Mamani me profesion psikologe deklaroi se ka asistuar e thirrur nga policia e shtetit dhe prokuroria procedurën e arrestimit të Xhulio Malos, Elson Kazmës dhe Oltion Prokos.
Mamani u shpreh se “me sa kujtoj unë të miturit në 2015, Malo, Kazma e Proko nuk ishin të dhunuar dhe nuk më shprehën se ishin dhunuar teksa ndodheshin në komisariat”.
Por ky deklarim sipas avokatëve dhe vetë të pandehurve që sot janë në moshë madhore është një mashtrim pasi psikologja gënjen duke mos treguar që ata janë kërcënuar nga RENEA dhe Policia e Shtetit për të firmosur gjëra të pavërteta.
Oltjon Proko një nga të arrestuarit e mitur në 2015 tha se “më mbani prej 3 vitesh kot në burg, tani doni të më hiqni e fjalën dhe pse RENEA më rrahu e më hoqi padrejtësisht nga shkolla”.
Trupa gjykuese vendosi të mbyll hetimin gjyqësorë duke lënë 21 shkurtin si datën ku prokuroria do të paraqes konkluzionet ndaj të pandehurve.
Fillimisht ky gjykim nisi me dëshmitarë të drejtësisë dhe gjykim të shkurtuar por pas tërheqjes së Xhulio Malos nga marrëveshja me prokurorinë gjykimi u rifillua me procedurë normale.
Ndërkohë mamaja e të pandehurve në këtë proces Elvis dhe Bajram Bocia hodhi akuza ndaj policisë për terrorin që u është shkaktuar fëmijëve të mitur.
“Në Lazarat është bërë një dhunim total, nuk është luftuar fenomeni, por janë luftuar banorët dhe këtë e di shumë mirë Saimir Tahiri. Sot policia e Saimir Tahirit kanë dalë në kërkim, s’po gjejnë se ku janë eksponentët që drejtonin shtetin. Ai shtet që është sot në kërkim ka dhunuar djalin tim që ka ardhur në burg në 2014. Ky nuk është një fëmijë në Alepo të Sirisë, por një fëmijë në Lazarat”, shprehet mamaja Bocëve.
Ibrahim Basha u vra më 24 qershor 2015 dhe prej asokohe nën akuzë janë 11 të pandehur mes tyre të rinj të fshatit Lazarat që sipas prokurorisë u organizuar në grup për të rikthyer kultivimin e kanabisit në këtë fshat.
Er.K/Shqiptarja.com