“Letra që duhen djegur” 
erosi dhe poezia e dashurisë

“Letra që duhen djegur” <br />erosi dhe poezia e dashurisë<br>
Kur poetët na thonë t’i djegim letrat, ne, lexuesit duhet të lexojmë hirin. Dhe kur ato, letrat (e dashurisë), kanë vlera të qenësishme estetike, atëherë dhe hiri i tyre bëhet përvëlues. “Letra për t’u djegur”...titull libri dhe metaforë e dyfishtë: letra për t’u ndezur, për t’u ngrohur në prushin e shpirtit... Dashuria nuk ka moshë... Ç’t’i bëj këtij hiri që dhe i ftohtë më djeg.. 

Krahas këtij titulli (botuar më 2017) që na ofron, poeti dhe shkrimtari Riza Braholli, shpreh dhe një pozicion të tij me atë që dashuron, afër e përqafuar në dukje, por atje tej, larg prej saj.

Poeti  dashuron në largësi. Gjetja e shprehjes  me anën e letrave dërguar asaj, (atyre) e, shpeshherë, edhe brenda letrës me dialog replikash poetike, nuk  duhet ta shqetësojë lexuesin. Poeti zgjedh fjalën e bukur, figurën poetike, bukurinë e shprehjes. E trupi e lëkura e saj qenkan letra dashurie.

Braholli shkruan vargje nëpër trupin e femrës. Të gjitha letrat e vëllimit poetik  “Letra që duhen djegur”, edhe kështu fragmentare, për një a disa të dashura, duken si një poemë dashurie.  Ai e krijon parajsën artificiale me imagjinatë. Erosin dhe poezinë. Plot vegime, pa e cenuar aspak etikën, por me kujdes të veçantë për formën poetike, emocionin.

Shpesh nuk merr rëndësi semantika, dështimi, humbja a provokimi,  por harmonia estetike. Histori romantike pa kronikë. Vetë procesi krijues, veçanërisht ai i poezisë,  është erotizëm. Njëra, me buzë të bukura e gjinj të ngrohtë  është e përfytyruar – shpesh e kthyer në ajër, heshtje, zbrazëtirë; thirrje  që e bën poetin “të ftohtë”, të mos ia ndjejë aortën – “s’është as e nxehtë, as e ftohtë, as e trëndafiltë as e bronztë...  “tani nuk e di ç’jam, zbrazësirë pa ajër, heshtje, që nga fundi i një honi thërras… “kurmi yt, lëkura jote është një letër dashurie që i shkruan tjetërkujt”.

Poeti poetizon një rast “të dështuar”(lexo të dëshiruar) me një që nuk ia ka ndjerë krahët rreth vetes... Fantazia e poetit na çon tek një dashuri e largët, fiktive, të kaluar, të dëshiruar por të parealizuar. Thashë ky objekt që mungon e bën më tërheqës intrigën, dashurinë, pse jo dhe më realiste e dramatike.

E rëndësishme është fjala e bukur që na ndez përfytyrimin, procesi krijues...Poezia e këtij autori, veçanërisht poezia e dashurisë, është e brishtë, ajrore , fluide, pjellë e gjumit pa gjumë për atë  që do, e  më tepër për atë që nuk i përgjigjet.. (s’ta dal dot me qa, moj lale por me të kënu...)

***

[ Erosi dikur ka qenë pronë qiellore e administrohej nga hyjnitë. (Në Greqinë e lashtë edhe poezia shkruhej për aristokracinë.) Nuk është e rastit që poetët e mëdhenj të botës i kishin dashnoret e tyre lart e lart e atje i kërkonin edhe si fillim e si fund... (më vonë edhe poetët e mëdhenj nëpër yje i kërkonin të dashurat).]

Por... Kur vetë Erosi u martua me  bukuroshen Psiqikë, që kishte vetëm një “të metë” - ishte tokësore, pra ishte njeri, domethënë  e vdekshme, punët e erosit ndryshuan diametralisht. E pse jo dhe poezia. Të dy të predispozuar për sallonet e modës...

Dashuria prej këtij momenti do të zbriste nga qielli. Do t’i linte trojet e ëndrrave, ose të metaforave që trazoheshin me hyjnitë dhe do ulej me këmbë në tokë. Dashuria do të pranonte  tashmë, jo vetëm aromat dhe petalet,  por edhe gjembat e trëndafilit.

Në të vërtetën e ashpër fataliste do fillonte njeriu me ligjet e baltës, shumimit dhe vdekjes. Miti po largohej me shpejtësi për t’u strehuar në një cep muzeal të dijes, fosil diku larg e thellë, i pandryshueshëm. Me punët e dashurisë, (dhe me dramën e saj) të luftës e të vdekjes, do merreshin poetët.  

Sidoqoftë,  dashuria (dhe bukuria) edhe pse e  përkohshme do të mbetej  ylli përndritës i njeriut dhe në penën e poetëve  të mëdhenj, do ta mundte edhe vdekjen... (Në luftën e Trojës Akili u ndesh me mbretëreshën Pentesilea. E plagosi për vdekje dhe e mori në krah që të vdiste ngadalë. Ajo, “ bukuroshja qiellore” nuk e meritonte vrasjen e trimi, duke e shikuar të plagosur në sup të tij, qau dhe  marrëzisht ra në dashuri me të; u pendua që e vrau mbretëreshën e amazonave  dhe... bëri që hyu Ares (Marsi – zot i luftës) ta kthente në Afërditë..).

Vdekja ndolli dashurinë e diku pari kaloi Erosi. Me shigjetën e artë...  Bukuria e mundi vdekjen apo një metaforë zbret në tokë e  thërret në duel  mitin e frikshëm të ëndrrave? Qenkej dinak Erosi! Dhe të pakta buzët e lumturisë. Një monedhë shpirtërore, mjalta dhe helmi. Dashuri dhe vdekje. Lumturia është miope, dashuria pak e dehur. Por sytë e pikëllimit e shpojnë dhe gurin.

Të gjitha përkohshmëri. E tha Gilgameshi në kulmin e dashurisë e të lavdisë,  “pse duhet të vdes?” Dhe të Iliada, bukuroshen Helena  do ta kapte shigjeta e Erosit dhe do bëhej shkak dashurie e lufte dhe për të do flijoheshin mijëra njerëz. Madonat e pavdekshme të dashurisë në letërsinë e madhe, Zhulieta, Beatricja, Margarita, Ana, Zonja Bovari etj., etj., kanë përfunduar nëpër ingranazhe tragjike.

Ky është realiteti. Kjo është jeta e njeriut. Erosi dhe Thanatos-i do bëheshin shtyllat bazale të kulturës botërore; dashuri-vdekja do alternohej me vetveten dhe poetët do krijonin mitologjinë e vlerave të mëdha dramatiko - poetike.

E këto krijime fantastike do të ishin më realiste se realistet... E, ndoshta, para Homerit, Orfeu kozmik do trondiste botën e perëndive dhe do merrte në shpinë jo vetëm rivdekjen e të dashurës, Euridikës, por dhe peshën e keqpërdorimit të artit sublim që mëtoi të dilte mbi krijimin, duke sfiduar  perënditë...

Ç’mit dinak! Ç’poezi dramatike?!

***

Të troket në ndjenja R. Braholli, që e ruan pjesën qiellore të dashurisë. Ai dashuron por s’bën dashuri, ai ndërton e zbukuron fjalën,  poezinë... E, shpesh, fjala e tij për dashurinë të kujton “Këngën e këngëve “në bibël , atë kohën e zjarrit të zjarreve  “kur njerëzit bënin dashuri me Perënditë”... “E kam dashur gjithmonë atë kohë kur njerëzit bënin dashuri me Perënditë “, thotë Braholli në një nga poezitë më të bukura “Zjarri i zjarreve”.

E na krijon një dekor imazhesh kozmike sikur ka qenë ai atje, në Kopshtin e Edenit,  te molla e ndalueme, jo Adami. Jo vetëm në këtë poezi, por edhe te poezia: “Drita të kaltra” mesazhi del nga rutina e një dashurie apo akti të zakonshëm dhe merr përmasat e një dashurie hyjnore e mesazhore: akt krijimi që ndodh dhe e shohim në përditshmërinë e natyrës apo dhe në aktin e parë të Zotit kur krijoi botët.

Kjo përmasë, që poezia e Brahollit ia del ta ketë më në fund, është një arritje dhe një kulm i shprehjes së tij poetike, që shpërblen kërkimin e përpjekjet e tij për të dalë nga një poezi, thjesht, erotike, minimaliste e subjektive, drejt mesazheve filozofike universale, duke e parë dashurinë, jo vetëm si një akt erotik, epshor, njerëzor, por si një akt më të rëndësishëm: si akt të ngjizjes së botës. 

“Ne ndezëm zjarrin e zjarreve mbrëmë përtej, në botën e mjergullës ishim..., unë e ti me mishin e shpirtin, të dy kapërthyer si dhéu me rrënjën.” Kështu kapërthyer një shekull a mijëra “Si ishim ashtu, as fjetur as zgjuar?... me frerët lëshuar mëgojzën si kuajt e hanim me dhëmb e prapë e sërish të unshëm, të vluar...

***
Megjithëse qielli i njeriut ka cakun e vet të përkohshëm, ai  mu në qendër të galaktikës, ka yllin  më të ndritshëm,  dashurinë. Vetëm ky yll ndriçon botën, jetën dhe sfidon vdekjen... Rreth këtij ylli vjen  e përsillet R. Braholli. Kjo letërsi është gjithnjë erotike. ”Letërsia është jeta e vetme e jetuar realisht”.(Prusti)

Pa njëra-tjetrën ato nuk ekzistojnë. Sot seksi dhe letërsia nuk janë më tabu - liria e njeriut ka marrë spektër të gjerë,  anipse nuk i ka shmangur dot hijet satanike të mëkatit. Kjo nuk do të thotë se poezia me këtë tematikë është e thjeshtë e mund ta shkruajë kushdo. Fjala për dashurinë duket si e lehtë, por jo.

Ajo është një gur që rrokulliset shkëputur nga vetëdija... E Mandelshtami (perifrazoj),  do shprehej se kush e ngre këtë gur ta vendosë në një themel a drejtim në një qenësi tjetër kuptimi dhe ekzistence... Pikërisht kjo fjalë e zgjedhur kërkon një bashkëveprim harmonik të ngjashëm me vetveten.

***
Letrat e Brahollit, në këtë vëllim poetik,  flasin për një dëshirë poetike që,  njëkohësisht,  është dhe dëshirë erotike. Nuk është thënë kot, artisti është biri i erosit. Unë e pranoj përqasjen. Të dyja krijojnë kënaqësi të brendshme fiziologjike, ankthe, frymëzim, ndjenja, intimitet, “elektricitet”  (drithma e zjarre te Braholli).

Shfaqjet erotiko-letrare kanë të bëjnë me dy figura bazale, gjuhën dhe femrën. Të dyja në mundësi të pafundme shprehjeje. Të pranuara dhe si tabu dhe si domosdoshmëri për të ndryshuar. Por të mos harrojmë që qytetërimi është në gjininë mashkullore.

Akti seksual dhe akti krijues duhet të jetë jo rutinë, por akt i veçantë njohjeje.  Njohje e përveçme emocionale. Zbulim. Dije. Seksi si bazë lëndore, a domosdoshmëri natyrore, është dhe dashuri, ide, shpirt, frymë, mister... Teologët thonë se në seksin e pastër  (hyjnor) njeriu lidhet vertikalisht me Zotin. (Prof. Sun Mon).  

Pa  dashuri, poetët do ishin shumë të paktë.  Letërsia është gjithnjë gjendje epshi. Në shumë strofa te letrat e  Brahollit njohim plot dëshira e drithërima... Poetika e tij preferon përpjekjet për ta shtënë në dorë femrën, mungesën e saj, dështimin,  harresën, pengesat, rrugët që priten për tek ajo...

Shumë petale trëndafili e aroma shpërndan nëpër zarfe. Fjala ndizet e hiri të përvëlon. Puthja si prolog, paradhoma e seksit, përvëlim, liri burg, çast aq joshës dhe i pasigurt, i ngutur, i ngrohtë, i lagësht,  aromë dëshire, largim e kthim;  një puthje një krijim i ri,  sepse “buzët mbajnë brenda tyre një qiell, një kaos  nga mundem  sërish të ngjis një botë nga fillimi”. Duket sikur këtu merr një atribut të Zotit: krijimin e botës, duke bërë atë që poetët kanë bërë gjithmonë, që në hershmëri apo zanafillë: të maten me perënditë.

Ai, bashkë me atë,  (apo ato) që do,  e përjeton dramën veçse, psherëtin, brengoset,  loton (ai nuk preferon asnjë rast dramatik të thiktë) – por, me fjalë zemre “mbrohet” e përgjërohet e ndërton brenda vetes një melodramë të besueshme me një intimitet dhe emocion drithërues. Se nuk ka faj ai që bukuria e femrës të merr mendtë...  Poetët e vërtetë gjithçka njerëzore e kthejnë në gjithçka poetike pa e bjerrë fisnikërinë e tyre.

E  tillë është poezia e Brahollit që,  si dhe në vëllimet e tjera (“Qaj shqip”, “Mallkim virgjërie”, “Prekja e dritës” ...   ka rënë në sy poeti si romantik i pandreqshëm. Askush nuk e mohon se në themel të poezisë është dashuria, seksi  jo vetëm si nevojë biologjike për shtimin e llojit, por dhe si nevojë e kënaqësi e domosdoshme e agresive që shpesh i ngjan urisë ose etjes. Dashuria, seksi dhe poezitë janë oazet më të bukura në jetën e njeriut. Pa to shkretëtira do ishte e padurueshme dhe njeriut do t’i digjej buza për një pikë ujë...

Fusha e gjerë e figuracionit poetik te R. Braholli është mbushur me bëma dhe enigma, kësisoj i ngjan fushës së gjerë të erotikës gjithashtu përplot me të papritura, trille dhe enigma. Edhe te poezia “Çmendurisht “poeti na paska kryer një akt çmendurie(!) e ka kryer dhe s’e ka kryer njëherësh. Cila është çmenduria e vërtetë?

Dyzimi dhe kuptimi i paplotë fshehin shumë të vërteta që qenia njerëzore nuk arrin t’u japë dot udhë dhe një shpjegim përfundimtar. (Punë seksi, mund të mendojë shumëkush...) Jo, them unë. Shikoj përndezjen e fjalës, jo aktin. Puthja, dashuria, seksi,  janë akte krejt njerëzore të natyrshme.  

Ka ndër to fshehtësi dhe mister, psherëtima e mërmërima, në  buzëqeshjen e saj të fikur. Për poetin peshën e merr bukuria e fjalës, semantika e kënaqësisë biologjike, po se po, por dhe shpirtërore. ...”I thash’ m’u poqën buzët për të puthur/por duket kisha folur veç me heshtje/ më dukej sikur vrenjtej, sikur qeshte / a ndoshta po më ngiste për t’u ngutur/ të bëja çmendurinë e asaj vjeshte....

Pastaj, sesi me zjarr e putha nëpër terr / e buzët aq të njoma si ia sosa/ mbi gjinjtë si u çmenda për beter. “....E më poshtë, “Nuk di të them si s’lojta si s’lajthita/E si nuk plasa, tëmthat si s’m’u çanë/kur gjinjtë e saj m’i vuri aqë pranë e gush’ e saj e bardhë si margarita, ...vanë ment e mia vanë... Erosi dhe poezia i kanë të fshehta marrëdhëniet. H

eshtjen, të pakuptueshmen, intimitetin, absurdin, retorikën e kufizimit, trojet psikoanaliste të ëndrrës - pothuajse i kanë të përbashkëta. Dhe ato, edhe kur duket se kryqëzojnë shpatat, dëshmojnë njëra-tjetrën. Se të dyja janë akte shpirtërore, pjesë përbërëse të aktit të lirisë universale.

Veprat e shquara letrare, kur erotika përputhet me psikoanalizën frojdiste, kanë dëshmuar lulëzimi e vlerave artistike. Fusha semantike e kënaqësisë, në letërsinë moderne,  bëhet gjithnjë e më komplekse e çliron energji të reja krijuese;  metafora josh mishin, fjala merr krahë artikulohet si gjest deri në skanerin e qenies biologjike e shoqërore.

Kështu Erosi lakuriq,  letërsia erotike nga shtëpia e vet në Paris, me  strategët e njohur, Stendal, Verlen, Bodler, Apoliner, F. Sorells etj. (pa përmendur lirikët e mëdhenj rusë, gjermanë a italianë) ka pushtuar krejt kulturën e njerëzimit.

***
Shpesh edhe poetët e talentuar i paguajnë haraç jo të vogël tematikës komplekse të dashurisë. Kësi rastesh metafora të shket nga dora dhe inflacioni i fjalës është i pashmangshëm. Nga njëra anë kemi të bëjmë me përvoja të përbashkëta, sa njerëzore dhe kozmike, sa origjinale dhe të përveçme, sa intime dhe të përgjithshme. Nga ana tjetër, të mos harrojmë se para nesh janë rreshtuar mijëra poetë të tjerë.

Lexuesi i kualifikuar parapëlqen, te ky poet, jo vetëm romantizmin, gati kalorsiak, por më tepër  poezitë sintezë; atë poezi ku diçka mungon, atë enigmë që lexuesi mundohet ta  gjejë vetë “kjo mbrëmje është një bluzë që duhet shkopsitur deri në yllin e fundit”… ose : ... shpirt mbaj frymën dhe zemrën lere mbi gjethe një çast të pushojë, mos mendo atë që sheh se digjet, flakën e vërtetë e fsheh mishi dhe …misteri i pamundur të thurë as një lule tingulli …”Apo tek një letër tjetër që si orakull modern mbi shpatullën e dashit rreket të shquajë shpatullën e saj… që qenka “shenja e dëshirës së fikur për t’u shndërruar në tingull…..”

Braholli, në shumë poezi, nuk ndahet dot nga të rrahurat e zemrës. Dhe këto i ka të kushtëzuara nga ajo që ka përballë. Buzët dhe gjinjtë me thitha kryeneçë. Para tyre poeti bëhet më poet. Vetëm në përfytyrim që, dhe kur s’ka vlagë e flakë, hiri i mbetet i përvëluar.

Dhe romantiku lexon hirin dhe përfytyron buzë e gjinj… Në shumë poezi autori shkruan për dashurinë e pamundur, pengesat kundërshtimet e natyrshme, por ai pret,  “ai i qepet” dhe është këmbëngulës  e i duruar “deri sa shushurima e fundit, era të ndalet  mbi faqen e detit  dhe yjet të dridhen në fundin e tij … e lexuesi kujton atë tjetrën, “baltë e pluhur do të bëhem të më shkelë këmb` e saj”… ai është gati të përplasë kokën pas reve për të vajtur tek ajo.

Ëndrra   gjallon në shpirtin e tij... që bulëron e lutet me lot e ngashërime  por dhe si dallgë e brendshme, cunam që brinjët ia rreh  poeti gërmon në guaskat e detit e qëllon që perlat e dikurshme s’i nxjerr dot më, ah, thinjat, thinjat!.., vjollcë e mbirë mbi buzët e dëshirave të së pamundurës...

Ndonjëherë kërkon mishin, epshin; fjala sikur i zbehet  para aktit. Unë lexoj të kundërtën (lulen e vetme të tingullit e çel fjala) fjala, qe krejt e pazonja i sillet misterit përreth pa mundur të thurë as dhe një lule të vetme tingulli. Lexuesi detyrohet të  përfytyrojë e të shohë me sytë e poetit, që në largësi prej saj i pëlqen “njëlloj si gjyshi mbi shpatullën e dashit” të lexojë ndonjë dëshirë të saj, “shenjën e dëshirës së fikur”... e,  kush e di, mbase dëshira tingëllon nga të dyja anët...

Po në dorë ka ajrin, dritën, metaforën... e dëshiron, të paktën në këto çaste dhe ajo të ndjehet e rrethuar me ajër e dritë. Për ndonjërën që do ta harrojë, poeti është më poet. (Letra 9) Perifrazoj: Një dorë mjergulle më duhet, një dimër, dhe vdekja e mallit ... ta mbulojë këtë udhë, ...ku vallëzojnë dashurisht edhe drurët, ku... ka ortekë e akuj mbi gjethet...e, ato gjethet spërkatur   nga e qeshura jote, kthehen në flutura... që... të harroj që kam puthur dy sy prej gjarpëri që dimër më prunë...

***
R. Braholli, në dhjetëra poezi dashurie, preferon yjet jo baltën, shpirtin më tepër se trupin, petalet jo gjembat, lumturinë jo mëkatin... Ndërsa, Erosi, dikur Zot i dashurisë, nuk e ndaloi dot procesin fatal, kthimin e seksit nga nevojë biologjike në patologji, degjenerim, depresion, neurozë... E shoh njeriun në një rënie të pandalshme. E bashkë me të po tundet shtyllat e  qytetërimit mijëvjeçar.

Poetët kanë dalë në skenë për ta mbrojtur femrën, dashurinë,  seksin,   poezinë.  Poeti nuk dëshiron t’i largohen  hyjnitë e romantizmit. Poeti dëshiron t’i falet Erosit, aromës, luleve, buzëve e puthjes. Por, e thamë, sytë e pikëllimit shohin më thellë. Sidoqoftë poeti nuk gjykohet. Ai është subjekt (institucion) i pavarur. Kjo mjafton: “Erotika është e pandashme nga të gjitha aktivitetet e tjera të ekzistencës... Ajo është poezia (F. Sollers). 

 

Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

112-vjetori i Pavarësisë/ Basha: Urime datën më të rëndësishme të identitetit tonë kombëtar! Nderim atyre që luftuan për liri dhe bashkim

112-vjetori i Pavarësisë/ Basha: Urime datën më të rëndësishme të identitetit tonë kombëtar! Nderim atyre që luftuan për liri dhe bashkim