Në të njëjtën ditë, në të njëjtën orë, por në studio të ndryshme, Berisha e Rama do të përballen me njëri – tjetrin në distancë.
BERISHA
Kryeministri Sali Berisha njoftohet se do të jetë i ftuar në emisionin “Opinion” nga Blendi Fevziu, pikërisht më 22 mars, ditën e ardhjes së PD në pushtet, pas zgjedhjeve të para pluraliste në Shqipëri. Spoti televiziv lajmëron se, kryeministri Berisha do tu përgjigjet pyetjeve në retrospektivë për atë çka ndodhi në vitet e para të demokracisë por më pas do të ndalet tek dilema nëse ka arritur Shqipëria aty ku duhet dhe si po ecën zhvillimi demokratik i vendit.
RAMA
Po më 22 mars, kryesocialisti Rama do të flasë mes të tjerash edhe për qeverisjen e demokratëve. Por, këtë herë në studion e emisionit politik “Top Story” të gazetarit Sokol Balla. Rama do të flasë gjërësisht për vizitën e fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për takimet e mbajtura atje me zyrtarët e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit. Më tej Rama do të ndalet tek pikëpyetjet se ku po shkon opozita, sfidat e saja të ardhshme dhe pritshmëria për zgjedhjet parlamentare të vitit 2013.
(aq/shqiptarja.com)