Shpend Ahmeti, një nga figurat më të rëndësishme të kësaj lëvizjeje, u zgjodh kryebashkiak i Prishtinës në vitin 2013, pozita e parë e lartë e fituar nga Vetëvendosja. Ai u rizgjodh në të njëjtin post vitin e kaluar, ndërsa në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare rezultoi anëtari i dytë më i votuar nga kjo lëvizje.
Në letrën e dorëheqjes, Ahmeti theksonte se “motivi i vendimit tim është se arsyeja për të cilën iu bashkua kësaj force politike, nuk ekziston më. Vetëvendosja nuk është më. Mospajtimet kanë dëmtuar frymën, besimin dhe rrjedhimisht edhe kauzën”. Ai shtoi se është munduar të luajë rolin e ndërmjetësuesit për kapërcimin e problemeve, gjë që, sipas tij, është provuar e pamundur. Ahmeti shpjegoi më tej se e ardhmja e tij do të lidhet me punët e kryetarit të Prishtinës, ndërsa nuk përjashton vështirësitë që do të hasë atje, pasi një pjesë e madhe e Kuvendit Komunal të kryeqytetit përbëhet nga anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët votuan të mërkurën kundër raportit të tij buxhetor.









