Fati i të ashtuquajturës “Anija e Dashurisë”, subjekti i një seriali televiziv xhiruar 36 vjet më parë, do të jetë për skrap. E quajtur “Princesha e Paqësorit”, anija u nis nga porti Italian i Gjenovës dhe ka mbërritur në portin turk të Izmirit.
 
Kjo për shkak të falimentimit të kompanisë të kroçierave “Quail Cruises” që e kishte blerë për ta riparuar dhe për ta bërë të funksionueshme në ujërat e Detit Mesdhe. 

Anija është shitur për 2 milionë dollarë dhe kishte zbarkuar në portin gjenovez në 2008 për tu ristrukturuar, por anija e famshme pas disa muajsh është sekuestruar nga gjykata e Gjenovës pasi pronari ishte debitor me shumën prej 10 milionë dollarë. Më pas kjo anije është blerë nga një kompani turke për skrap. 

Serialet e filmit “Anija e Dashurisë”, i regjisorit amerikan Aaron Spelling, ku rolin kryesor e kishte Gavin MacLeod si kapiten i anijes, u trasmetuan në rrjetin televiziv amerikan ABC gjatë viteve 1977-1986. Filmi flet për historitë e dashurisë mes pasagjerëve dhe anëtarëve të ekuipazhit nën magjinë romantike të anijes dhe ujërave të Paqësorit.

(l.ç/v.gj/shqiptarja.com)