TIRANË – Afro 700 marinsa amerikanë do të zbresin në brigjet e Adriatikut në fund të muajit prill. Qeveria shqiptare njoftoi se ka dhënë lejen për hyrjen dhe qëndrimin ne territorin e vendit tonë të Shqipërisë të një force ushtarake amerikane, të përbërë nga 685 (gjashtëqind e tetëdhjetë e pesë) trupa, ekuipazh i anijes ushtarake zbarkuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës “USS GUNSTON HALL” (LSD-44).
Sipas vendimit zyrtar, hyrja, qëndrimi dhe dalja e forcës ushtarake amerikane bëhet në portin e Durrësit. Leja e hyrjes dhe qëndrimit të përkohshëm të forcës ushtarake amerikane jepet për periudhën 24 prill 2012 deri në 27 prill 2012. Sipas qeverisë shqiptare qëllimi i qëndrimit të përkohshëm të kësaj force ushtarake amerikane është për vizitë portuale.

VIZITA
Trupat amerikane gjatë hyrjes, qëndrimit dhe daljes nga territori i Republikës së Shqipërisë do të kenë statusin e parashikuar në marrëveshjen ndërmjet palëve të Traktatit të Atlantikut të Veriut, për statusin e forcave, nënshkruar në Londër, më 19 qershor 1951, dhe të ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me ligjin nr.10101, datë 26.3.2009, si dhe statusin e parashikuar në marrëveshjen plotësuese, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të marrëveshjes mes shteteve palë në Traktatin e Atlantikut të Veriut dhe të shteteve të tjera pjesëmarrëse në partneritetin për paqe lidhur me statusin e forcave të tyre, “Mbi statusin e forcave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë”, nënshkruar në Tiranë më 31.3.2004, dhe të ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me ligjin nr.9246, datë 24.6.2004.Gjatë hyrjes, qëndrimit dhe daljes nga territori i Republikës së Shqipërisë trupat amerikane të shoqërohen nga njësi të armatosura të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
(aq/shqiptarja.com)