A u botua “Vallja e Yjve”? Në Bukuresht më 22 gusht, Kuteli shkruan se së shpejti vëllimi do të shkojë në shtyp. Por pak ditë më vonë, me 3 shtator një letër tronditëse mbërrin në Bukuresht nga Lasgushi, i cili i kërkon “të dhembshurit Mitrush” që “sapo të marrish vesh vdekjen time ti lajmërosh (më parë me ngaj një telegram, pastaj me ngaj një letër) se vdiqa, këta njerës...”.
Dhe Lasgushi shënon emrat dhe adresat e 6 miqve të tij në Austri, Rumani dhe Hollandë. Çfarë ka ndodhur? Sëmundja ka përparuar kaq shumë sa ai nuk ka më shpresë? Sëmundja nuk do ta lërë të shohë të botuar librin e tij të shumëndërruar?
E përshkon një heshtje korrespodencën e tyre deri në 11 tetor 1933, kur Kuteli i shkruan nga Kostanca: “...letrat e tua më kanë djegur në zemër. Oshëtima e tyre më buçet edhe sot. Megjithëkëto, për çudi nuk të kam shkrojtur. Sepse dëshira ime është të të dërgoj sa më shpejt volumin, për të cilin kemi vojtur të dy bashkë sa nuk shkruhet në kartë. Edhe pak edhe mbarohet. Ki durim ‘si duron mali me borë’...”.
Një përgjigje emocionuese vjen nga Poradeci dhjetë ditë më pas. Befasuese, si një kthesë e beftë mirënjohjeje deri në përulje. “...Kur mendoj sot me të marrë k.p. t’ënde nga Kostanza që më 11 Tetor, se je 9 vjet m’i vogël, dhe pikërisht ti qënke destinuar të më kurajosësh në këtë kohë tatëpjete ku përorë dyke gjakosur gjith’ organet rradhazi po greminohet i mjeri trupi im, zemra më përulet po dhe më ngrihet, prej turpi po dhe prej ngushëllimi të cilën m’a këthen si çpërblim...”
Mandej një letër e 4 nëntorit nga Mitrushi ku lajmëron futjen në shtyp të librit, dhe një tjetër letër, ku më së fundi me 17 nëntor ai shkruan nga Bukureshti se më në fund libri u botua.
Kjo ëhstë me të vërtetë një histori e pazakontë e botimit të një vëllimi poetik ikonë në botimet shqipe, dhe një komunikim me të vërtetë i rrallë mes dy kollosëve të letërsisë shqipe, që mes letrash kanë shpalosur pikëpamjet e tyre të veçanta, për jetën, kulturën, artin, atdheun që e deshën aq shumë.
Më poshtë sjellim pjesën e dytë të letrave që dëshmojnë përpjekjet për të dërguar në shtyp vëllimin poetik të Poradecit në fund të gushtit 1933.
Pjesa e dytë e letrave
Zotit Lasgush Poradeci
Poradec
Albania
Bukuresht 4 korrik 1933
Llazar,
Të shkruaj sot më 4 të korrikut në piskun e vapës bukureshtiane që të të lutem shokërisht, si e di vetë ti, që të mbyllet çështja midis nesh për punën e të hollave të librës.
U bë si u bë, u bë qysh u bë tani u mbarua-consumatus est. Të betoj shpirtërisht të mos më shkruash gjë për ‘të as në çipin e një letre dhe për më tepër as të mos e shkosh fare nëpër ment, u mbarua, u mbyll. Po të kem fuqi e shëndet të rezistoj në dallgët e jetës do përpiqem t’a shtyp atë volumin-ëndrra jonë e përbashkët, në qoftë se jo, le të punojë edhe pasteriteti...
Letrën pa tekst që të dërgova dhe të cilën mbesoj se e more ish pema e një grime zemërimi se nuk më kishe dhënë një shpjegim definitive për çështjen e mësipërme. Regretova pas tri orë, passi letra ish në kutinë e postës....
Të bisedojmë-në qoftë se mundim shpirtërisht e fizikisht për të tjera çështje. Unë jam tepër i lodhur dhe i mërzitur për çështjen e tezës së doktoratës. Kam gjer tashi 540 faqe tekst dorëshkrim (si formati i kësaj letre).
Është tepër, nuk shtypet dot. Me një gërshërë të vetëm preva 160 faqe-pema e disa muajve dhe e cila mund të bëjë vetëm objektin e një theze.-Jam i vrerosur se tamni në piskun e korrikut ipset t’a kompletoj, dhe jam i lodhur. Llazar, jam i brengosur. Po të ishim bashkë do të të thosha me tingull të mbytur e lotak-si thua ti- po nuk jam e s’mund të jem.
Të 160 faqet që preva nga theza përbëjnë kaptinën më të dhembshur sespse mirrej me Shqipërinë dhe pikërisht me evolucionin e monedhës gjatë vjetëve të shumtë. Kjo kaptinë përbën raportin origjinal të studimit t’im.
Pa fjalë se nuk do humbasë kjo pjesë. Mendohem tani që t’a përkëthe frëngjisht po të thashë se jam i lodhur dhe i mërzitur. Motori shpirtëror, nuk do, nuk munt të vepërojë. Mendoju dhe ti prej sa vjete po vepëroj e s’po bëj asgjë. Një volum novela të projektuara- Netë Shqiptare-tek në 12 rrëfime, nga një për çdo muaj, dëshironja të pushtoj tërë jetën epike të shqiptarismës, mbeti vetëm projekti.
U shtyp vetëm Nata e Kollozhegut. Kaqe. Një tjatër dëshirë për të shkrojtur një varg artikuj letrarë përmi poezinë shqipe mbeti po ashtu. Dhe pres. Nuk di as unë ç’pres. Të thashë se jam lodhur. Prandaj mos më brengos me letra të hidhura. Ti e di se edhe vera ime u bë uthull-proces kimik, të cili pat bërë më parë nga sheqeri i rushit verën e thartë. Kësilloj dhe ne, ndënë rëndësinë e kohës dhe të fenomeneve të saj bëjmë nga sentimentalisma më e kthjelltë pamfletin më fshikullonjës.
Vështro, rotull Llazar, a s’janë më të mira lulet se sa pemët, a s’janë foshnjat se sa të mbëdhenjtë, a s’është më i pafajshmë një zog ardhushi-si shkruan ti-se sa një ardhush. Metamorfoza negative, Llazar i dashur. Tani mbaroj.
Të dërgoj të fala. Prindërve të mij t’u thuash se jam mirë dhe mos kenë asfare kujdes për mua. Po të më shkruash gjëra të hidhura, do t’a gris letrën. Kuptomë, ndjemë e mos më rëndo.
Me dashuri Mitrush Kuteli
Dhimitër Pasko,
Dorobantilor 9
Bukureshti 3 Romania
D-lui Dhimitri Pasko
Dorobantilor 9
Bukureshti 3 Romania
Pogradec, 20.7.1933
...Dhe në këtë letër (Pa datë, vula postale 4.7.1933) më thua fjalë të kota, kot-së-koti, që është kot të lodhesh për t’i thënë. “Të shkruaj, që të të lutem të mbyllet çështja e të hollave të librës. U bë si u bë, u bë qysh u bë tani u mbarua-consumatus est. Letra pa tekst ish zemërimi që nuk më kishe dhënë një shpjegim definitiv”.
Mitrush!
S’ka patur ‘çështje’, të hapur, që të ‘mbyllet’, as nuk ka qenë bërë, ‘si’ a ‘qysh’, që të ‘konsumohet’; as të kam dhënë do një ‘shpjegim’ provizor që të definitëvohet. Përgjigjia ime vetëm pak ditë pas marrjes së të hollave, se ato do të t’i dërgoj prapë nga shkaku i sëmundjes recidive, kish mbyllkonsumdenfinitivuar çdo hapursiaqyshprovizorësi.
(Prej Austrie s’ti dërgova dot, sepse Konsulli jonë i Vjenës, pranë të cilit kisha ndërhyrë me një letër më 22 maj për ndërmjetësimin e dërgimit- dhe në Austri ekziston kontroll devizash- s’më është përgjigjur sikundër po të kam shkruar herë tjetër, as gjer më sot; prej Poradeci gjithashtu jo, sepse qëkur gjindem këtu s’kam ngritur kokë përveç se, pak në këto 8 ditët e fundit: pres të “forcohem” dita me ditën, aq sa mund të duroj tronditjet e automobilit për një orë udhëtim gjer në Bankën Kombëtare të Korçës, (që atje pastaj, së shpejti, do të t’i gjej të hollat prapë, siç të kam lajmëruar vetëm pak ditë pas marrjes së tyre në Austri).
Nga vepra jote e begatëshme, e variuar, inetresante- Tezë, Bankë, kritikë, Rrëfim veç ky i fundit hyn në punë, veç ky është spontan, krijim (Sikundër dhe “Vallja e Yjeve” është lule, jo pemë – intuicion djaloshar, jo spekulatë leshtarake).
Gezoju, Mitrush, ndaj po të vjen prapë Mammoni (Sipas Biblës personifikim i pasurisë materiale) i turpëruar sepse i refuzuar. O burrë, shok! Se po na shtyp nënë rëndësinë e tij shpirti shkëmbor joni.
Llazari
D-lui Dhimitri Pasko
Dorobantilor 9
Bukureshti 3 Romania
Poradec, 4.8.1933
I dashur Mitrush,
Passi më qite shpirtin me letrat e tua mosbesimi dhe qërtimi të nëmëruara në Austri dhe në Shqipëri, u shtrënguash gjysmë me dashje gjysmë pa dashje të t’a këthej – edhe ta këtheva prapë (26 Korrik sumën e destinuar prej S.S.S-së dhe mirëdashësve miq të tjerë të Bukureshtit për shtypjen e “Valles së Yjve”).
...Mosbesimi dhe qërtimi. Sikur kushedi kur ke patur do një herë deziluzionim në pikë nderi nga ana ime! Zemra jote, Mitrush, paska fuqi, vetë-zvogëlimi shumë të madhe, u bëka dhe zoçkë mikroskopërisht nga frika e Mammonit Sipas Biblës personifikim i pasurisë materiale).
… Gjysmë me dashje gjysmë pa dashje. Sot e 4 muaj, dyke u sëmurur keq, pikërihst ditën e marrjes së 900 Schilingave (29 Mars) pata kujdes të të lajmëroj pa vonim se në mos mundesha (nga shkaku i sëmundës) të udhëheq unë vetë shtypjen e poezive, të hollat do të t’i dërgoj prapë në Bukuresht. Ndonëse afekcioni i cistitës, nuk u mirësua (mbeti kronik me dhimbje), me të fituar pakëz (tepër pakëz) fuqi, fillova të lëvis. Më 7 Korrik mora një ofertë shtypjeje për 840 fr.ar nga Shtypëshkronja “Gutenberg”, më 26 Korrik një tjetër ofertë për 630 fr.ar,(3 000 ekzemplarë) po prej asaj shtypëshkronje (kurse ajo e “Arbërisë” ka kërkuar 3000 fr. Ar, dhe ajo e kristo Luarasit 1500 fr. ar).
Oferta (për 630 fr.ar, 3000 egzemplarë), shum e favorshme dhe e bën I.Osmani pronar i shtypëshkronjës “Gutenberg”, të cilin e njoh personalisht. Në fund të letrës-ofertë ay më shënon: “Ju shtoj edhe, se këtë çmim Ju a bëra Z.s’Uaj nënë koston, nga që ju simpatizoj tepër dhe dëshëroj që vepra e Z. s’Uaj të jetë shtypur në shtypëshkronjën t’ime”.
Më ke qortuar herë të panëmëruara “pse nuk e shtyp librin kur kam edhe poezitë edhe të hollat”. Si ta shtyp. Zot i dhembshur!, mun në flakën e sëmundës dhe mun në flakën e provimeve? Po dhe kështu s’kam përtuar: lypa (po! lypa)oferta për të “salvuar” prestigjin t’ënd që s’ka qënë kurrë në rezik, t’i dërgova të hollat prapë, për të “salvuar” nderin t’ënd që s’ka qënë kurrë në rezik. Tashi, me dërgimin e të hollave, ja se nderi yt u “salvua”. Tashi, për të “salvuar” prestigjin t’ënd, dërgo-mi dhe ti përsëri të hollat prapë!!
Që kësisoj me mbar’-e-prapë-dërgimin e të hollave dhe të poezive (që t’i dërgova dhe m’i dërgove dhe t’i dërgova prapë dhe ato!!)të kryejmë në fund një gjë: të nxjerrim një shumë modeste dhe në fund të mund të vete nga tetori në Austri për vazhdimin e tratamentit konservativ të cistitës, të cilin e këputa me të mbaruar të Majt, për të ardhur me njëmijë e njëqint mjerime udhëtimi (udhës prisha 35 napolona) këtu nga frika se mos vdes në dhe të huaj.
Atë frikë më s’e kam. Do udhëtoj rishtas për në Austri, me gjith që më s’munt të udhëtoj, do bëj regullisht tratamentin, me gjithë që s’mund ta bëj, do vuaj si një herua, me gjithë që s’mund të vuaj, dhe në qoftë se vdes atje dhe jo këtu, e! ç’far? Dhe në qoftë se më pranon dheri në Austri dhe jo në Shqipëri, e! ç’far? - gjith ay qiell prindërisht i qetë qëndron gati për të m’a pushtuar varrin zemërak, gjith ata yj zemër-bardhësisht të ndritur bëjnë vëngjill për të m’u pasqyruar në qëndër të zemrës, gjith ajo frymë e Zotit shentërisht sublime buçet e këndon sëbrëndi vetëvetes së saj dyke përshkruar qjellin dhe yjtë dhe varrin dhe zemrën t’ime, dhe për të m’a pajtuar trupin me lëndën e përgjithëshme, shpirtin me frymën e përjetëshme, trupin-dhe-shpirtin me përgjithësinë-dhe-përjetësinë.
Ndaj zotëron Gaz’ i Thjeshtë në imperiumin e vet.
Që nga bota njerëzore, ku këndoj me shpirtin plot,
Prit-e, prit! Se po t’afrohet Zog’i Qiejvet, o Zot!
Fal-i Këngëtor-finoshit Gas të Thjeshtë mun në gji:
Posi lot në reze djelli ndrit –e në përjetësi!
Shtova këto verse, që mungonin në letrën e parë, për të kuptuar se përjetësia nuk do të thotë (në më quan vjershëtor të saj) perpetium individual, s’është vala që bje që ngrihet, po rënia dhe ngritja, rënia-ngritja vetë.
P.S. dërgo së pari 21 napolonat, që të paguaj (sipas kontratës) 300 fr. Në fillimin e shtypjes së poezive, pastaj mblithni (siç më shkruan) edhe 210 fr. Të tjera për plotësimin e sumës. Sapo të marr të hollat, do nis nga shtypi (i cili, në i marça këtë javë, do ketë mbaruar fund Gushti ose krye Shtatori).
Letërkëmbimi mes Lasgush Poradecit dhe Mitrush Kutelit
Sot shënohet 50-vjetori i ndarjes nga jeta, i mjeshtrit të fjalës shqipe Mitrush Kuteli. Ndërsa këtë të martë një ngjarje e rrallë u shënua në Arkivin Qendror të Shtetit, ku dy vajzat e Lasgush Poradecit, Marie dhe Kostandina gusho dhuruan afro 25 mijë faqe dorëshkrime të Poradecit.
Në vazhdën e këtyre ngjarjeve që sjellin kaq pranë vëmendjes së publikut këto dy gjeni të letrave shqipe sjellim për lexuesit tanë një grup letrash të këmbyera mes tyre në periudhën prill – maj 1933. Janë letra të pazakonta, me zemeratë, keqardhje, keqkuptime, vëshirësi fizike e shpirtërore...Lasgushi i sëmurë rëndë në Vjenë, dhe Mitrushi i keqkuptuar në Bukuresht me dëshirën e pamasë për ta parë të botuar vëllimin poetik të mikut të tij..
Letrat janë shkëputur nga botimi i vitit 2010 “Korrespodencë, Lasgush Poradeci Mitrush Kuteli, vepra IV” , ku është botuar një pjesë e korrespodencës së Lasgush Poradecit nga 1928 e deri tek një pjesë ditari e 1967-ës.