PRISHTINË- Lidhja Demokratike e Kosovës ka shpallur zgjedhjet e brendshme, të cilat do të fillojnë me 10 mars dhe pritet të përfundojnë me 15 mars, ndërsa kuvendi i përgjithshëm, në të cilin do të zgjidhen kryetari, nënkryetarët, kryesia dhe këshilli i përgjithshëm, do të mbahet në fund të majit.
KosovaPress bëri të ditur se kështu ka vendosur Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, që u mblodh sot pasdite. Në këtë takim nuk është folur për emrat e zëvendësministrave, ndonëse ishte përfolur se në këtë mbledhje mund të vendoset nga Këshilli i Përgjithshëm.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa tha se do të përpiqen që zgjedhjet e brendshme të jenë sa më të drejta, konkurrente dhe të lira. Por, ai tha se ende nuk ka asnjë kandidat për kryetar, meqë kandidaturat do të vijnë pasi të nisë procesi zgjedhor.
"Vendimi themelor që ne morëm është shpallja e zgjedhjeve të brendshme në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ne do ta organizojmë procesin e zgjedhjeve nga data 10 mars deri me datën 15 maj. Ato do të mbahen në nivel të nëndegëve dhe degëve, ndërsa në fund të muajit maj do ta mbajmë Kuvendin zgjedhor të LDK-së, ku do të zgjedhim kryetarin e LDK-së, kryesinë dhe Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së. U angazhuam që në këtë proces zgjedhor të lidhim një kontratë të re me qytetarët, e anëtarësinë e LDK-së në mënyrë që ta forcojmë LDK-në, ta zgjerojmë bazën e LDK-së, tu krijojmë hapësirë anëtareve femra, të krijojmë konkurrencë dhe të zhvillohet mbi bazën e drejtësisë dhe votës së fshehtë", tha Mustafa, pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm.
Ndonëse, ishte përfolur se në këtë mbledhje, Këshilli i Përgjithshëm do të vendoste edhe për emrat e zëvendësministrave nga radhët e LDK-së, kjo gjë u mohua nga kreu i LDK-së, duke thënë se kjo kompetencë i ka kaluar Kryesisë së partisë.
Ndërsa, rreth kandidaturës për kryetar të LDK-së, Mustafa tha se ende nuk ka asnjë kandidat.
"Asnjë kandidat tani për tani nuk është përmendur këtu dhe kandidaturat do të vijnë në procesin e zgjedhjeve për të gjithë. Ndërsa sot nuk kemi biseduar për zëvendësministra. Për zëvendësministra është autorizuar kryesia që të diskutojë dhe për këtë punë ne do të fillojmë javën e ardhshme aktivisht që të punojmë", tha Mustafa.
Këshilli i Përgjithshëm në mbledhjen e vet ka miratuar edhe dy rregullore të cilat do të jenë pjesë e organizimit të zgjedhjeve të brendshme./ATSH/