KORÇË- Kohët e vështira thuhet se kalohen më lehtë nën praninë e njerëzve të dashur, por në luftën me COVID-19 ndodh e kundërta.

Për t'i bërë ballë këtij armiku të padukshëm, për të mos rrezikuar askënd, sot të gjithë qëndrojnë të izoluar duke mos pasur mundësinë e për t'i qëndruar pranë njëri-tjetrit.

Të moshuarit janë kategoria më e rrezikuar nga kjo pandemi globale, por për t'i pasur pranë nesër, duhet të qëndrojmë larg sot. Gjyshe Katerina ka 10 nipër e mbesa nga 5 fëmijwt e saj, të cilwt i ka larg syve, por jo larg zemrës. Ajo ka më tepër se një muaj pa i takuar, pa i dhënë përqafimin e ngrohtë nga krahwt e gjyshes, e malli për ta është i pakufishëm.

"Që në 10 mars kam pa i takuar, ja po bëj një muaj. Më duket sikur dhe fytyrën nuk ia mbaj mend. Kam 4 vajza dhe një djalw edhe 10 nipër e mbesa dhe të kesh kaq e mos të kemi njeri . Të betohem që po fola në telefon me nipërit e mbesat nuk na zë gjumi gjithë natën, mendja vetëm te ata më rri", tha nënë Katerina.

Gjyshe Katerina jeton vetëm me bashkëshortin e saj. Me merakun prindëror e dashurinë e madhe të gjyshërve për fëmijët, nipërit e mbesat janë kryefjala e çdo dite në bisedat e tyre. Për të shuar mallin, ajo çdo ditë sheh dhe puth fotot e tyre, sepse zërin jo çdo ditë ua dëgjon, ndërsa pret me padurim hapjen e qarkullimit dhe bashkimin me ta.

"Është shumë e vështirë, më mirë të vdesim sesa të jetojmë. Kam 15 fëmijë e nipër e mbesa dhe të zgjohesh vetëm. Vetëm të hapen rrugët me ka marrë malli shumë për fëmijët. Më kujtohet kur vinin dhe thërrisin te dera "O nëna". E vdekur, e vdekur jam, por çfarë të bëj nuk mund të jemi mbi ligjin, duhet të rri brenda. Ndonjëherë them a do i shohim më se jemi dhe pleq", tha e moshuara. 

Teksa mes lotësh Katerina tregonte rreth familjes së saj të madhe të rrethuar nga nipër dhe mbesa, në sytë e saj qartazi lexohej dashuria për 'mjaltin e mjaltit' siç ajo i qaun të vegjlit.