Lara Colturi e ka nisur në mënyrë të shkëlqyer sezonin e ri në skitë alpine. Skiatorja që përfaqëson Shqipërinë ka siguruar vendin e dytë në garën e zhvilluar në Sölden të Austrisë, duke e mbyllur konkurrimin vetëm 1 të qindtën e sekondës larg vendit të parë.
Në lëshimin e parë i cili nisi me 30 minuta vonesë për shkak të reshjeve të dendura të dëborës Colturi u rendit në vendin e gjashtë me kohën 1 minutë, 8 sekonda e 5 të qindtat.
Megjithatë skiatorja kuqezi arriti të përmirësohej ndjeshëm në lëshimin e dytë, ku regjistroi kohën 1 minutë 6 sekonda e 78 të qindtat, duke u renditur e treta në këtë etapë.
Në total, pas dy lëshimeve Lara Colturi regjistroi kohën 2 minuta, 14 sekonda e 83 të qindtat, duke siguruar një vend në podium që në garën e parë të sezonit.
Vendi i parë shkoi për amerikanen Paula Moltzan e cila ishte vetëm 1 të qindtën e sekondës më e shpejtë se skiatorja shqiptare.
Ky rezultat përbën një nisje fantastike për Lara Colturin, e cila konfirmon edhe një herë nivelin e saj të lartë në skitë alpine, duke e nisur sezonin e ri mes më të mirave të disiplinës së slalomit gjigant.







Komente
Komento