“Hamleti” në Shqipëri, për herë 
të parë në gjuhën e Shekspirit

“Hamleti” në Shqipëri, për herë <br />të parë në gjuhën e Shekspirit
TIRANE- Të shikosh dhe dëgjosh në skenë “Hamletin” në gjuhën që Shekspiri e ka shkruar, është një kërshëri e madhe për publikun shqiptar.
Skena e Teatrit Kombëtar do të ketë privilegjin të ngjisë sot në mbrëmje një shfaqje nga trupa e teatrit të njohur botëror “Shakespeare’s Globe”. Do të interpretohet “Hamleti”, vepër e Shekspirit, tragjedia e një princi danez, që e karakterizon pavendosmëria dhe hakmarrja.

Shekspiri është një nga autorët më të njohur e më të dashur në Shqipëri, krahasuar me maja të tjera të letërsisë botërore. Tragjeditë e tij janë përkthyer në gjuhën shqipe që në fillimet e shekullit të 20-të. Përpjekja më e hershme për përkthimin e Shekspirit në gjuhën shqipe është bërë në 1920-n nga Skënder Luarasi me “Jul Qezarin”, “Mbretin Lir”, “Rikardin e III”, “Tregtarin e Venedikut”. Që nga vitet ‘30 të shekullit të kaluar, kohë kur Fan Noli kreu përkthimin e katër tragjedive më të mëdha, “Hamleti”, “Makbethi”, “Jul Qezari” e “Otello”, përshtatjes në shqip të veprave të Shekspirit i janë kushtuar dhjetëra shqipërues, përkthyes profesionistë ose njohës të afirmuar të letrave.

Pra, Fan Noli, Skënder Luarasi, Vedat Kokona, Alqi Kristo, Pashko Gjeçi, Perikli Jorgoni, etj, etj, kanë populluar bibliotekat e shqiptarëve me vepra të Shekspirit si “Hamleti”, “Makbethi”, “Romeo dhe Zhuljeta”, “Otello”, “Mbreti Lir”, “Jul Qezari”, “Rikardi i III”, etj, etj. Këto janë veprat më të lexuara dhe të studiuara edhe në shkollat shqiptare.

I përgatitur me njohjen paraprake të veprës, sot në orën 20.00 të mbrëmjes  publiku shqiptar ka fatin që për herë të parë të shijojë “Hamletin” në gjuhën e Shekspirit. “To be or not to be” janë fjalët më të përsëritura në gjuhën angleze. Dhe ata që nuk e flasin këtë gjuhë e njohin vargun më të famshëm të Shekspirit: Të jesh, a të mos jesh.

 Shfaqja e “Hamletit” mundësohet me rastin e 450-vjetorit të lindjes së Shekspirit nga teatri Shakespeare’s Globe, i cili  po organizon një turne në të gjitha shtetet e botës. Trupa e teatrit “Shakespeare’s Globe” përfaqësohet denjësisht me këtë vepër, sepse The New York Times, e ka cilësuar këtë shfaqje si “Një prodhim efikas, i qartë, i prekshëm dhe mbi të gjitha shumë energjik”, ndërsa The Daily Telegraph  e ka vlerësuar figurën e Hamletit me argumentet të tilla: ”rinor, i palodhshëm dhe zemërhapur”.
 
Teatri “Shakespeare’s Globe”
Me pamje nga lumi “Thames” në Londër, Teatri “Shakespeare’s Globe” është sot një pjesë e gjallë e integruar me peizazhin teatral të Londrës, duke ofruar Shekspirin dhe shkrimet e tij të guximshme në formatin botëror nën menaxhimin e drejtorit artistik Dominic Dromgoole.

Në vitin 2012, si pjesë e Olimpiadës Kulturore që shoqëroi Lojërat Olimpike në Londër, Globe prezantoi festivalin teatral me titull “Globe to Globe” me një performancë te jashtëzakonshme. Tridhjetë e shtatë kompani nga tridhjetë e shtatë vende të ndryshme u mblodhën në Globe për të performuar tërë gamën e Shekspirit, në gjuhë të ndryshme që variojnë nga maori në mandarin dhe japonisht, në arabisht etj, në një periudhë kohore prej gjashtë javësh.

Producenti ekzekutiv i tij është Tom Bird, i cili organizoi “Globe to Globe” të vitit 2012, që aktualisht është duke orkestruar një turne fenomenal, maratonën e “Hamletit”, në bashkëpunim dhe një tjetër koleg si Bill Buckhurst. Kjo shfaqje do të performohet në çdo vend të botës duke nisura që nga 23 prilli i 2014-s deri më 23 prill të 2016-s.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 7 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike