TIRANE- Nexhbedin Meda dhe Vullnet Skëndaj, dy specialistët e Agjencisë për mbrojtjen e konsumatorit janë vetëm dy nga rastet e shumta që kanë rënë në 'grackën' e kontratave të reja që u ka ofruar administrata e Bashës. Që të dy këta dy ish-inspektorë kanë pasur statusin e nëpunësit civil. Që do të thotë se nëse kishte reformë në sektorin e tyre, atëherë ata kalojnë në listë pritje dhe bashkia ka detyrimin që t'u sigurojë një vend pune, në të njëjtin pozicion, ose edhe më të ulët, por sërish brenda këtij institucione dhe brenda statusit të nëpunësit civil. Nëse nuk është e mundur kjo atëherë ata paguhen për një vit me rrogë të plotë. Këtë status e kishin edhe dy specialitet e pushuar nga puna që kanë denoncuar shkarkimin e tyre nga puna nga bashkia e Tiranës, por që më pas kanë rënë pre e hilesë së kontratës pa afat, duke hequr dorë nga statusi dhe pranuar që të punojnë me kod pune. Me datë 31 dhjetor të vitit 2011 të gjithë këta punonjës janë njoftuar, se për shkak të ristrukturimit të ndërmarrjes ku ata punojnë do të kalojnë në listë-pritje. Deri këtu nuk ka asnjë shkelje ligjore. Por me datë 3 janar 2012 punonjësve të kësaj agjencie u është ofruar që të firmosin një kontratë të re individuale, që ishte e bazuar mbi Kodin e Punës dhe jo mbi statusin e nëpunësit civil. Ekspertët shpjegojnë se bashkia e Tiranës e ka të drejtën e një kontrate të tillë, pasi ajo punon me dy standarde, edhe me atë të nëpunësit civil edhe me atë të Kodit të Punës, por ajo ka shkelur ligjin, pasi statusi i nëpunësit civil parashikon që vendi i punës që u ofrohet duhet të jetë brenda statusit. "Vendi i ri i punës që u është ofruar nga bashkia e Tiranës, për punonjësit që gëzonin statusin e nëpunësit civil, është i kundraligjshëm. Bashkia në këtë rast u ka ofruar një kontratë me kodin e punës, që i jep dorë të lirë, që më pas, të mund të largojë nga puna, nëse e dëshiron, një person të caktuar, ndërsa me statusin nuk e bën dot këtë gjë. Në të vërtetë, në këtë rast nuk është vetëm faji i bashkisë, por edhe i punonjësve që kanë pranuar të heqin dorë nga statusi dhe të dalin të pambrojtur. Ata nuk duhet ta kishin firmosur një kontratë të tillë, por ta kishin refuzuar. Dhe nëse do ta kishin bërë këtë, atëherë nuk do të ishin larguar nga detyra, siç edhe ka ndodhur në këto dy rastet konkrete, por do të kishin dalë në listë-pritje", - na shpjegojnë specialistët. Ndërkohë që dy personazhet tona thonë se janë ankuar edhe pranë Shërbimit Civil, dhe u kanë thënë që kontrata e reja për punonjësit me status duhet të ishin këshilluar me ta, por kjo nuk ka ndodhur, ndaj ata kanë një handikap ligjor.
KONTRATA PROVIZORE
Ndërkohë që e njëjta praktikë po ndiqet thuajse me të gjithë punonjësit që kanë statusin e nëpunësit civil në këtë bashki dhe që kanë ardhur në këto vende pune në kohën e administratës së Ramës. Nexhbedin Meda dhe Vullnet Skëndaj, kanë deklaruar për "Shqiptarja.com" se kontrata individuale e re, që i kanë detyruar t'i firmosin me datë 3 janar, është edhe hileja që po përdor bashkia e Tiranës, për të larguar nga puna të gjithë ata që ka gjetur. "Me datë 3 janar të 2012, na mblodhën të gjithë ne punonjësit e vjetër në bashkinë e madhe dhe na detyruan të nënshkruajmë një kontratë provizore. Ne e kundërshtuam pasi kishim statusin e nëpunësit, por ata na thanë që ne nuk po iu heqim nga puna, por sërish po u ofrojmë një vend pune. Por sapo kaloi një muaj nga data e nënshkrimit të kontratës filluan të na vinin vërejtjet për punën jo të mirë. E kuptuam që na kishte ardhur radha. Deri atëherë nuk kishim marrë asnjë vërejtje dhe vetëm gjatë muajit shkurt na erdhën 6 të tilla", - na shpjegojnë dy të prekur nga fshesa e shkarkimeve në bashkinë e Tiranës.
(sg/shqiptarja.com)