“I uroj pension të mbarë”, Mimoza
Hafizi: Ben Blushi nuk ka burrni

“I uroj pension të mbarë”, Mimoza<br />Hafizi: Ben Blushi nuk ka burrni<br>

Një vit më parë, Mimoza Hafizi dhe Ben Blushi, ish-deputetë të Partisë Socialiste, zyrtarizuan themelimin e një  partie të re politike ‘Lista e Barabartë’ (LIBRA).  Por kjo forcë, siç u pa edhe në zgjedhjet e 25 Qershorit, nuk ia doli të marrë asnjë mandat në parlament dhe tashmë dy themeluesit e saj, Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi, duket se i kanë dhënë lamtumirën njëri-tjetrit, me anë të një komunikimi të ashpër nëpërmjet mesazheve me email.

Disa e-maile të zbardhura tregojnë mesazhin që Blushi i ka dërguar Hafizit ku e quan “hileqare” dhe i uron pleqëri të mbarë, dhe shkak mësohet të ketë qenë propozimi që ka bërë Hafizi në statut.

Në një intervistë për DITA, themeluesja e LIBRA-s, Mimoza Hafizi rrëfen përplasjen me Blushin, ndërsa  thekson se ajo që i ka ndodhur te Libra dhe me Kryetarin e saj, del jashtë kodeve të burrnisë shqiptare.

Hafizi tregon intrigat që pasuan zgjedhjet e 25 qershorit, gabimin e Blushit, të ardhmen e saj dhe i jep një përgjigje zërave që flasin për një rikthim të mundshëm tek PS.

-Zonja Hafizi, 2017 ka qenë një vit dinamik për ju, me shumë zhvillime, punë, angazhime, fushatë… me çfarë jeni duke u marr aktualisht?

Sapo mbarova mandatin e deputetes, në shtator iu ktheva punës me kohë të plotë si profesore e fizikës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës. Shumicën e kohës ndodhem në auditor, me studentët e fizikës, si dhe me grupet e mia shkencore të astrofizikës. Kam qenë mjaft e angazhuar me të rejat që sollën këto muaj në shkencë, sidomos detektimi epokal i Valëve Gravitacionale. Po përpiqem të orientoj edhe grupin tim shkencor në këtë projekt.

– Ju u shkëputët nga Partia Socialiste dhe krijuat një projekt politik me z. Ben Blushi. Ishte e nevojshme në atë kohë?

Shkëputja nga Partia Socialiste erdhi si pasojë e problemeve të rënda të funksionimit të brendshëm, mosrespektimit të normave të bashkëjetesës, por kryesisht të devijimit nga programi i saj dhe qeverisjes së keqe, ku kjo parti kishte mazhorancën. Kanabizimi i vendit, importi i plehrave, koncesionet e paprincipta, goditja e arsimit publik, mbrojtja e trafikantëve dhe e interesave të oligarkisë nuk linin më asnjë vend për praninë dhe angazhimin tim në këtë politikë. Ajo çfarë po ndodh sot e përditë vetëm na jep të drejtë në aktin tonë të shkëputjes nga kjo parti. Unë mendoj se një projekt si LIBRA ishte dhe është shumë i nevojshëm në kontekstin politik shqiptar. Përgjatë pothuaj një viti, ne të dy, dhe kryesisht z. Blushi, kemi qenë opozita e vetme dhe e  vërtetë në parlament.

-Prova juaj në zgjedhjet e 25 qershorit, nuk rezultoi e suksesshme. Çfarë mendoni se ndikoi në këtë rezultat?

Besoj se faktori kryesor ishte presioni i madh elektoral i partive të pasura dhe të fuqishme, që operojnë me metoda të cilat ne i kishim ndaluar në parim. Mungesa e përvojës dhe probleme tona të brendshme gjithashtu kanë ndikuar pjesërisht.

-U duk një parti e re, me shumë energji, e cila synonte të mblidhte pas vetes, elektoratin gri, të pakënaqur nga të dyja palët. Pse nuk u afrua kjo kategori me ju?

Besoj se votuesit tanë erdhën kryesisht nga shtresa e mesme. Kjo shtresë u afrua, por është ende e pakët në vendin tonë. Gjithashtu, koha që patëm në dispozicion nuk ishte e mjaftueshme që njerëzit të krijonin besimin e duhur.

-Ku mendoni se gabuat?

Mendoj se gabimi ynë më i madh qëndron tek mungesa e koherencës brenda partisë. Pati shumë përpjekje për të destabilizuar dhe për të zhvendosur vëmendjen nga beteja elektorale, tek lufta ndaj njëri-tjetrit. Intrigat, thashethemet, shpifjet e nxitura nga disa pak njerëz të dëmshëm dhe të pashqitshëm, e kthyen Libra-n hera-herës në një mjedis të pajetueshëm. Mendoj se kjo situatë na ka kushtuar të paktën një vend në parlament.

-Pas zgjedhjeve, në LIBRA pati një heshtje totale… Pse?

Po të shihni me vëmendje, edhe pas zgjedhjeve unë nga ana ime kam patur disa prononcime dhe kam qenë e pranishme në media. Më pas, acarimi i marrëdhënieve me kryetarin dhe mbyllja totale e komunikimit me të, e stepi aksionin. Ai asnjëherë nuk e ka shpjeguar dhe nuk ka qenë transparent për këtë situatë që krijoi, megjithë insistimet e shumë prej njerëzve më aktivë që kemi rreth e rrotull. Në një parti të re dhe të hutuar nga humbja, izolimi i kryetarit mund të kthehet në një faktor izolimi të partisë. I duhet drejtuar kjo pyetje z. Blushi.

-Ndërsa, vetëm pak ditë më parë, si një rrufe në qiell të hapur në media doli një përplasje e fort mes jush dhe z. Blushi, dy figura kryesore të Libra-s. Çfarë ndodhi?

E kam shpjeguar në prononcimin tim të djeshëm. Vjen nga mospajtimi për rregullat etike të funksionimit të partisë, të përplasjeve për parimet politike dhe demokratike, sidomos pas 25 Qershorit.

-Cilat ishin propozimet tuaja që nervozuan, z. Blushi?

Arsyet janë ato të mësipërmet. Por, propozimet që e bënë të sillej ashtu siç e patë publikisht ishin dy. Së pari, që kandidatët për Bërthamë të mund të vetëpropozohen, pasi kanë marrë mbështetjen e mbi 10 anëtarëve Libra, nga të cilët 5 të kenë qenë kandidatë për deputetë. Ai kërkonte që të kishte ekskluzivitetin e propozimit për kandidatët. Njëlloj siç ndodh te Rilindja dhe partitë e tjera të vjetra. Së dyti, lidhur me procedurat për caktimin e listave të përfaqësimit politik Libra, unë propozova të shmangej ekskluziviteti i kryetarit dhe të kishte trupa vendimmarrëse, si në shumë parti europiane.

-Në analizën tuaj, tashmë që kanë kaluar pak ditë, çfarë mendoni, pse ai reagoi kaq ashpër ndaj jush?

Reagimi i ashpër është çështje personaliteti. Mbase është mënyra e përdorur nga politikanët “macho” shqiptarë për të intimiduar të tjerët. Por e ka llogaritur keq, sepse askush nuk më intimidon dot asnjëherë përmes rrugës së dhunës apo shpifjeve. E vetmja gjë që më intimidon është vetja ime dhe pyetja që i bëj ndërgjegjes, nëse kam qenë krejtësisht e drejtë dhe luajale. Në këtë rast ndërgjegjja më thotë PO, pa asnjë hezitim.

-Ju uroi “pension të mbarë”, si u ndjetë pas kësaj fjale, e thënë nga një person të cilit i keni besuar dhe punuar me të?

Përtej pensionit, kishte dhe fjalë të tjera më të rënda. Ai farë helmi e mllefi, që ende nuk e kuptoj se si mund të drejtohen ndaj meje. Unë kam bërë gjithçka për projektin tonë të përbashkët dhe kam ofruar pa rezervë bashkëpunimin. Momentet më të vështira të rrugëtimit dyvjeçar i kemi kaluar bashkërisht.

Ai helm e mllef po vazhdon të derdhet çdo ditë në portalin e Libra-s, ndaj meje, familjes sime, por edhe shumë Librave të tjerë me arsye të shëndoshë. Derdhet në mënyrën më vulgare, nga anonimë politikë apo njerëz që fshehin identitetin. Derdhet në portalin e komanduar tërësisht nga z. Blushi, duke e kthyer këtë faqe propagande në një neveri politike.

 -Zonja Hafizi, një parti kaq e vogël, e cila nuk ka as përfaqësi në Parlament, e ka të justifikuar një përplasje kaq të ashpër midis dy figurave kryesore të saj?

Aspak të justifikuar. Jo vetëm se nuk është e përfaqësuar në parlament, por sepse është ngritur mbi parime krejt të tjera etike.

-Pas kësaj situate, mund të themi që ju jeni shkëputur nga LIBRA?

T’ia lemë kohës të rrjedhë.

-Jeni shprehur se jeni gati për të mbështetur çdo aksion të ri politik, kjo do të ndodhi brenda LIBRA-s, apo jashtë saj?

Kam shumë detyrime për aksione politike brenda Libras. Detyrime ndaj njerëzve që na ndoqën e besuan.

-Në këtë fazë që jeni, megjithë këto situatë e tensione, ia vlejti sakrifica për të lënë partinë tuaj dhe mbështetur z. Blushi në një projekt të ri politik?

Projektin e ri politik e kam ngritur bashkë me z. Blushi. Nuk jam unë mbështetësja. Mund të thosha më saktësisht se është ai mbështetësi im. Rilindjen do ta kisha lënë edhe pa patur asnjë projekt të ri politik. Në betejën brenda Rilindjes, po, aty kam qenë mbështetëse e z. Blushi.

-A ndiheni e përdorur nga z. Blushi?

Në mesazhin e tij brutal ai ka dashur të më thotë se më ka përdorur. Për revansh! Por unë kam bërë gjithçka duke ndjekur bindjen time dhe vetëm bindjen time, të cilën po e ndjek me besnikëri edhe në këto fjalë që po them.

-Tanimë, cila është e ardhmja e saj politike?

Koha do ta tregojë.

-Z. Blushi në rrethin e tij të ngushtë është shprehur se do të nisë grupimin e të gjitha partive të qendrës për të krijuar polin e tretë. E besoni ju këtë projekt të tij?

Z. Blushi mund të ngrejë çfarëdo projekti që i pëlqen në emrin e tij. Në emrin e Libras dhe 20 mijë votave të saj, ai s’mund të ngrejë asgjë pa pyetur strukturat.

-Me largimin tuaj nga Partia Socialiste, kolegët tuaj, por edhe kryetari Rama, janë treguar të kujdesshëm të diferenconin ju nga z. Blushi, për ju nuk pati asnjë akuzë, ndërsa për të herë pas here, pati deklarata të forta sulmi. Nëse reflektoni edhe ju edhe z. Rama, mund të ketë një ribashkim me partinë ku nisët karrierën politike?

Nuk e kam vënë re këtë detaj. Sigurisht që nuk ka asnjë arsye, as politike e as morale, që unë të kthehem te Rilindja. Por dua të them një të vërtetë: kam jetuar me vite të tëra në ambientin e Partisë Socialiste. Kam shumë miq, kolegë dhe simpatizantë, të cilët i vlerësoj dhe i respektoj për kush janë dhe çfarë kanë bërë. Kam përjetuar divergjenca shumë të rënda, hera-herës që preknin interesa të mëdha grupimesh, por asnjëherë nuk jam fyer kaq rëndë nga askush. Se ka një burrni, themi ne shkodranët, që shqiptarët e kanë kushdo qofshin ata, të pasur a të varfër, injorantë a të ditur, luajalë apo hileqarë, besnikë apo tradhtarë, oligarkë a mëditës. Kjo që më ka ndodhur te Libra dhe me z. Blushi del jashtë kodeve të burrnisë shqiptare.

-Zonja Hafizi, ju nuk jeni shkëputur asnjëherë nga bota akademike, do të jetë ky vendi ku do të vazhdoni me tej angazhimin me kohë të plotë?

Vazhdoj me kohë të plotë dhe është një ambient që më jep qetësi, respekt dhe shumë kënaqësi intelektuale. DITA

dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje