Tirana Business University, në kuadrin e mbështetjes dhe promovimin e veprimtarisë artistike të krijuesve shqiptarë, si një pjesë e rëndësishme e sipërmarrjeve dhe ekonomisë krijuese të vendit dhe si një burim i vyer dhe i pazëvëndësueshem i emacipimit estetik, moral dhe shpirtëror të shoqërisë shqiptare, do të organizojë për dashamirësit e artit pamor ekspozitën e gjashtë (6-të) të saj me vepra në pikturë të titulluar “Inkurajim Artistik Brezash”.
 
E veçanta e kësaj ekspozite është që në të do të marrin pjesë me veprat e tyre disa nga piktorët korifenjë shqiptarë si Ibrahim Kodra dhe Guri Madhi, veprat e të cilëve janë një pasuri e çmuar jo vetëm për trashëgiminë e artit shqiptar, por edhe për artin botëror.
 
Gjithashtu në këtë ekspozitë do të marrin pjesë edhe disa piktorë të cilët tashmë janë në kulmin e veprimtarisë së tyre krijuese si, Prof. Lec Shkreli, Dr. Abaz Hado, Fate Velaj, Helidon Haliti, Arif Lushi, Ruben Hajnaj, që me punimet e tyre të ekspozuara brënda dhe jashtë vëndit e kanë pasuruar dhe lartësuar së tepërmi imazhin e artit pamor shqiptar.
 
Në  këtë ekspozitë të kuruar me shumë kujdes nga ekipi organizator vjenë si një risi edhe vendosja në krah të piktorëve të sprovuar të artit tonë e veprave të disa prej piktorëve të rinj të talentuar shqiptar si: Gerti Dajçi, Jona Dividi, Brisi Kalaja, Edi Argjiri, Ruzmira Beqiraj Bejaj, etj, të cilët do t’i sjellin kësaj ekspozite më shumë diversitet dhe dinamikë.
 
Së fundmi kjo ekspozitë vjen edhe si një homazh për dy piktorë të talentuar dhe bashkëpunëtorë të vyer të TBU-së, të cilët do marrin pjesë me veprat e tyre, Skënder Lako dhe Dhimitër Theodhori që u ndanë nga jeta pak muaj më parë.
 
Shumica e piktorëve në këtë ekspozitë do të prezantojnë punime nga krijimtaria e tyre të pa ekspozuara më parë, duke rritur në këtë mënyrë interesin e vizitorëve dhe artdashësve të shumtë që do të kenë mundësi ta ndjekin ekspozitën nga hapja e saj ditën e Mërkurë më 8 Qershor 2016, ora 18.30, në ambjentet e Tirana Business University, deri në datën 12 Qershor 2016, ora 20.00, kur ekspozita do të mbyllet.
 
Kjo ekspozitë mbështetet nga dy prej kompanive prestigjoze shqiptare Birra Tirana, kompania më e madhe e prodhimit dhe shitjes së birrës në Shqipëri dhe F&M Reklama, një prej kompanive më të njohura shqiptare në fushën e reklamave, të cilat meritojnë një falenderim të veçantë.
 
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com