“Dita pa makina”,Mazniku: Për jetë më sociale për të gjithë
Nënrkyetari i Bashkisë së Tiranës Arbian Mazniku teksa ka folur në sheshin “Skëndërbej” në "Ditën pa makina" tha se kjo ditë është për një jetë më sociale, ndërkohë që deri në kthimin e sheshit në një pedonale, çdo e dielë do të jetë e tillë. FOTO VIDEO
Qindra qytetarë i janë bashkuar gjate ditës së sotme një sërë aktivitetesh të organizuara nga Bashkia e Tiranës në pjesën sheshit “Skënderbej dhe atë të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke shijuar kështu mungesën e makinave dhe të trafikut, si lojërat dhe koncertet e ndryshme.
Pjesë e këtyre aktiviteteve u bë edhe nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbian Mazniku, i cili e cilësoi “Ditën pa makina” si një ndër traditat e reja që Bashkia kërkon të sjelle në qytet, por edhe si një prelud i faktit që së shpejti sheshi “Skënderbej” do të kthehet në një shesh tërësisht pedonal.
“Kjo është një pjesë e filozofisë së Bashkisë së Tiranës për t’u dhënë gjithnjë e më shumë hapësira qytetarëve, këmbësorëve, biçikletave, në mënyrë që qyteti të jetë i të gjithëve. Kur dikush është në makinë, në një mënyrë apo në një tjetër, ai është i ndarë nga të jetuarit së bashku, është në një hapësirë të vogël dhe zë hapësirën që u përket të gjithë qytetarëve. Filozofia e Bashkisë eshte që qyteti duhet të jetë i të gjithëve dhe në mënyrë që të përdoret sa më shumë nga të gjithë”, tha Mazniku. Ai shtoi se kjo është një filozofi, e cila po përqafohet në mënyrë të vazhdueshme nga shumë kryeqytete të Evropës, për t’u dhënë gjithnjë e më shumë hapësirë qytetarëve, biçikletave këmbësorëve dhe për ta bërë jetën pak më sociale, për të qëndruar më shumë pranë me njeri tjetrin.
Gjithashtu ai bëri të ditur se deri në momentin që do të fillojnë punimet në sheshin “Skënderbej” Bashkia e Tiranës ka vendosur që çdo ditë e diele të jetë pa makina për qendrën e qytetit përfshi sheshin “Skënderbej” dhe një pjesë e bulevardit. “Siç e shohim nga pjesëmarrja e njerëzve është një ndjesi e bukur që të kemi mundësi që qytetin ta shijojmë në këmbë, pa makina dhe është një mënyrë interesante dhe e re e të jetuarit së bashku”, shtoi nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbian Mazniku.