TIRANE- Gjashtë ditë pas sherrit dhe fyerjeve të rënda mes kryeprokurorit Adriatik Llalla dhe Shkëlqim Hajdarit, ka ardhur dhe “hakmarrja” e Llallës. Kryeprokurori ka shkarkuar Shkëlqim Hajdarin nga posti i drejtuesit të prokurorisë së Apelit Tiranë.

Hajdari është zhveshur nga funksionet e drejtuesit, që prej ditës së djeshme duke u ulur në detyrë. Sipas vendimit që mori kryeprokurori Llalla, Shkëlqim Hajdari do vijojë të qëndrojë prokuror i thjeshtë pranë prokurorisë së Apelit Tiranë. Ndërkohë në krye të Apelit është vendosur prokurori Dritan Peka, ky i fundit më parë mbante postin e prokurorit të thjeshtë në këtë prokurori. Veç kësaj Dritan Peka është dhe një nga anëtarët e këshillit të Prokurorisë së Përgjithshme, ku përfaqëson prokurorët e Apelit në këtë këshill.