Anëtarja e vetme e Frymës së Re Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Mirela Bogdani, njoftoi kalimin në opozitë pak ditë më parë, për shkak të papajtueshmërisë me kryebashkiakun Erion Veliaj sa i takon çështjes së Teatrit Kombëtar. 

Dy ditë pas këtij zhvillimi, Fryma e Re Demokratike ka njoftuar se distancohet nga çdo vendim apo reagim i Bogdanit. Kryetari i Frymës së Re Demokratike për Tiranën, Andi Seferi ka deklaruar se këshilltarja Mirela Bogdani nuk përfaqëson prej kohësh asnjë forum, kryesi dege apo strukturë të FRD-së dhe si rrjedhojë, çdo vendim i deritanishëm i saj në Këshillin Bashkiak të Tiranës ka qenë personal.

Mirela Bogdani vitin e fundit nuk ka votuar asnjë projekt-vendim si mazhoranca, dhe nuk është konsideruar pjesë e shumicës në Këshillin Bashkiak. Sa i takon Frymës së Re Demokratike, ajo shpreh mbështetjen e saj të vazhdueshme për projektet dhe politikat zhvilluese të Bashkisë së Tiranës.

Andi Seferi, kryetar i FRD në Tiranë

Bashkëpunimi PS-FRD vazhdon pasi Andi Seferi si krahu i djathtë i Bamir Topit do vazhdojë të jetë zëvendëskryetar i Bashkisë si përfaqësues i koalicionit.