I vë flakën 4 automjeteve në Tiranë policia shpall në kërkim të riun, i cili dyshohet se u hakmor ndaj familjes së ish të fejuarës.
Është kjo pista kryesore e hetimeve të bluve në kryeqytet të cilët deri më tani kanë shoqëruar e marrë në pyetje pronarët e mjeteve të djegura dhe disa prej personave që kanë parë ngjarjen.
Burime për ReportTv bënë me dije se një prej automjeteve të djegura i përket shtetases me iniciale A.A e cila është pedagoge në Universitetin Bujqësorë në Kamëz.
Nga vëzhgimi i kamerave të sigurisë nuk është fiksuar momenti i djegies thanë hetuesit, por fakti që prej më shumë se 1 viti familja e pedagoges kërcënohej nga ish i fejuari i motrës së saj ka çuar policinë në gjurmët e autorit të dyshuar.
Dy nga mjetet e tjera të përfshira nga flakët janë dëmtuar vetëm për shkakun se kanë qenë të parkuara pranë makinës së pedagoges dhe bashkëshortit të saj.
Zjarri në dy mjetet e parkuara në rrugën “Agim Qarri” poshtë pallatit ku banonin e pronarët e tyre është i qëllimshëm dhe është shkaktuar me afro 2 litra benzinë.
Ky është rasti i dytë i zjarrvënieve në harkun kohor të dy javë në Tiranë ku shkak është prishja e raporteve intime midis çifteve dhe hakmarrja.
Më 2 Prill ishte Desara Mançellari ajo e cila dogji 4 automjetet e babait të ish të dashurit të saj Filip Papajani.
Ja njoftimi i policisë
Më datë 16.04.2016, rreth orës 02:40 në Unazë të Re, në afërsi të hotel "Roland", janë djegur disa mjete.
Si pasojë e zjarrit janë djegur plotësisht mjetet "Nissan" dhe "Opel", në pronësi të shtetases A. A., 32 vjeçe, banuese në Tiranë, si dhe janë dëmtuar pjesërisht mjetet tip “Mercedes Benz” dhe “Skoda”, të parkuara pranë tyre.
Autori i dyshuar për këtë ngjarje është shtetasi O. M., 27 vjeç, banues në Tiranë. Shërbimet e Komisariatit të Policisë nr 6, po punojnë për shoqërimin e këtij shtetasi.
Shtetasi O. M., ka qënë i fejuari i motrës së shtetases A. A., me të cilën ka një konflikt prej disa kohësh. Objektivi i këtij shtetasi kanë qënë shkatërrimi i automjetit të shtetases A. A., dhe të bashkëshortit të saj, dy mjetet e tjera të përfshira në dëmtim ka ardhur si pasojë e përhapjes së flakëve.
Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale, "Shkatërrim i pronës me zjarr" parashikuar nga Neni 151 i Kodit Penal.
(Dy nga automjetet tip Opel dhe Nissan në pronësi të pedagoges dhe burrit të saj që u dogjën plotësisht)
(Automjeti tip Benz dhe Skoda që u dogjën pjesërisht pasi ishin parkuar pranë) Foto të tjera
(4 automjetet e djegura në rrugën Agim Qarri) Foto të tjera