"Lasgushi", avioni i linjës Air Albania që vijon ende fluturimet për në Stamboll,  në këtë situatë ka misionin e tij më fisnik, atë të për të sjellë 'armë' që do të mbrojnë dhe shpëtojnë jetën njerëzore.

Po flasim për 'armët' që përfshijnë pajisje mjekësore, maska doreza, syzë mbrojtëse, veshje të posaçme dhe çdo gjë tjetër që shërben për mbrojtjen e jetës së mjekëve dhe pacientëve në këtë luftë që vendi po përballet me armikun e panjohur dhe të padukshëm, Covid 19.

Ky është furnizimi i radhës i 'Lasgushit', që sipas kryeministrit Rama po luan rolin e 'hamallit fantastik' për të shpëtuar jetën në këtë kohë të errët që krijoi koronavirusi.

'Lasgushi, hamalli fantastik i kësaj kohe të errët, vazhdon sjell armë për mbrojtjen e jetës', shkruan Rama.

Shqipëria ndodhet në karantinë prej 3 javësh si pjesë e masave të marra për të luftuar koronavirusin, ku deri tani janë konfirmuar 186 raste të infektuar, mes të cilëve 8 kanë humbur jetën dhe 31 persona janë shëruar.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:51
Maska, veshje speciale, helmeta dhe syze, mbërrijnë 8 ton materiale mbrojtëse për mjekët

Vjen furnizimi i dytë me maska, veshje speciale, helmeta mbrojtëse, syze dhe elementë të tjerë. Pas asaj të pak ditëve më parë, sot mbërriti edhe një sasi prej 8 ton mjetesh të mbrojtjes personale për stafet mjekësore, për t’u shpërndarë në të gjithë spitalet me financim të qeverisë shqiptare, pas kanalit të hapur të transportit të siguruar nga qeveria turke.

“Jemi duke vijuar me transportin e të gjithë materialeve të mbrojtjes personale, të cilat deri tani janë 15 ton që kanë mbërritur në Shqipëri nëpërmjet linjës dhe korridorit të posaçëm të dedikuar nga Turqia për ardhjen e këtyre mallrave. Janë 8 ton që kanë mbërritur sot, ndërkohë që pak ditë më parë kanë mbërritur 7 ton dhe priten që në total ky furnizim të jetë 26 ton, financim i qeverisë shqiptare. Janë të gjitha materiale të mbrojtjes personale duke filluar nga maskat, veshjet speciale, syzet, helmetat mbrojtëse dhe elemente të tjerë të cilat kanë të bëjnë me rritjen e sigurisë të mjekëve dhe infermierëve”, tha Manastirliu.

Mjetet e mbrojtjes personale për stafet mjekësore janë blerë nga qeveria shqiptare, ndërkohë që qeveria turke ka lehtësuar transportin drejt vendit tonë. Manastirlu tha se mjetet e mbrojtjes personale do të shpërndahen në të gjitha spitalet për të garantuar mbrojtje sa më të madhe për personelin shëndetësor. “Ne rrisim stokun në vazhdimësi në mënyrë që të krijojmë furnizimin e vazhdueshëm për të gjitha spitalet, jo vetëm për spitalet COVID, për Infektivin, për “Shefqet Ndroqin”, por gjithashtu dhe për spitalet e tjera rajonale, ku rritja e stokut është një garanci më shumë për të mbrojtur personelin tonë mjekësor dhe për të siguruar atë barrierë të nevojshme mbrojtjeje nga ky infeksion”, tha Manastirliu.