Një javë pasi qeveria dëmshpërbleu me 1.2 milionë dollarë familjet e Hekuran Dedës, Faik Myrtajt dhe Ziver Veizit të rënë në 21 janar të vitit 2011, Gjykata Administrative ka urdhëruar Gardën e Republikës të dëmshpërblejë edhe familjarët e Aleks Nikës. 

Ky i fundit humbi jetën në një spital në Turqi ku u dërgua pas plagëve të marra në kokë nga plumbat e Gardës mesditën e 21 janarit të 6 viteve më parë.

Gjyqtari Emiliano Ruli pranoi kërkesën e familjarëve të Aleks Nikës, duke vendosur dëmshpërblimin të afërmve të të ndjerit me shumën e 66 milionë lekëve.

Më herët, gjykata i dha të drejtë edhe familjarëve të tre viktimave të tjerë në bulevard, duke konsideruar edhe Bardhosh Myrtajn, si viktimë të pestë që ka lidhje me 21 janarin.

I riu, sipas gjykatës, i dha fund jetës gjatë zisë patologjike pasi nuk përballloi dot humbjen e të atit Faik Myrtaj.

Bazuar tek këto vendime, qeveria dha 1.2 milionë dollarë si dëmshpërblim për familjarët e të vrarëve.

Pavarësisht kësaj, në Gjykatën Administrative janë nën gjykim edhe dy dosje të tjera, njëra për vëllezërit dhe motrat e të ndjerit Ziver Veizi dhe tjetra për vëllezërit dhe motrat e të ndjerit Faik Myrtajt. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com