Kreu i Lëvizjes 'Shqipëria Bëhet', Adriatik Lapaj ka denoncuar një tjetër rast të keqadministrimit të sektorit të naftës në vend, duke ngritur shqetësime për mënyrën se si po menaxhohet një nga pasuritë kryesore kombëtare.
Sipas tij, situata është paradoksale, pasi ndërkohë që në Kuçovë “nafta del nga toka si burim uji”, qytetarët shqiptarë vijojnë të paguajnë çmimet më të larta të karburantit në Europë. Ai theksoi se kjo vjen si pasojë e “keqadministrimit dhe vjedhjes masive që ndodh nga Albpetrol dhe institucionet shqiptare me pasurinë më të madhe të popullit”.
“Ne vazhdojmë të paguajmë naftën e shtrenjtë, ndërkohë që nafta jonë derdhet nëpër fushat e vendit. Një turp i madh!”,- shprehet Lapaj gjatë në një video.
Në videon e tij, kreu i 'Shqipëria Bëhet' solli në vëmendje edhe historikun e industrisë së përpunimit të naftës në vend.
“Dikur, këtu ngrihej Rafineria e Përpunimit të Naftës në Kuçovë, e cila përpunonte deri në 150 mijë ton naftë bruto në vit. Kjo rafineri u shkatërrua nga ata që shkatërruan dhe po shkatërrojnë çdo gjë në atdheun tonë gjatë këtij tranzicioni”, deklaron Lapaj.
Lapaj akuzon gjithashtu kryeministrin Edi Rama për mosmbajtje premtimesh lidhur me ringritjen e industrisë së naftës.
“Edi Rama erdhi në pushtet me premtimin për ringritjen e industrisë shqiptare të përpunimit të naftës, por u kthye në njeriun që e shkatërroi përfundimisht këtë industri”.
Në fund të reagimit, Lapaj i drejtohet drejtpërdrejt qytetarëve: “Ti që më dëgjon, vazhdon ta paguash çmimin e naftës ndër më të shtrenjtit në botë dhe më të shtrenjtin në Europë, pasi ne e kemi lënë naftën tonë si ‘mall pa zot’”.
Komente








