TIRANË-Të shkosh tek estestistja të bëhesh e bukur dhe të përfundosh në spital me mjekime për djegie. Ngjarja ka ndodhur më 24 Dhjetor në Tiranë ndërsa e lënduara ka qenë një 29-vjeçare me inicialet E.D. Nën hetim ka përfunduar estetistja 58 vjeç, Lumnie G.

“Më datë 24.12.2016, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shtetasen L.G vjeç 58, banuese në Tiranë, me profesion estetiste për femra, pasi dyshohet se në sallonin estetik ka trajtuar fytyrën e klientes E.D vjeç 29, banuese në Tiranë, e cila më pas ka patur djegie e dëmtime në fytyrë. Neni 89 i Kodit Penal”, bën të ditur zyrtarisht Policia.

Mësohet se vajza i është drejtuar estetistes për pastrim fytyre, por pasi ka përfunduar trajtimin e bukurisë në fytyrë i janë shfaqur shenja djegie dhe plasaritje të mëdha. Ajo i është drejtuar menjëherë spitalit tek mjekët dermatologë e ata të plastikës ku ka marrë mjekim, por edhe pas përmirësimit nuk ia ka falur gjëmën estetistes. Edhe pse kjo e fundit ‘luftoi’ ta bindte që ta zgjidhnin bashkë mes tyre problemin e krijuar, 29-vjeçarja ka vendosur ta denonconte në polici.

Tashmë 58-vjeçarja është marrë nën hetim dhe materialet në ngarkim të saj i janë referuar Prokurorisë së Tiranës. 

(d.b/Shqiptarja.com)