Këshilli Bashkiak i Tiranës është mbledhur sot dhe ka miratuar listën e aplikuesve prej 1500 personash, të shpallur fitues për programin social “Për subvencionimin e interesave të kredive”, të cilëve do t’u subvencionohen interesat e kredisë nga buxheti i shtetit për blerjen e një apartamenti në Tiranë.

Por gjatë mbledhjes, një rëndësi të veçantë mori transferimi i kryebashkiakut Erion Veliaj nga paraburgimi i Durrësit drejt atij të Fierit. Këshilltarët demokratë pasi paraqitën qëndrimet e tyre, braktisën mbledhjen e Këshillit.

Demokratja Ilda Zhulali gjatë fjalës së saj tha se Veliaj është dërguar në Fier për një status në Facebook (ku përgëzonte popullin serb për rrëzimin nga pushteti të Aleksandër Vuçiçit), me urdhër të ministrit të Drejtësisë, Toni Gogut.

Zhulali kërkoi po ashtu dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, pas protestave të dhunshme të zhvilluara prej disa ditësh në Tiranë.

“Toni Gogu e transferoi në Fier pa asnjë dokument zyrtar dhe e ka çuar në izolim, për një status në Facebook. Këshilli sot duhet të kërkojë dorëheqjen e Ramës, hetim të dhunës policore, ndalim të gazit lotsjellës në zona të banuara të Tiranës. Të shtyhet miratimi i kredive të buta derisa të mësojmë sa nga përfituesit e kaluar janë bërë me shtëpi. Sot axhenda e ditës është revolta. Sot studentët janë atje dhe ju ftojnë të dilni”, tha mes të tjerash Zhulali.

Edhe këshilltari Fabian Topollaj, i cili pretendoi se nuk i ka as numrin Veliajt, tha se është detyrim ndaj shqiptarëve që të bëhet publike çfarë po ndodh me kryebashkiakun e Tiranës.

Topollaj tha se Gjykata Kushtetuese e ka lënë Veliajn në detyrë dhe se këshilltarët sipas tij duhet të punojnë me të.

“Mund të jem i vetmi që nuk ia kam numrin Erion Veliajt, por jemi të detyruar të punojmë me të, Gjykata Kushtetuese e ka lënë atë në detyrë. Kemi detyrim të themi çfarë ndodh me të që është i izoluar dhe nuk ushtron dot detyrën e tij”, tha mes të tjerash Topollaj.

Këshilltari socialist Halit Valteri tha se ka raportime se Veliaj po mbahet në Fier në kushte të rënda dhe se i janë ndaluar disa nga të drejtat bazë që duhet të ketë çdo i paraburgosur.

“Transferimi dhe kushtet e mbajtjes së Veliajt, kërkoj mirëkuptim, ta shtrojmë këtë diskutim në Këshillin Bashkiak. Shqetësim për transferimin e papritur dhe kushtet e rënda në të cilat raportohet se po mbahet në Fier. Shqetësimi edhe më serioz pas vizitës së Avokatit të Popullit, ku janë ngritur çështje që kërkojnë verifikim e ndërhyrje. Veliaj është i paraburgosur, gëzon prezumimin e pafajësisë dhe të drejtat kushtetuese, të drejtat e njeriut. Asnjë masë paraburgimi nuk duhet të shërbejë si justifikim për trajtim çnjerëzor, kufizime të takimeve me familjarë, mbrojtës, apo marrje të kujdesit shëndetësor. Të kërkojmë nga Ministria e Drejtësisë dhe burgjet arsyet e këtij transferimi, vlerësimin e menjëhershëm të nevojave shëndetësore të zotit Veliaj. Mesa di, ka edhe këmbën në allçi”, tha mes të tjerash Valteri.

Ndërkohë për demokratin Dorjan Teliti, Veliaj u rrëmbye dhe u ‘paketua’ për në Fier për qëllime politike. Teliti tha se institucioni i Bashkisë Tiranë s'mund të jetë aq pa dinjitet, saqë kryetari në detyrë të merret pa njoftuar dhe të transferohet pa transparencë nga Durrësi drejt një tjetër paraburgimi, atij të Fierit.

“S’më intereson fati i kryebashkiakut si karrige, por si qytetar duhet të di kush rrëmbehet dhe si rrëmbehet. Por mbi të gjitha kush janë ata që japin urdhra dhe e konsiderojnë institucionin e Bashkisë së Tiranës aq zhele dhe pa dinjitet, sa pa njoftuar njeri marrin edhe atë që ne duhet ta kishim larguar siç duhet nga detyra. Për fat të keq me vendim të Kushtetueses është ende në detyrë. E marrin e çojnë atje në Fier, e paketojnë. Të gjithë ne e kemi marrë vesh nga mediat. Duhet të ishte ngritur alarmi për rrëmbimin e tij”, tha mes të tjerash Teliti.

Për këshilltarin Aldo Merkoçi, transferimi i Veliajt ditën e djeshme nga paraburgimi i Durrësit drejt atij të Fierit, pa i dhënë atij asnjë arsye për këtë lëvizje, nuk është diçka normale.

Merkoçi tha se kryeqyteti prej 20 muajsh drejtohet pa një kryetar dhe sipas tij, shteti dje e largoi edhe më shumë, duke vështirësuar vendimmarrjen.

“Veliaj mbetet kryetar i Tiranës dhe ajo që ndodhi dje nuk është normalitet. Për fajësinë apo jo të tij ka gjykatë. Jam këtu për diçka të thjeshtë e të rëndë. Dje në mëngjes, një qytetar, pas afro 20 muajsh paraburgim, u transferua pa i dhënë asnjë arsye. U vendos në qeli izolimi. Kjo është absurde ligjërisht, nuk ka një akt të shkruar të njoftuar. Pyetja ime është: ku është letra? Njerëzisht, një njeri me familje në Tiranë merret dhe largohet një mëngjes. Nesër mund të jetë kushdo. Institucionalisht, njeriu që u zhvendos dje është një titullar ligjor i Bashkisë së Tiranës.

Qyteti prej 20 muajsh drejtohet pa një kryetar dhe shteti dje e largoi edhe më shumë, duke vështirësuar vendimmarrjen. Politikisht, kur një veprim i pashpjeguar ndërmerret në një situatë të tillë, dyshimi është i pranueshëm për motive politike. Kërkoj transparencë të plotë dhe trajtim njerëzor, që ky këshill të bëjë kërkesë zyrtare Ministrisë së Drejtësisë, Burgjeve dhe Avokatit të Popullit, për të bërë publike arsyet e transferimit dhe verifikimin e kushteve të mbajtjes. Duhet një raport i plotë mbi çfarë i bën ky transferim institucionit tonë”, tha mes të tjerash Aldo Merkoçi.

Ndërkohë këshilltari socialist Alfred Muharremi e përqëndroi diskutimin e tij te protestat e dhunshme në Tiranë, të cilat sipas tij janë shoë që dirigjohen nga PD, për të ulur imazhin e shqiptarëve nëpër botë.

“Ky është shou, të distancohen nga financimi, nga udhëheqësja e një force politike që dirigjon aktet vandale për të shkatërruar çdo biznes të këtij vendi, për të ulur imazhin e shqiptarëve anë e mbanë botës, duke shfrytëzuar kauzën reale të studentëve”, tha mes të tjerash Muharremi.

Lajm në përditësim...