“Hysen Nikolica” E para shkollë
foshnjore, sot e tjetërsuar në Tiranë

“Hysen Nikolica” E para shkollë<br />foshnjore, sot e tjetërsuar në Tiranë<br>
Një kalimtari të ngeshëm, që ecën në rrugën mbrapa ish Ministrisë së Mbrojtjes, e që tetëdhjetë vjet më parë quhej rruga “Gjeneral Telini”, do t’i bjerë menjëherë në sy, aty përbri Katedrales së re të kishës ortodokse, një ndërtesë tre-katshe, paksa në formën e germës L, e veshur me tulla ngjyrë uthulle që të kujtojnë stilin italian të ndërtesave të paraluftës dhe të harmonizuar pak a shumë me ansamblin e ministrive të kohës së mbretit Zog.

Në të nuk ka asgjë të shkruar për ta kuptuar se cilit institucion i përket, por një tabelë e vendosur në një kambalec tregon se aty punon Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Vetëm kaq! Vetëm kaq, që mohon një histori…Aty, në atë ndërtesë, në brendësinë e saj, është gllabëruar instiucioni i parë për edukimin e fëmijëve në Shqipëri, Shkolla foshnjore “Hysen Nikolica”.

Unë kam jetuar atje fëmijërinë time, atë kohë moskokëçarese, të bukur dhe të paharruar, kur përpara syve të çelet i bardhë mëngjesi i botës, me konturet e tejshëm që  shtyhen përditë në pafundësi... Kujtimi më detyron të lartësoj një ngjarje, ose një histori të stilit atdhetar dhe të kërkoj nga autoritetet zyrtare!

Çfarë ka përfaqësuar Shkolla foshnjore “Hysen Nikolica”?
Nuk do të mund ta trajtoja  këtë temë më mirë se sa e kanë trajtuar personazhet e jetuar të asaj kohe, prandaj e gjej të udhës që si fillim të ribotoj pa asnjë ndryshim dhe pa redaktime të gjuhës, disa shkrime  që mund të lexohen nëpër gazeta.

Gazeta “Drita” 15 dhjetor 1936
JETA PATRIOTIKE E HYSEN NIKOLICËS
Jeta e Hysen Nikolicës, që vdiq javën e kaluar këtu në Tiranë, meriton të njihet hollësisht dhe prandaj po e shohim të nevojshëshme të botojmë këto shënime biografike. Edhe gjesti fisnik e patriotik i zonjës Nikolica, që dhuroi shumën prej 20.000 f. a., kurorëzon me një çkëlqim të rrallë jetën e ndritur të të ndyerit.

Pra, Hysen Nikolica lindi në vitin 1878, vit i shënuar për historin’ e rilindjes kombëtare me themelimin e ligës së Prizrendit.

Vënd i lindjes është katundi Nikolicë, në malësi të Kolonjës, (tani e kap komuneja e Dardhës së Korçës). Nikolica ka qënë dikur, në kohë shumë të lashta, një katund i madh: prej këtej kanë ikur në kohë të lashta banorët shqiptarë që përbëjnë katundin e famshëm “Belkamen”, i cili ndodhet në Greqi.

Familja e Hysenit ka pasuri të konsiderueshme ne Nikolicë, e sidomos në Prespë (Jugosllavi).

Vegjëlin’ e tij e shkoj më shumë tek daja i vet: Sali Butka. Prej këtij veterani mori mësimet e para t’abecesë dhe, bashkë me te, ndjenjën e flaktë t’atdhe-dashurisë. Shtëpia e Saliut që ndodhej në lidhje të ngushtë dhe në bashkëpunim me të famëshmin mësuës të shqipes – Petro Luarasin – ka qënë një shkoll’ e vërtetë për rrethin e Kolonjës që nga viti 1885 e gjer më 1908.

Mësimet që mori këtu Hyseni i shtoj e i përhapi më pastaj në burgun e Manastirit, ku ra mbas si mori hakën  e t’et, që i a kish lidhur pas bishtit të kalit një oficer kalorës i qeverisë tyrke.

Para se të jepej lirija e vitit 1908 e syrgjynosnë Hysenin me disa shokë të burgut që u mësonin të burgosurve gjuhën shqipe. E shpunë në Pias-Kalá të Adanës! E atje nuk u liruan të burgosurit, si ç’u lëshuan gjetkë me rasin e Hyrrietit. Prandaj të burgosurit e Adanës bënë kryengritje të përgjakëshme. Një nga te pakët që iknë nga burgu ish dhe Hyseni, i cili erdhi në Atdhé rreth vitit 1910.

Kur ndodhej n’Adanë kishte marë nga Sali Butka një letër me vjershë, pre së cilës nxjerrim këto rradhe:

O shpirt’ i ndarë përgjysmë

   Nëpër shpirtra t’njerëzisë!

Qysh duruam e u ngrysmë,

Kur erdhi dit’ e lirisë?...”

Mori pjesë në lëvizjet kombëtare të viteve 1910, 1911 e 1912. Lufton kundra grekëve më 1912-1913 si krah  i djatht’ i Sali Butkës. Si ra Janina, iku në Vlorë. Këtu u vu në dispozicjon si vullnetar, sa herë q’e desh nevoja  e Qeveris provizore kundra grekut ose kundra ushtëris së Xhavid Pashës n’anë të Vjosës.

Më 1913 u-bë Nën’ komiser i policisë në Berat.

Më 1914 ish disa kohë nën Komiser në pallatin e P. Ëiedit; pastaj shkoj si Komiser në Korçë, po u kthye prapë në Durrës. Si ra Durrësi, mbeti ca kohë në Bari. Pastaj dolli në Shkodër. Kur ra Shkodra, iku me Çerçiz Topullin dhe, kur ky u vra, Hyseni ra në duar të Esad Pashës, i cili e burgosi (1915-1916).

Më 1917 u bashkua me Sali Butkën, i cili organizoj e komandoj bataljone milicësh shqipëtarë me anën e Austrisë për të marrë Korçën, q’e kishte greku dhe frëngu (ushtrija francëze).

Këtu fillon një aktivitet aqë dipllomatik, sa edhe luftarak: Çetat e Sali Butkës, krahu i djatht’ i të cilit ishte Hysen Lepenica, e rrethuan Korçën. Po Themistokli Gërmenji q’ish nga an’ e Bullgarëve dhe e Gjermanëve dhe kish bërë planin bashkë me Sali Butkën për hyrjen në Korçë, u muar vesh me francezët tinëzisht dhe hyri një ditë më parë se të bëhej msyjtja.

Themistokliu ndërmjetësoj pastaj pranë Komandantit t’ushtrisë frënge e për Sali Butkën me Hysen Nikolicën, të cilët kishin më shumë se 700 burra të zgjedhur. Kështu, Saliu u dergoj francezëve një leter dhe thosh se jo vetëm do të mos i goditte, po edhe do të hidhej nga an’ e tyre, me gjithë çetat që komandonte, po të ish se komanda frënge dëbonte nga Korça qeverinë greke dhe e zëvëndësonte këtë me një qeveri shqiptare. Nga ana tjetër Hysen Nikolica i la të lirë automobilët francezë të komunikojnë me Italianët që ishin në Kolonjë.

Kjo gjë dhe prova të tjera i bënë të binden komandantët francezë, që fjalët e Themistokliut dhe premtimi me letër nga an’e Sali Butkës, ishin të sinqerta. Prandaj me lejën e Gjeneral Sarait, dëbuan fuqitë greke, ngritnë flamurin e Shqipërisë dhe formuan një qeveri shqipëtare, si ç’e kish kërkuar Saliu me letrën e famëshme nga Teqe e Melçanit! (Shih librën e general Descoin-it, që, më në fund, shton: “Më vonë mësova, se Sali Butka u paska bërë po këto premtime edhe Italianëve…)

Hyseni zuri të gjallë një farë kapedan Spiro nga Përmeti, bashkë me  52 shokë, të cilët, me kapedanin në fjalë, mbaheshin prej Italisë dhe deshnë të pushtonin vëndin e Hysenit (katundin Qafë, Skrapar). Me gjithë këtë, Hyseni i liroj që të gjithë dhe nuk u a dorëzoj Austriakëve në Berat.

Në Kongresin e Lushnjës mori pjesë si delegat i Skraparit. (Këtu mund të flasë Z. Eshref Frashëri për shërbimet q’i pruri Kongresit Hyseni me dajin e tij, të cilët, përveç famës si luftarë, kishin prurë me vete dhe një fuqi të vogël…)

Nga viti 1920-1924 ishte Toger n’ushtrinë Kombëtare dhe nuk u përzje në politikë.

Që nga fund i vitit 1924 e këtej rrojti si privat.

CILËSIT’ E TIJA SHPIRTNORE
Trup’ i bukur stolisej së brëndëshmi nga një tok virtyte të rralla: is i mënçëm, i shkathët, serioz, trim, besnik, i ndershëm, i qëndruar në fjalë, i kujdesshëm për punë, studios, ekonomiqar e bile pak’i shtrenguar. Ecte dhe fliste plot dignitet: nuk ishte aspakë fodull, donte thjeshtësinë dhe masën. Ushtarët i ka dashur fort, kur ishte oficer.

Kish dëshirë të sakrifikonte shumë për këtë vënd: “Mos vdeksha nga sëmundja, po për Atdhenë!” ishin fjalët e tija. Dhe një dhuratë në të holla e kish ndër mënd. Këtë dëshirë i a plotësoi e shoqja duke dhuruar, siç thamë, 20.000 fr. ari.

Po me 15 dhjetor 1936, mund të lexojmë edhe një shkrim tjetër në gazetën “Drita”:

Ministri i Arësimit thekson veprën mirëbërëse të Zonjës Zyhra Nikolica

Letra që i drejtoi Kryetarit të Bashkisë
Ministri i Arësimit zoti Faik Shatku i drejtoi një letër falëndërimi kryetarit të Bashkisë z-it ing. Qemal Butka, si përgjigje të letrës që z. Butka i pat dërguar z-it Ministër për t’i bërë të njohur dhuratën e çëmueshme prej fr. ari 20.000 të Zonjës Zyhra Nikolica, për kujtim të burrit të saj, të ndjerit Hysen Nikolica, shumë e cila do të përdoret për t’u ngrehur një ndërtesë shkollore për foshnja.

Ministri i arësimit z. Shatku n’atë letër, midis të tjerave thotë:

“Po shpejtoj z.Kryetar, të ju them se gjesti bujar i së ndershmes Zonjës Zyhra Nikolica më ka prekur thellesisht dhe ka ngjallur në shpirtin t’em një respekt e një admirim të pakufishëm për këtë grua fisnike shqiptare që, spontaneisht, e në mes të pikëllimit për humbjen e pa reparuëshme të shokut të saj të vlefshëm e të denjë, heth syrin bamirës mbi edukimin e filizave të njoma të kombit, në të cilat Atdheu ka varun gjithë shpresat për ardhëmenin e vet”.

Vazhdimisht në këtë letër z. ministër i Arësimit shfaq kënaqësinë për mirëbërësitë arsimore e kulturale që janë konstatuar në këto  vitet e fundit prej personash me ndjenja të larta njerëzore si Zonja Zyhra Nikolica, e cila hyn në radhën e mirëbërësve zemër-mëdhej t’arsimit shqiptar dhe jep një shëmbëll të bukur dhe të ndritshëm për gjithë ata që duhet t’i shërbejnë Atdheut me vepra e me sakrifica.

Letra përfundon: “Me këtë rast, z. Kryetar, ju lutem t’i shfaqni së ndershmes bamirëse Zonjës Zyhra Nikolica kënaqësinë t’eme ma të  madhe për veprën që ësht tue u krye, si dhe adhurimin e respektin e thellë që ndjej përkundrejt personës bujare të saj”.

Aktiviteti për realizimin e amanetit filloi menjëherë me përgatitjen e projekteve të ndërtimit. Me këtë  u mor arkitekti Qemal Butka. Shkolla do të plotësonte të gjitha kërkesat më të mira të kohës për mjediset e arsimimit parashkollor. Vetëm ata që e kanë ndjekur atë shkollë mund ta kujtojnë me nostalgji se sa e mirëorganizuar që ishte.

Mbas një viti e ca, projektet ishin gati. Dhe puna filloi. Si çdo fillim i shënuar, edhe ky u shoqërua me një ceremoni zyrtare.

Kjo përshkruhet në gazetën “Drita”, të datës  20.VIII.1937

Ceremonija e hedhjes së themeleve të foshnjores “Hyesn Nikolica”/ Fjalimi prekës i Ministrit t’arësimit Shk. T. Z. Faik Shatku
Dje paradreke, në sheshin midis Parlamentit dhe fushës sportive të Shallvares, u zhvillua, në prani të Shk. T. ministrit t’Arësimit z. Faik Shatku, të prefektit z. Qamil Pepa, shumë të ftuarve, dhe përafqësuësve të shtypit kombëtar, ceremonia e hedhjes së gurit të parë të foshnjores “Hysen Nikolica”. Ndodhej present edhe përfaqësuësi i mirëbërëses Zonjës Nikolica, z. ing. Qemal Butka, i cili ësht edhe projektuës i planit të ndertesës.

Përpara nisjes së ceremonisë ministri energjik i Arësimit kombëtar Shk. T. z. Faik Shatku shëtit nëpër themelet e hapura të ndertesës dhe me interesim të veçantë kërkon shpiegime mbi ngrehjen e shkollës.

Pakë pas orës 9, personalitetet dhe të ftuarit i afrohen pjesës qëndrore të thëmeleve. Midis këtij grumbulli, ministri i Arësimit, në fyryrën e të cilit shprehet gëzimi, pse arësimi pasurohet me nje ndërtesë moderne, dhe njëkohësisht edhe mallëngjimi për gjestin fisnik dhe mirëbërës së Zonjës Nikolica, e hap ceremoninë me një fjalim plotë kuptim dhe prekës.

Flet ministri i Arësimit
“Z. Përfaqësues i bamirëses Zonjës Nikolica,

“Në këtë rast ndjej në shpirtin t’im një kënaqësi dhe një gëzim të pakufizuem që m’u dha rasti, për herën e parë si ministër i arësimit, me dorën t’eme, të hedh gurin e themelit të ndërtesës së shkollës foshnjore, që po realizohet si efekt i nisjativës së shkëlqyeshme, i zemërbardhësisë dhe ndjenjave të larta bamirëse te Zonjës së patriotit të çmueshëm, Hysen Nikolica. Vepra e saj tregon se i ndjeri Nikolica nuk u mjafue vetëm me lulëzue jetën e tij në fushën patriotike, por paska dijtun që sentimentet patriotike t’ia lerë trashëgim edhe Bashkëshortes së vet.

“Në këtë ndërtesë kanë me u edukue filisat e njomë të brezit të ri, të cilët kanë me u përgatit qysh në vitet e para të fëminisë së tyre për të qenë të vlefshëm për Atdhe, për realizimin e idealeve të pastra patriotike dhe për lartësimin e kulturës në mënyrën që na predikon rast pas rasti Mbreti i ynë i Madh, ZOG i I-rë.

“Kjo vepër bamirëse e Zonjës Nikolica pa dyshim ka me qenë  dhe duhet të pasohet prej veprash bamirëse kësodore edhe prej atyne që janë në gjendje shumë mâ të mirë nga Zonja bamirëse Nikolica, kështu që të kontribuohet në shumëzimin e shkollave.

 “Lutemi, pra, z. Përaqësues të kini mirësinë me ia transmetue përgëzimet e mija Zonjës Nikolica me këtë rast që po frytëzohet dëshira e saj.”

Fjalimi i z.-it ministrit u mbulua me duartrikotje dhe brohoritje për Mbret, Atdhe dhe për Arësimin kombëtar.

Ministri vë gurin e themelit

Menjëherë punëtorët sjellin dashin që u ther brënda në themelet, si pas zakonit, dhe ministri z. Shatku i emocionuar hedh me mistrinë sasinë e parë të betonit në pjesën qëndrore të themeleve. Të ftuarit urojnë dhe passi u servirnë në një buffet të thjeshtë cveremonia mori fund.

Ndërtesa do të ngrihet sipas një plani që do t’i përgjigjet gjithë nevojave të sistemit “Montessori”. Siç dihet shpenzimet e ndërtesës do të mbulohen me dhuratën prej 20.000 fr. ari që Zonja Nikolica i destinoi për këtë qëllim për kujtim të burrit të vet.

Inaguriumi
Jashtë gjuhës së sotme shqipe, të pastruar nga fjalët e huazuara nga gjuhët e huaja, po përdor termin “inagurim”, që i përshtatet kohës së largët të atyre ngjarjeve. Inagurimi i Shkollës foshnjore “Hysen Nikolica” u bë me 6 janar 1939.

Kujtime…
Unë kam qenë në atë shkollë, apo kopësht siç e quajm ne sot, deri në gusht të vitit 1949. Asnjëherë, nuk e kam ditur se përse quhej Hysen Nikolica. Asnjëherë, askush nuk më kishte treguar për jetën e tij dhe gjestin human prej një bamirësi. As në kopësht. Dhe vetëm pak kohë më parë, kur rashë në gazeta mësova të vërtetën e emrit enigmatik për ne ish “nxënësit” e asaj shkolle. Përse vallë kjo heshtje nihiliste?

….Në shkollë ishin tre grupe me fëmijë. Seicili grup kishte klasën e vet dhe edukatoren e vet. Drejtoreshë e shkollës ishte Leni. Nuk më kujtohet qartë pamja dhe as emri i edukatores të grupit, por ajo më mbante mend edhe pesëdhjetë vjet më vonë…

Në klasa zhvillohej edhe mësimi dhe po aty hanim edhe drekën. Mësimet ishin të ndryshme dhe me drejtim praktik. Psh bënim vizatim. Mua më vinte dore për vizatim dhe mbaj mend se vizatimet e mija, si të të gjithë fëmijëve, vaporr dhe shtëpi me oxhak me tym dhe oborr me pemë, paraqiteshin edhe në ekspozitat që bëheshin në Tiranë me vizatimet nxënësve parashkollorë. Nuk më ka mbetur asnjë, i grisa njëhërë në inat e sipër… Veç vizatimit bënim edhe formimin e enëve të guzhinës, si pjata dhe gota, me letra te vogla , të lagura dhe të ngjitura me brumë. Thurnim edhe hasra.

Kënga kishte orën e vet…Me kujtohet që këndonim:

“Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,

Buçet  klithma per liri,

Ja do mbetet Vlora jonë,

Ja do bëhet shkrumb e hi…”

Në atë kohë kishte shumë më tepër patriotizëm se sa sot.

Ose me kujtohet edhe nje kenge tjeter, ruse:

“Ja tajga se largu po duket,

Dhe ujët i pastër ndriçon,

Dhe pemët lëkunden dhe tunden…”

A ishin vërtet kështu fjalët?

Disa vjet më parë e kam dëgjaur në Durreës me një ndjenje nostalgjie dhe mallëngjimi në një  dyqan që shiste disqe me muzikë. Por nuk e bleva, kishte dëmtim…Do të dëshëroja ta dëgjoja përsëri dhe përsëri për t’u larguar butë në ato vite të largëta, aq  të largëta, por të paharruara…

Por ishte edhe një  tjetër gjeorgjiane, që e  këndonim shpesh. Ndoshta fjalët janë të ngatarruara:

“Ndër kaq vuajtje shpirti m’u dogj,

Trandafilin, gonxhet i shoh,

T’i zbërthej petalet shpejt sa zemra-o,

Thuaj vallë mos je ti Suliko…”

Më vonë mësova se këtë këngë e pëlqente shumë Stalini…

Kam përshtypjen se ngjarjet në moshën e fëmijërisë nuk kanë rend kronollogjik, ato vijnë të ngatarruara në kohë, janë si të stampuara në një pllakat, pa rend, ku vetëm imazhi i stampuar është përfaqësuesi besnik i brendisë.

…Ishin vite të vështira, jo shumë kohë mbas luftës. UNRRA sillte ndihma. Ato shpërndaheshin edhe tek ne. Çdo mëngjes na rreshtonin në oborr dhe na ipnin të pinim një lugë me vaj peshku. Bo-bo, sa e vështirë që ishte! Po nuk kishim se çfarë t’i bënim disiplinës të imponuar nga edukatoret. Gojën e “ndreqnim” me lëkura portokalli. Për në shtëpi merrnim me vete copa të trasha çokollate, aq të forta, sa që mund të ndaheshin vetëm  me sopatë…

Në drekë kishim një orë tepër të  pakëndshmë, atë  të gjumit. A ka fëmijë që  të lënë lojrat për krevatin pa kuptim? Salla e madhe ishte e mbushur me krevatë metalikë me rrjetë teli. Në një kënd të saj rrinte drejtoresha, Leni dhe ndonjë edukatore tjetër. Kishim përshtypjen se ruanin ata që nuk donin të flinin. Sapo ngrinim pak kokë për të parë njëri-tjetrin, kur vinte menjëherë Leni dhe na shtrinte…Fëmijë!

A e keni provuar ndonjëherë të rikujtoni ngjyrat në vitet e fëmijërisë? Mua më duken bardhe e zi, si filmat e dikurshëm…

Ka shumë ngjarje që më kanë bërë përshtypje dhe që i mbaj mend mirë.

Një herë na rreshtuan në oborr, në atë pjesën e sipërme ku kishte lule dhe ku ne nuk na linin të shkonim, sepse do të vinte një delegacion jugosllav. Të vegjël, të vegjël, por politikën ama e dinim. Ishim të veshur me ato grykset e bardha, rrinim në rresht dhe prisnim. Dhe ja, erdhi delegacioni. Ishin tre burra të gjatë dhe ne filluam te brohorisnim dhe thërrisnim Enver-Stalin-Tito, Enver-Stalin-Tito…

Por nuk kaloi shumë kohë dhe një shok i ngushtë, Saimir Hoshi, i biri i skulptores Kristina Hoshi, më pyti: “ A e ke marrë vesh se ka tradhtuar Titua?” Unë nuk kisha marrë vesh gjë, por me mëndjemadhësinë e fëmijës, i thashë: “Po, e di!”

Nuk e di pse më vinte turp kur na nxirrnin në rrugë për të shkuar diku dhe të ecja në rresht. Si më i gjatë më linin andej nga fundi. Unë dilja nga rreshti, por vinte menjëherë edukatorja dhe…prapë në rresht! Shkonim herë-herë edhe për vizitë në ndonjë kopësht tjetër, psh në rrugën e vjetër të Durrësit, aty përballë ish pastrimit kimik, një ndërtesë prej qerpiçi, rrangullinë. Por ama e bënim menjëherë krahasimin me shkollën tonë, që ishte shumë e mirë…

Një nga veprimtaritë më të këndshme ishte pikniku tek kisha e Shën Prokopit. Në atë kohë kodra ishte fare e çveshur dhe që nga lart shihej edhe bulevardi. Gjëja më e pritur ishte kur vinte ushqimi. Ëëëë? Edhe fëmijtë si ushtarët, apo ushatrët si fëmijtë! Ushqimin e sillnin disa edukatore, që mbanin nga të dyja anët, enët e mëdha, apo kazanët. Dhe ne, si me komandë, rreshtoheshim dhe fillonim të bërtisnim: Erdhi gjella, erdhi gjella! Pastaj uleshim këmbëkryq në trotuarin e kishës. Na vinin përpara letra të bardha në vend të pjatave dhe aty ndanin ushqimin, pilaf, mish pule, patate të skuquara dhe ndonje gjë tjeter, përgjithësisht ushqime të thata…

Përpara shkollës ishte një fushë e madhe për syrin tonë, baltë dhe guriçka dhe disa shkurre, që shkonte deri tej, shumë larg për syrin e fëmijës. Aty vinte Lymi me trastën e mbushur me hekura të vjetër të mbledhura nëpër rrugë. Dhe ne bërtisnim: Lymi, Lymi, Lymi dhe ndonjëherë i gjuanim edhe me gurë. Pastaj aty filloi të punohej tek kinema “Brigada”. Punonin robërit gjeramanë të luftës. Nuk kishte rrethim. Robërit i ruanin nja dy ushtarë me pushkë…Nuk më kujtohej se cfarë bënin, por vetëm se punonin…

Në atë kohë Parku “Rinia” nuk ekzistonte. Aty ishte një fushë që shkonte deri tek Lana, në të cilën dalloheshin gropa të mëdha dhe të thella, të mbetura nga shtrati i vjetër i lumit, i devijuar nga italianët. Aty hidheshin plehrat e qytetit, ndoshta per t’i mbushur.…Rruga që kalonte përbri  e që dilte në bulevard, ishte e pa asfaltuar. Kam edhe nje kujtim që lidhet me të. Ja se si.

Në kopësht tek ne sollën edhe djalin e madh të Mehmet Shehut, Vladimirin, apo Ladin. Kalamaj, por e dinim mirë emrin e Mehmet Shehut, si të një njeriu të madh. Edukatoret pëshpërisnin me njëra tjetrën dhe tregonin shumë kujdes për të. Ne, më të mëdhejtë, kishim qef ta merrnim prej dore aty brenda oborrit të shkollës dhe ta shëtisnim. Njëherë e kisha unë. Por më iku nga dora dhe u ngjit në parmakët e kopshtit, parmakë prej druri, me listela të mbërthyera në formë rombi.

Nga rruga që sot quhet “Ibrahim Rugova” erdhi një kamion dhe mori kthesën për tek rruga që del në bulevard. Por shoferi nuk e mbajti dot drejtimin dhe erdhi dhe u përplas tek gardhi, pikërisht aty ku ishte djali i Mehmet Shehut. Ai ra në kurriz. Erdhën të alarmuara edukatoret dhe filluan t’i ulërinin shoferit. Shoferi ishte i dehur. Filloi edhe ai të ulërinte se pse i linin fëmijët tek gardhi. Unë kisha hallin tim se mos të më thonin se pse e le djalin të të ikte nga dora!  Shoferi po bëhej gjithnjë e më tepër trim dhe të bërtiste si të dehurit. 

“Po a di more se ky është djali i Mehmet Shehut”? Si i doli përnjëherë pija shoferit! I ri ishte, por i iku menjëherë e gjithë gjallëria, u pre në fytyrë dhe mbeti i ngrirë, si i hipnotizuar…Edhe tani, mbas gati shtatëdhjetë vjetëve e kam parasysh fizionominë e tij…Erdhi me motoçkletë një polic i kontrollit rrugor…Por Ladi nuk kishte pësuar asgjë…

Më poshtë Parkut “Rinia” ishte fusha e Shallvares, e rrethuar me rrjetë teli. Që nga obnorri i shkollës ne shikonim atletët që vraponin, ose të luhej futboll.

Ama mezi prisnim sa të vinte ora katër e mbasdites e të na merrnin prindërit në shtëpi. Me mua ishte edhe vllai. Ne na merrte baba. Por për të shkuar , shpesh herë shkonim vetë…

Në shkollë  erdhi dhe u bashkua me ne edhe  Eno Koço, po, po, dirigjenti i sotëm. E mbaj mënd fare mirë fizionominë e tij, e njëjta si edhe sot. Rrinte si i tulatur. Atij sapo i kishte vdekur e ëma, Tefta Tashko Koço. Pesë vjeç isha, por e dija se kishte vdekur këngëtarja e madhe. Këngët e saj i dëgjonim shpesh në radio. Ne kishim radio në shtëpi dhe të kishe radio në shtëpi në ato vite ishte një gjë e madhe. Baba i shoqëronte duke kënduar edhe vetë. Një ditë i tha mamës se kishte vdekur Tefta Tashko Koço…Edhe unë e kam marrë prej dore Enon, duke e shëtitur nëpër rrugicat e ngushta të shkollës. Ndoshta kjo ishte shprehja fëmijnore e dhëmbshurisë për të…E dinim se i kishte vdekur e ëma, por nuk i thonim gjë, megjithëse askush nuk na kishte porositur…I a kam treguar tani vonë Enos, por ai nuk mbante mend shumë gjëra nga ajo shkollë…

Por ishte edhe Vironi, Viron Noti. Edhe atij i kishte vdekur babai. E mbaj mend, ndonëse isha vetëm katër vjeç. Ai thonte se e kishte marrë shume malli per babin dhe pyeste se kur do te vinte. Nje ditë pa një aeroplan.  “Kushedi, -tha,- ndoshta vjen babi”!

Po shokë të tjerë? Murat Toptani, nuk është më…Ka qenë edhe Nikolla Kota, edhe ky nuk është më…Ishte edhe një vajzë, Vjollca e quanin, bjonde me flokët kaçurela… Nuk i a mbaj mend mbiemrin… Ajo donte të sillej si çun. Ku është vallë? Po të tjerët?

Dyshemetë e shkollës ishin të shtruara me pllaka të bardha dhe rrypa të kuq, që  formonin  një mozaik. Koridoret kishinin një akustikë të përsosur. Ne përplasnim këmbët dhe dëgjonim jehonën..Sa na pelqente…

…Disa vite më vonë shkolles i u hoq emri “Hysen Nikolica” dhe u quajt Kopshti Nr 1. Pseeeee? Pseeeee?

Pastaj e mori ushtria. Aty u vendosën rojet e Ministrisë së mbrojtjes. Në koridore tashmë nuk përhapej më jehona tunduese e këmbëve të fëmijëve… Salla e gjumit u nda në dhoma të vogla, u bë edhe një shtesë, u deformua, pastaj e mbuluan ndërtimet e reja…

Këto vitet e fundit u bënë ndërtime të tjera, duke e lartësuar dhe ndryshuar përfundimisht pamjen e parë. Do të duhej të ishte një monument kulture, një monument i arsimit parashkollor, i pari në Shqipëri, do të duhej të ishte përsëri kopësht, në destinacionin fillestar, do të duhej të ruhej dhe të nderohej vepra bamirëse e një njeriu që nuk u kritikua kurrë! Do të duhej të ishte një shembull, një model patriotizmi dhe bamirësie, një nxitje për të tjerë dhe jo të zhdukej!

Sot ajo ndërtesë nuk është gjë tjetër veçse një sarkofag i madh që mban të mbyllur në brendësinë e saj hapin e parë historik të edukimit të foshnjave  shqiptare. Ishte një budallallik që u bë. Ky kujtim u shkel nga këpucet me gozhda të ushtareve, u gerevish, kur duhej të ruhej me kujdesin e një luleje.

Sot aty punon Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ndoshta aty askush nuk e di historinë fatkeqe të ndërtesës historike…Ndoshta as nuk duan ta dinë!

Në vitin 2000 Bashkia e Tiranës i dha  Hysen Nikolicës pas vdekjes titullin “Mirnjohje e qytetit”. Po a është vërtet mirënjohës një qytet, që jo vetëm e tjetërsoi dhe e maskoi veprën e bamirësisë, por nuk vensdos as edhe një tabelë përkujtimore?

Zoti Erion Veliaj, Kryetar i Bashkisë së Tiranës! Ju nuk keni asnjë përgjegjësi për atë se çfarë është bërë me Shkollën foshnjore “Hysen Nikolica”! Por si drejtues i qytetit ju bie Juve për detyrë të rivendosni në vend nderin e nëpërkëmbur nga mediokriteti! Nuk duhet harruar një gjest bamirësie me nuanca patriotike, do të jetë shembull për të gjithë, në mos, së paku, nderim! Vendoseni aty një pllakë përkujtimore! Nuk duhet humbur historia e qytetit! Nuk kushton asgjë! Do të keni miratimin e të gjithëve! Dhe në ditën e përurimit do ta ndjeni të shtrënguar me mirënjohje qytetare dorën me të cilën do të firmosni vendimin!

[gallery]24756[/gallery]

dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

112-vjetori i Pavarësisë/ Basha: Urime datën më të rëndësishme të identitetit tonë kombëtar! Nderim atyre që luftuan për liri dhe bashkim

112-vjetori i Pavarësisë/ Basha: Urime datën më të rëndësishme të identitetit tonë kombëtar! Nderim atyre që luftuan për liri dhe bashkim