Bëhej fjalë për një farë Profesor Kozmo, emrin e vërtetë të të cilit nuk mund t’a deshifrojmë dot. Të paktën vetëm nën këtë emër dhe pa mbiemër, na përcillet “viktima” nga një artikull shumë informativ i platformës së famshme gjemane, “Der Spiegel” në vitin 1950.
Vërlaci cilësohet si i biri një kryeministri që qeveriste “nën mëshirën italiane”, dhe aludohet qartë se ai kishte një aktivitet të dukshëm ilegal fitimprurës duke u angazhuar në tregtinë e armëve e atë të drogës, për të cilin, sipas atyre që artikulli citonte, zor se linte rival tjetër nga emigracioni shqiptar e më tej, t’i shkelte në kallo.
Por interesante është se artikulli aludon edhe mbi lojëra e akrobaci të vërteta nga ana e Ismail Vërlacit, për t’u hequr në sytë e anglo-amerikanëve se ishte një shënjestër primare e regjimit të kuq të Tiranës.
Kjo pasi Uashingtoni dhe Londra nuk e kishin konsideruar në atë kohë pjesëmarrjen e tij në Komitetin “Shqipnija e Lirë”, me shkakun se ai dhe anëtarët e Bllokut ( ku renditeshin emra të njohur si Ali Vrioni, Xhemil Dino, Ernest Koliqi, Kol Bib Mirakaj), ishin me “tendenca fashiste”.
Interesant është fakti se shumë vite më vonë, për të është aluduar madje se ai mund të ketë qenë rekrutuar nga Sigurimi shqiptar, gjë që del nga vëzhgimi me kujdes i dosjeve të CIA-s në vitin ’49 në lidhje me dështimet e grupeve desante të dërguara në zonën e Elbasanit në ato vite, por edhe me trajtimin e të afërmve e pasardhësve të Vërlacit të mbetur në Shqipëri, fakt që gjithsesi mbetet vetëm një pretendim për t’u verifikuar ( shih: Auron Tare, Shqipëri 1949: Plani i CIA për operacionet nga Italia dhe Greqia, Gazeta Panorama, 30 dhjetor 2012) çka e bën edhe më intrigant “zbulimin” e “Der Spiegel” në atë vit të largët dhe “akrobacitë” e këtij të fundit me atentate “të stisura”.
Parë nga optika e sotme, fakti i botuar qysh në vitin 1950 në “Der Spiegel” i jep qartazi shteg një aludimi për një lojë të dyfishtë të Ismail Vërlacit. Por artikulli në fjalë, rrëfen në fakt shumë më tepër se kaq.
Flet për rolin e shumë figurave të emigracionit politik shqiptar në Itali në atë kohë dhe shfaq pa doreza anën e panjohur apo të përfolur të tyre e grupimeve që përfaqësonin, në në një kohë kur shpresat se regjimi i Tiranës do të rrëzohej, ishin më aktive se kurrë më parë.
Përveç të tjerave, në artikull thuhet se piksëpari, të interesuar që kjo të ndodhte, ishin Jugosllavia, Italia dhe SHBA, duke renditur arsyet përkatëse, ku të bie në sy sidomos pretendimi se: “për SHBA mjafton fakti se Tirana është miqësore ndaj Moskës”. Por, si duket, nga neglizhenca apo mungesa e informacionit, lihet fare mëjanjnë Greqia.
Po kështu një nga faktet më interesante, është edhe pretendimi deri diku ironik se “Mit’hat Frashëri paskësh qenë viktima e parë e bombës atomike sovjetike” apo tjetri që thekson se Xhafer Deva, tashmë emisar i Zogut në kolonitë shqiptare në Itali e Lindje të Afërme, kishte urdhëruar atë që njihet si “masakra e 4 shkurtit” në Tiranë, në 1944, apo dhe kur shkruan për ish-monarkun shqiptar, të cilin vlerëson se ishte vetshpallur në vitin 1928 “Mbret i Shqiptarëve”, duke shtuar se: “..po qëndron me një sasi të madhe ari me vete dhe me një suitë të vogël ndjekësish besnikë në Kairo”.
Artikulli është kësisoj një kontribut relativ, i besueshëm e me vlera në pasurimin e informacioneve që lidhen me aktivitetin e emigracionit politik shqiptar në Itali e në Perëndim në vitet ’50. Më poshtë ju ftojmë të lexoni përmbajtjen e plotë të tij, nën titullin origjinal: “Shqiptarët në ekzil / Qitës të mirë”, botuar më 27.04.1950.
* * *
VRASJA E ENIGMATIKE E PROFESOR KOZMOS
Katërmbëdhjetë ditë me radhë Profesor Kozmo kishte qëndruar në ujërat e Tiberit, para se t’a tërhiqnin në breg. Shefi i regjimit të demokracisë popullore, Enver Hoxha tashmë ka një armik më pak. Por ka edhe të tjerë që dalin majftueshëm për t’ia bërë atij jetën të vështirë.
Vendi i tij është shumë i rëndësishëm. Shqipëria është kështjella e vetme sovjetike në Mesdhé. Ura ajrore që lidh Sofien bullgare me Tiranën funksionon sërish mirë. Nga ishulli i Sazanit, që zotëron çelësin e aksesit për në Mesdhé, rusët kanë krijuar në qetësi të plotë një Gibraltar sovjetik. Specialistët gjermanë nga ana e sipërme e Atlantikut u kanë ardhur në ndihmë.
Kujt i intereson rrëzimi i Hoxhës?
Tri shtete janë tashmë shumë të interesuar që regjimi i Hoxhës, kokëulur deri në bindje ndaj Moskës, të mos ketë kohëzgjatje të përjetshme:
1) Jugosllavia: sovjetikët mund të hidheshin në sulm nga ishulli shqiptar i Sazanit në Adriatik dhe të bllokonin e izolonin Titon.
2) Italia: Armët sekrete sovjetike që janë veçse 75 km larg dyerve të kristian-demokratit Alçide De Gasperi ( që qeveris sëbashku me 187 komunistët në parlamentin 579-vendesh) janë shumë antipatike për të.
3) Shtetet e Bashkuara të Amerikës: për ta mjafton vetëm fakti se Shqipëria është miqësore ndaj sovjetikëve.
Por, të ndërmarrin aksione direkte kundër Shqipërisë, duket se nuk ia mban asnjërës.
BASHKËPUNIMI “I SFORCUAR” ME MËRGATËN ANTIKOMUNISTE
Gjithsesi, atyre u duhet të punojnë me shqiptarët me besueshmëri të lëkundur në ekzil, duke agjituar e i bashkuar, ndërkohë që ata vetë janë vënë kundër njëri-tjetrit, për t’i hedhur kësisoj kundër regjimit të Enver Hoxhës. Në këtë atmosferë të zënkave të brendshme, u gjend iu mbytur edhe Profesor Kozmo në Tiber.
Amerikanët dhe anglezët kanë ndihmuar tashmë qysh prej një viti e gjysëm, që të themelohet në Paris Komiteti "Shqipnija e Lirë". Zyrtarisht ky komitet e ka selinë në dhomën e një hoteli në Nju Jork, porse praktikisht ai rezidon në Romë, në Rrugën “Veneto” apo në një ndër kafenetë e saj, në “Porta Pia”.
MIT’HAT FRASHËRI, “VIKTIMË” E BOMBËS SOVJETIKE
Presidenti i Komitetit është nënshtetasi me prirje proamerikane, Hasan Dosti, i “Frontit Kombëtar ". Paraardhësi i tij, Mit’hat Frashëri vdiq në vjeshtën e shkuar në Amerikë, si “viktima” e parë e bombës atomike sovjetike. Kur Trumani bëri të ditur ekzistencën e bombës sovjetike, Frashëri pësoi infarkt në zemër.
Dosti trashëgoi donacionet për organizatën në dollarë. Në Romë flitet për tetë milionë. Ato paguhen në këste të vogla. Nga njerëzit që Dosti mban në krahë renditet një prift katolik që mban lidhje me Vatikanin në Itali; një i tretë u mëson amerikanëve shqip në Amerikë.
Një i katërt ka një vëlla në Beograd, te Tito. Një i pestë është monarkist dhe ka tendenca probritanike. Në rast se jepet sinjali, ai është menduar të komandojë forcat çlirimtare shqiptare antikomuniste. Ai synon të sjellë Mbretin Zog në ekzil, sërish në Tiranë.
Të gjithë sëbashku shpresojnë për njohje të shpejtë perëndimore të qeverisë shqiptare në ekzil. Ish-mbreti Zog i Shqipërisë ndërkohë – 54 vjeçar - po qëndron me një sasi të madhe ari me vete dhe me një suitë të vogël ndjekësish besnikë në Kairo. Ai ndjehet si mbret legjitim i një milionë shqiptarëve, qëkurse italianët para 11 vjetëve e rrëzuan atë nga froni, në të cilim ai vetë ishte vendosur qysh prej vitit 1928.
KUSH ËSHTË XHAFER DEVA?
Përfaqësuesi më i angazhuar i Zogut sot është Xhafer Deva. Nga shtatori 1943, deri në tetor 1944, në kohën e pushtimit gjerman të Shqipërisë, ai zinte postin e ministrit të brendshëm. Më 4 shkurt ai, si shpagim ndaj një atentati mbi nipin e tij në Tiranë, urdhëroi vrasjen e 56 njerëzve që i shtriu përdhé në rrugë. Si i ngarkuar special i Zogut, Deva viziton sot kolonitë shqiptare në Itali dhe Lindjen e Afërme.
“BLLOKU INDIPENDENT” DHE HIJET MBI VËRLACIN
Por përveç komitetit të mbështetur nga anglo-amerikanët për “Shqipërinë e Lirë”, dhe restauratorët e Zogut, ka edhe një grupim tjetër të shqiptarëve emigrantë politikë në ekzil, të quajtur "Blloku Indipendent".
Anglo-saksonët nuk e kanë lejuar hyrjen e përfaqësuesve të tij në Komitetin e sipërpërmendur, për shkak të "tendencave fashiste". Presidenti i këtij Blloku, Ismal Verlaci, i biri i një ish-kryeministri shqiptar që qeveriste nën mëshirën italiane, sapo i shpëtoi për fije të perit një atentati në muajin nëntor, ku u qëllua me shtatë plumba pistolete.
Shqiptarët janë qitësa të mirë. Asnjë emisar i shefit të kuq të Tiranës, nuk do të mund të kishte qëlluar dot shtatë herë. Përkundrazi, Verlacin edhe në radhët e kundërshtarëve të tij në emigracionin politik shqiptar, nuk do të mund t’a prekte dot kush e të rrokte lehtë pistoletën, nëse nuk ai nuk do ta rendiste si konkurrent e rival në bizneset e tij me drogën dhe trafikun e armëve.
Për të mundshme e mbajnë këtë të paktën shqiptarët azilantë që jetojnë në Romë, duke pretenduar se Vërlaci e kishte inskenuar vetë atentatin. Ai ka dashur t’u tregojë rivalëve të tij në ekzil dhe anglo-amerikanëve, se për sa të rrezikshëm e mban atë regjimi komunist i Tiranës.
Shumë shqiptarë në Romë mendojnë se Vërlaci tashmë ka pasur gisht edhe në zhdukjen enigmatike të Profesor Kozmos në brigjet e Tiberit. Kozmo e kishte braktisur së fundmi “Bllokun” pas përplasjeve të mëdha që kishte pasur me Vërlacin. Pak para vdekjes së tij, atë e kishin marrë në telefon duke ia bërë të ditur vendimin: "Ju tashmë jeni një i dënuar me vdekje!"
AMBASADA “E KUQE” NË ROMË, ME 60 PUNONJËS
Nga rreth një mijë emigrantët shqiptarë rezidentë në Itali, gjysma e tyre janë të angazhuar politikisht. Ata agjitojnë kundër regjimit të demokracisë popullore të Tiranës. Nëse kjo mund të jetë me shumë përfitime për kreun e qeverisë italiane, kristian-demokratin De Gasperi, për tregtinë e sapovënë sërish në funksionim mes Tiranës dhe Romës, kjo ndërmarrje nuk i mund të jetë fort dashamirëse.
Këmbimi tregtar detar mes Barit dhe Durrësit është forcuar, linja ajrore mes Romës dhe Tiranës është rivendosur. Dhe madje, përfaqësia shqiptare në Romë numëron tashmë 60 punonjës. Emigrantët i shohin këto zhvillime me neveri.
DISLOKIM NË AFËRSI TË SHQËIPRISË
Nga fundi i qershorit besohet se 500 shqiptarët i dhanë shëndenë kampeve italiane të IRO-s. Thuhej se ata do të zhvendosen në Trieste dhe në Greqi. Dhe pastaj do të dislokohen në afërsi të zonave operacionale.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 13.02.2013
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)