“Është një program i ri, që ne e vëmë në jetë për herë të parë, që synon që t’i japë fund një tradite shumë të turpshme dhe që na vë të gjithëve si shoqëri dhe si vend në pozitë të tmerrshme, edhe me vizitorët e huaj, të plazheve të pista, të plazheve ku çfarë konsumohet hidhet në rërë, të plazheve ku nuk ka kujdes për mjedisin. Është bërë një punë kolosale gjatë gjithë 6-mujorit të parë të vitit, falë kontributit të Forcave të Armatosura për të pastruar mbetjet historike. Tani jemi në fazën kur do të pastrojmë mbetjet e përditshme. Duhet ti pastrojmë në bashkërisht dhe duhet të insistojmë që pak nga pak të gjithë pushuesit të marrin pjesë në këtë përpjekje, duke mos hedhur mbeturinat, por duke siguruar që të gjithë mbeturinat e konsumit të tyre në plazh te hidhen ne pikat e caktuara. Kjo do të ishte një fitore historike për një shoqëri që pret shumë më tepër se kaq nga turizmi dhe për një vend që kërkon të jetë një vend me nam të madh dhe të mirë si një vend turistik. Pengesa e parë që kemi janë lerat dhe kultura jonë mizerabël e marrëdhënieve me mjedisin. Por lehtësisht mund ta ndryshojmë këtë, duke menduar siç mendojmë në shtëpinë tonë. Asnjëri nuk i hedh plehrat në mes të shtëpisë. Atëherë, pse duhet t’i hedhim në mes të plazhit?! Dhe secili të japë kontribut dhe secilin duhet ta ndihmojmë të kuptojë se nuk mundet më të vazhdojmë kështu. Kjo është puna kryesore që kanë këto grupe, përveç pastrimit që do bëjnë në çdo metër katror”, ka theksuar Rama.
Auron Tare Drejtor i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit ka theksuar se këto kampe do të shërbejnë për të pastruar jo vetëm plazhin, por edhe për të disiplinuar të gjithë mbarëvajtjen e pushuesve gjatë sezonit.
Kryetari i Bashkisë së Durrësit ka theksuar se “kjo frymë bashkëpunimi e këtij viti është një ogur i mirë për të filluar kthesën e turizmit në qytetin tonë”.
Këto kampe do të shtrihen në të gjithë vijën bregdetare të vendit, dhe do të jenë përveç vullnetarëve dhe Forcave të Armatosura, edhe infermierë dhe të tjera struktura që mbushin ditët me aktivitete sportive dhe kulturore.
Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)