Diferenca me 5 pikë nga vendi i parë dhe ëndrra për titullin kampion që është në fije të perit nuk i kanë kushtëzuar aspak tifozët e Partizanit që të vazhdojnë mbështetjen e ekipit të tyre të zemrës në ndeshjen e sotme përballë Skënderbeut në Korçë.
 
Të njohur për mbështetjen e zjarrtë ku dhe kurdo, tifozët e kuq kanë surprizuar edhe këtë herë ekipin, teksa ishte i grumbulluar në qytetin e Pogradecit.
 
Një numër i madh ultrasish të kuq kanë udhëtuar drejt Pogradecit gjatë natës për të befasuar ekipin në mesnatë dhe në orën 01:00 tifozët janë shfaqur para hotelit ku ishte grumbulluar ekipi me thirrje dhe pankarta.
 
Sot është dita e së vërtetës për të kuqtë, pasi nëse mundin Skënderbeun janë ende në lojë për titullin duke shpresuar në ndeshjen e fundit që Flamurtari, që rrezikon mbijetesën të mposht kampionët për të sjellë titullin në kryeqytet pas shumë vitesh.