Këto lëvizje të befasishme, mësohet se kanë ardhur pas negociatave mes kryeministrit Rama dhe Kryeparlamentarit Meta, ku duket se Rama nuk ka kuryer as ministrat e cilësuar si më të suksesshmit gjatë qeverisjes 4 vjeçare dhe që kanë qenë bashkëpunëtorët e tij më të afërt.
Rinegocimi i marrëveshjes së 2013-ës, e cila nuk përfshin thjesht daljen së bashku të PS-LSI në zgjedhjet e 28 Qershorit, por edhe zgjedhjen e Presidentit të ri, kryeprokurorit etj, është konfirmuar edhe nga Ministri i Bujqësisë, Edmod Panariti.
Një nga pikat e marrëveshjes, e kërkuar si kusht nga LSI, parashikonte largimin e ministrit Tahirit, por për shkak edhe të organizimit të PS-së për zgjedhje, lëvizjet në kabinet kanë shkuar edhe më tej, duke prekur edhe tre ministra të tjerë. Shqetësime nga LSI ishin shprehur prej kohësh edhe ndaj ministrit Ilir Beqaj, një nga 4 ministrat që do zëvendesohen nesër.
Mes sigurisë për një mandat të dytë qeverisës me LSI në koalicion dhe mbrojtjes së disa prej bashkëpunëtorëve të tij të afërt, Rama ka zgjedhur opsionin e parë. Siç duket, është një lëvizje e bërë pa dëshirë nga Rama, por që i shërben unifikimit të koalicionit para zgjedhjeve. Megjithatë, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, mësohet se e ka marrë vesh vetëm dje lajmin për lëvizjet në qeveri.
Lëvizjet në qeveri përkojnë edhe me angazhimin e ambasadorit amerikan Donald Lu për të nxjerrë Partinë Demokratike nga tuneli politik i protestës në çadër. Kauza e ngujimit të opozitës per zgjedhjet e lira si dhe atakimi i disa ministrave për korrupsion apo si të lidhur duket se shtyu më tej vendimin për largimin e Tahirit dhe Beqajt për t'u zëvendësuar me dy ministra më pak ekspozur politikisht.
Ministri i Brendshëm ka një rol të rëndësishëm në administrimin e zgjedhjeve, ndërsa mosbesimi i PD ndaj saj është i madh. Lëvizja e Beqajt, edhe pse gjatë drejtimit të tij Shëndetësia ka njohur transformim rrënjësor, konsiderohet si një lëshim i mazhorancës për opozitën dhe si një mundësi për PD për të dalë nga çadra dhe për të marrë pjesë në zgjedhje dhe natyrisht per te votuar edhe Vetingun, që mbetetet angazhimi kryesor i faktorit ndërkombëtar.
Katër muaj para zgjedhjeve parlamentare, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, pika më e fortë e qeverisë "Rama", befas është larguar nga kabineti qeveritar. I konsideruar si një prej ministrave më të suksesshëm të qeverisë, njëherësh qendër e gravitetit të akuzave më të rënda të opozitës prej katër vitesh, Saimir Tahiri, është larguar më në fund si ministër i Punëve të Brendshme.
Lajmi për largimin e ministrit Tahiri qarkulloi menjëherë pas një takimi të tij me kryeministrin Edi Rama, duke zënë në befasi jo vetëm opozitën, por edhe vetë mazhorancën, ministrat e tjerë të kabinetit qeveritar, deputetë, madje edhe kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com