mielli, vaji, orizi, makaronat, por edhe qumështi, mishi, peshku, frutat dhe perimet, mallra që aktualisht tatohen me një TVSH prej 20%.
Konkretisht, në ligjin nr. 92/2014 ‘Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë’, propozohet shtimi i një neni të ri (49/1), i cili përcakton që këto produkte të mos tatohen më me normën standarde.
Relacioni shpjegues i nismës thekson se qëllimi kryesor është lehtësimi i barrës ekonomike për qytetarët dhe mbrojtja e fuqisë blerëse, sidomos për shtresat me të ardhura të ulëta dhe pensionistët. Sipas “Shqipëria Bëhet”, ulja e TVSH-së pritet të reflektohet drejtpërdrejt në çmime më të ulëta në treg.
Në argumentat e renditura në projektligj thuhet se ai synon të luftojë drejtpërdrejt varfërinë duke ndihmuar familjet me të ardhura të ulëta, pensionistët dhe grupet vulnerabël.
Projektligji argumenton gjithashtu se një praktikë e tillë zbatohet në disa vende të Bashkimit Evropian, ku për produkte të caktuara përdoren norma të reduktuara ose edhe zero.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Komente











